Ndonëse frenimin e kalimit të emigrantëve përmes kanalit të La Manshit e konsideroi një nga 5 sfidat kryesore kur mori drejtimin e qeverisë, kryeministri Rishi Sunak duket se ka pranuar se kjo nuk është një çështje që merr zgjidhje për një kohë të shkurtër.
Mediat britanike raportojnë se në një deklaratë të fundit Sunak tha se frenimi i kalimeve ilegale me gomone, mund të mos ketë marrë rrugën e duhur përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm.
Shefi i qeverisë Sunak, thotë se kalimet e paligjshme në La Mansh nuk zgjidhen brenda natës, pasi është një çështje komplekse, edhe pse ai këmbëngul se plani po funksionon. Sipas autoriteteve britanike, këtë vit numri i emigrantëve të paligjshëm që kanë mbërritur në ishull përmes La manshit është më i vogël se një vit më parë. E kjo sipas britanikëve më së shumti lidhet me motin sesa me bashkëpunimin më palën franceze. Sic raportohet gati gjysmë miliardë sterl ina u janë dhënë francezëve që të bllokojnë nisjen e emigrantëve. Madje në qarqet politike të Londrës angazhimi i pakët i Francës në këtë cështje po konsiderohet si tallje. Por ka të tjerë që e konsiderojnë dështimin britanik në frenimin e gomoneve, si një hakmarrje të Evropës për Brexitin.
Ndërkaq edhe Laburistët që shihen si favoritë për të fituar zgjedhjet e ardhshme, nuk duket se kanë ndonjë plan më efektiv në luftën ndaj grupeve kriminale, apo në arritjen e një marrëveshje me Evropën për rikthimin e emigrantëve në kontinent.
Sipas sondazheve për britaniket emigracioni dhe azili mbeten çështja e tretë më e rëndësishme për ta si votues, kur Britania vazhdon të presë emigreantë dhe duket se nuk ka çfarë bën veçse t’i pranojë pasi nuk i kthen dot nga kanë ardhur, me përjashtim të shetatsve shqiptarë falë marrëveshjes Rama-Sunak në dhjetor të kaluar.