JiL.al - Jeto i Lumtur

Vdekja e 3-vjeçarit Brian Spahiu, del kartela mjekësor

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Vdekja tronditëse e vogëlushit Brian Spahiu ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Tiranës. Nëpërmjet një njoftimi të djeshëm, organi i akuzës bëri me dije se ka nisur procedimin penal ndaj mjekut anestezist Roland Xhaxho dhe të bijës dentiste, Ina Xhaxho, e cila zotëron një klinikë dentare, ku u trajtua  i ndjeri. Ndaj tyre është hapur hetimi për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”. Po ashtu, Prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e kamerave të sigurisë të klinikës ku u trajtua Brian Spahiu. Nga ana tjetër, në media ka qarkulluar dhe kallëzimi i prindërve të Brian Spahiut në Prokurorinë e Tiranës. I ati i vogëlushit, Bledar Spahiu përgënjeshtroi mjekun Roland Xhaxho, i cili deklaroi se fëmija vuante nga probleme në zemër dhe se nuk është kontaktuar nga vetë prindërit e tij. I ati i të ndjerit publikoi mesazhet në “Whatsapp” ku i kërkonte Xhaxhos të përgjigjej urgjentisht, pasi gjendja shëndetësore e të birit ishte përkeqësuar. Mjeku i njohur anestezist nuk i është përgjigj as me mesazhe, as me thirrje telefonike. Familja e 3-vjeçarit akuzon mjekun Xhaxho dhe të bijën dentiste për neglizhim mjekimi ndaj fëmijës së tyre, duke i dhënë sasi të tepërt narkoze për pastrimin e 14 dhëmbëve, çka sipas mjekëve të Reanimacionit të Pediatrisë në Spitalin “Nënë Tereza” shkaktoi helmimin e mëlçisë së fëmijës me pasojë vdekjen e tij. Brian Spahiu iu dërgua për kurim të dhëmbëve në klinikën e Ina Xhaxhos në 28 shtatorë, ndërsa vdiq në spital në 1 tetor.

I ati i Brian Spahiut demaskon mjekun, Xhaxho nuk iu përgjigj
Për pretendimet e mjekut Roland Xhaxho se nuk është telefonuar nga familja e Brian Spahiut pasi 3-vjeçarin e dërguan me urgjencë në reanimacion, i ati i të ndjerit publikoi për mediat mesazhet e fundit me Xhaxhon, ku i këmbëngul të përgjigjet urgjentisht. “Hap telefonin se e kemi çuar Brianin në reanimacion. Më merr urgjent mbrapsht, se i ndodhi gjë çunit mos të kemi llafe”. Këto mesazhe janë dërguar në 23:44 dhe 23:45 të datës 28 shtator, pra të njëjtën ditë kur Brian Spahiu u mbajt për mbi 4 orë për demineralizim të 14 dhëmbëve. Për pretendimin e mjekut anestezist se Briani vuante nga probleme shëndetësore në zemër, i ati i tij nxori dhe verifikimin e mjekut kardio-pediatër Albert Koja, i cili miratonte ndërhyrjen dentare për rregullimin e dhëmbëve. Ky i fundit nuk u përgjigj interesimit për ngjarjen nga “Report TV”. Përveç këtyre materialeve, është publikuar dhe analiza e dhëmbëve të vogëlushit, të kryera nga dentistja Ina Xhaxho. Në to konstatohet trajtimi i 14 dhëmbëve të fëmijës.

Doktori Xhaxho: Fëmija mund të ketë patur sindromë metabolike
Vetë mjeku i akuzuar dhe kallëzuar nga familja Spahiu, Roland Xhaxho mohoi t’i ketë dhënë anestezi të tepërt vogëlushit 3-vjeçar Brian Spahiu. Ai deklaroi gjithashtu se përkeqësimi i shëndetit deri në vdekje të fëmijës mund të jetë shkaktuar nga një sindromë metabolike, por përgjigjen përfundimtare ia la ekspertizës mjeko-ligjore. “Kam ndërhyrë me anestezi të përgjithshme. Fëmija ka lindur me një defekt në zemër. Rekomandimi është evidentimi i çdo vatre infeksioni që ka në këto fëmijë, këta me rekomandime të mjekëve të tjerë…Nuk ka të bëjë fare me narkozën. Sipas analizave, niveli i glukozës ishte zero. Kur digjen yndyrat lënë gjurmët në gjak. Për mua besoj se do të jetë një sindromë metabolike nga mungesa e ndonjë enzime, të shikojmë se si do të dalin ekzaminimet”, tha Xhaxho.

