Tmerr në Palestinë, mbi 500 njerëz kanë vdekur sot nga një sulm bombardues izraelit.
Ministria e Shëndetësisë e Palestinës tha se Ushtria e Izraelit ka bombarduar një spital në Qytetin e Gazës, i cili ishte i mbushur me të plagosur dhe me palestinezë të tjerë që po kërkonin strehim, duke i vrarë qindra prej tyre, raporton noa.al duke cituar Associated Press (AP).
Ky është sulmi dukshëm më vdekjeprurës ajror nga Izraeli në pesë luftërat e deritanishme mes Izraelit dhe Hamasit që nga viti 2008.
Në imazhet e publikuara në rrjetet sociale shihet zjarr i madh në dhomat e Spitalit al-Ahli, xhama të thyer dhe copa të trupave të njerëzve nëpër zonë.
Ministria e Shëndetësisë tha më herët sot se numri i njerëzve të vrarë në 11 ditët e bombardimeve dhe sulmeve ajrore izraelite ka arritur në 3,000 ndërsa 12,500 njerëz janë të plagosur.
Shumë spitale në Qytetin Gaza janë shndërruar në kampe refugjatësh për qindra njerëz, të cilët shpresojnë se Izraeli do t’i kursejë nga bombardimet, pasi i kishte urdhëruar të gjithë banorët e këtij qyteti dhe zonave përreth të largoheshin në drejtim të pjesës jugore të Rripit të Gazës.