JiL.al - Jeto i Lumtur

Ekzekutimi i Martin Bardhit, valë shkarkimesh në Policinë

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Ekzekutimi i 59-vjeçarit Martin Bardhi në Rrëshen paraditen e 26 shtatorit ka shkaktuar ndryshime në Drejtorinë Vendore të Policisë së Lezhës. Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, drejtuesi i këtij institucioni Muhamet Rrumbullaku ka firmosur shkarkimet dhe emërimet e reja në DVP Lezhë. Motivacioni i këtyre ndryshimeve strukturore ka qenë trajtimi i mangët i hasmërive mes shumë familjeve në Rrëshen, pasi vitet e fundit janë shënuar shumë atentate me viktima. Gjithashtu, Rrumbullaku firmosi dhe emërime të reja në disa sektorë të policisë në Fier, Berat dhe Pogradec. Atentati ndaj Martin Bardhit dhe të afërmve të tij përpara komisariatit të Policisë së Rrëshenit po hetohet si hasmëri mes fisit Bardhi dhe asaj Reçi, pasi në korrik viktima qe liruar për tentativë vrasjeje të Saimir Reçit. Ky i fundit dhe familjarët e tij mohuan të kenë gisht në atentatin e 26 shtatorit.

Ndryshimet në DVP Lezhë
Për mostrajtim/mosanalizim të duhur të konflikteve mes fiseve të Rrëshenit, u vendos shkarkimi i zv/drejtorit të Sektorit të Hetimit të Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Lezhës, Alfred Nomani dhe zëvendësimi i tij me Gentian Berberin. Altin Mena emërohet në postin e zv/drejtorit të Rendit dhe Sigurisë në DVP Lezhë. Sektori i Rendit dhe Sigurisë së Lezhës, Artur Cara shkarkohet. Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku vendosi zëvendësimin e Paulin Çupit me Klodian Kondin në krye të Komisariatit të Mirditës.

Emërimet e tjera në Berat, Pogradec dhe Fier
Artur Shira shkarkohet nga detyra e zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë së Fierit. Në vend të tij është caktuar Arjan Hasani. Komisariati i Beratit do drejtohet nga Ermir Gërxhani, kurse Komisariati i Pogradecit i është besuar Elton Halilit.  Motivi i ndryshimeve zyrtarësh policish në këto 3 qytete është justifikuar me përmirëismin e strukturave policore vendore.

Atentati ndaj Zef dhe Gjin Gurit, shkak shfrytëzimi i pyjeve, në kërkim i afërmi
Policia e Shkodrës ka raportuar publikisht për atentatin e ndodhur pasditen e së mërkurës në aksin rrugor Kir-Mali i Shoshit, ku mbeti i vrarë 73-vjeçari Zef Gega, ndërsa mbeti i plagosur i biri Gjin Guri, 43 vjeç. Drejtori i Policisë së Shkodrës, Ervin Hodaj bëri me dije se grupi hetimor konsideron si autor të dyshuar të këtij krimi shtetasin Gjovalin Guri, i cili është nipi i viktimës dhe kushëri i të plagosurit. Për këtë krim, Policia e Shkodrës konsideron si motiv konfliktin për shfrytëzimin e sipërfaqeve pyjore rreth zonës ku ka ndodhur krimi. Duket se deri në këtë pikë ka pasur dhe kërcënime e kanosje me palëve. Aktualisht, Gjovalin Guri po kërkohet nga forcat RENEA dhe Njësia Alpine, pasi terreni malor ka penguar dislokimin e një numri të madh forcash policore. Policia ngriti si pistë hetimore dhe të kaluarën problematike të Gjin Gurit, por duket se ky variant ka rënë.about:blank

Raportimi i Policisë së Shkodrës për ngjarjen e së mërkurës
“Për ngjarjen e ndodhur më datë 27.09.2023, rreth orës 18:20, në aksin rrugor Kir-mali i Shoshit, ku u vra me armë zjarri shtetasi Z. G., 73 vjeç dhe u plagos rëndë djali i tij, shtetasi Gj. G., të cilët po udhëtonin me një kamionçinë në drejtim të Shkodrës, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, kreu një sërë veprimesh në funksion të zbardhjes së ngjarjes. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se autor i kësaj ngjarjeje është shtetasi Gj. G., i cili është shpallur në kërkim nga DVP Shkodër edhe për vepra të tjera penale. Motivet e kësaj ngjarjeje dyshohet të jenë konfliktet dhe kanosjet e vazhdueshme me palën e dëmtuar, për shkak të zaptimit dhe shfrytëzimit të hapësirave dhe sipërfaqeve pyjore në zonë. Për kapjen e shtetasit Gj. G., janë angazhuar strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Reparti Special ‘RENEA’ dhe Njësia Alpine”, bëri me dije Drejtori i Policisë së Shkodrës, Ervin Hodaj gjatë një deklarate për shtyp.

Scroll to Top