Komisioni Evropian hodhi poshtë këtë të martë objektivin e shprehur vetëm një ditë më parë nga kreu i Këshillit Europian, Charles Michel për zgjerimin e BE-së në 2030-ën. Dy institucionet kryesore të Bruksel u përplasën përsëri pasi “qeveria e BE-së” doli kundër vërejtjeve të presidentit të Këshillit Evropian se blloku duhet të jetë gati të pranojë anëtarë të rinj në vitin 2030.about:blank
“Ne nuk jemi të fokusuar në një datë, por të fokusuar në punën shumë të ngushtë me vendet kandidate për t’u përgatitur për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian” – tha zv.zëdhënësja e Komisionit, Dana Spinant në një konferencë të përditshme për shtyp këtë të martë. Ajo shtoi se Michel nuk ishte konsultuar me Presidenten e Komisionit, Ursula von der Leyen rreth përmbajtjes së fjalimit të tij të zgjerimit të hënën në një konferencë në Bled të Slloveni.
Mosmarrëveshja e fundit publike midis von der Leyen dhe Michel, të quajtur “çifti i çuditshëm i Evropës” për marrëdhëniet e tyre të vështira vjen teksa tema e zgjerimit të BE-së është rihapur vrullshëm në Bruksel. Gjithashtu të hënën, presidenti francez Emmanuel Macron sugjeroi për një BE “më të shpejtë” në lidhje me pranimin e vendeve kandidate. Disa vende të Ballkanit kanë pritur vite për t’u anëtarësuar në BE. Sipas kuadrit ligjor, ata duhet të plotësojnë një sërë kërkesash përpara se kjo të bëhet e mundur.
Udhëheqësit e BE-së do t’i përkushtohen kësaj teme në një samit të ardhshëm në tetor, pasi lufta në Ukrainë ka ringjallur debatin mbi zgjerimin e bllokut. 8 vende janë duke pritur anëtarësimin, duke përfshirë Ukrainën dhe Moldavinë, të cilave iu dha statusi i kandidatit vitin e kaluar ndërsa janë rritur presionet për të hapur bisedimet e pranimit për Ukrainën deri në fund të këtij viti. Spinant këmbënguli se zgjerimi është një “proces i bazuar në merita” dhe se vendet kandidate duhet të lejohen të anëtarësohen vetëm pasi të përmbushin kriteret e hyrjes në BE.