Denoncimi i prindërve të Brianit: Xhaxho na dha ilaçin algofren
Në kallëzimin e siguruar nga “Report TV”, prindërit e Brian Spahiut tregojnë se pas operimit, doktori Roland Xhaxho i siguroi se fëmijës do t’i dilte shpejt narkoze dhe u kërkoi të merrnin ilaçin algofren. “Për këtë gjë kemi vënë në dijeni doktorin Roland Xhaxho i cili bëri dhe ndërhyrjen. Kurse ai na është përgjigjur se djali është në rregull ‘merreni në shtëpi, sa t’i dalë narkoza’. Ndërkohë na ka dhënë dhe një recete me ilaçe (algofren) për qetësim dhe ne ashtu bëmë morëm dhe shkuam ne shtëpi siç na ka thënë doktori”, thuhet në kallëzim.

Denoncimi: Xhaxho u frikësua në spital kur Briani u bë keq
1 ditë pasi u soll në Reanimacionin e Pediatrisë të Spitalit “Nënë Tereza”, Brian Spahiu ka qëndruar ende në koha i intubuar, ndërsa u shfaq mjeku Roland Xhaxho. Edhe pse këmbëngulte në sy të prindërve të vogëlushit se gjendja e tij do të përmirësohej, në momentin që vogëlushi kaloi në gjendje të rëndë, prindërit e Brianit shprehen se Xhaxho u frikësua. Më pas, i ati akuzoi Xhaxhon se i ka dhënë narkozë të tepërt. Në këtë moment, mjekët e tjerë të pediatrisë u kanë bërë me dije 2 prindërve të Brianit se fëmija kishte pësuar shkatërrim të mëlçisë nga narkoza e madhe. “Në datë 29.09.2023 në mëngjes gjendja e djalit ka qenë po ajo, gjendje kome në intubim në gjendje të rëndë ku rreth orës 12:00 ka ardhur aty në spital dhe mjeku Roland Xhaxho, i cili kishte bërë ndërhyrjen në spitalin privat dhe vazhdonte duke na thënë se do të përmirësohet. Kur ka parë gjendjen e djalit e cila ishte e rëndë dhe nuk po ndryshonte dhe ai vetë, doktor Rolandi u frikësua. Por, dhe vetë unë në sytë e gjithë stafit që ndiqte rastin e djalit i kam thënë doktorit Roland Xhaxho se gjithë faji është i yti, pasi i keni dhënë dozë të mbingarkuar narkoze kur i keni bërë ndërhyrjen, gjë të cilën gjithë stafi i mjekëve të pediatrisë më shikonin njëri-tjetrin dhe mua në sy. Mjekët aty me thoshin se i është dëmtuar mëlçia djalit të vogël dhe i ka dalë jashtë funksionit”, shkruhet më tej në kallëzim.

Babai i Brianit: Im bir nuk ka pasur probleme në zemër, Xhaxho e pa vetë
Për “Report TV” reagoi i ati i Brian Spahiut. Ai akuzoi mjekun Roland Xhaxho se ka qenë në dijeni që i biri nuk ka pasur probleme me zemrën, madje e ka konstatuar vetë një gjë të tillë. Po ashtu, i ati i 3-vjeçarit akuzoi si papërgjegjshmëri totale nga ana e mjekut anestezist dhe dentistet trajtimin dentar të 14 dhëmbëve të djalit të tij. “Mua më vjen shumë keq pse nuk i përmendin këto dhe kapen te pjesa e zemrës, se ai (mjeku Roland Xhaxho) ka ardhur atë ditë atje dhe ka parë gjendjen e zemrës. Nëse çuni do kishte probleme unë, s’do e çoja fare. Një fëmijë 3-vjeçar t’i bësh 14 dhëmbë, 14 dhëmbë nuk do i bëja unë. Te kartela e ka nxjerrë 14 dhëmbë mbushje, me 50 mijë lekë bëjnë 700 mijë lekë”, tha Bledar Spahiu, i ati i Brian Spahiut.

Scroll to Top