Félix Verdejo, boksieri profesionist i njohur dikur si e ardhmja e boksit portorikan u dënua me dy burgime të përjetshme pasi u shpall fajtor për vrasjen e tmerrshme të të dashurës së tij 27-vjeçare shtatzënë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në vitin 2021 teksa së fundmi ish-boksieri mori dënimin nga gjykata.
Verdejo ishte shpallur fajtor në korrik për rrëmbim që çoi në vdekje dhe për vrasjen e një fëmije të palindur.
Gjatë gjyqit në fillim të këtij viti, Luis Antonio Cádiz, një mik i Verdejos i akuzuar gjithashtu për këtë rast, tha se ish-boksieri i kishte bërë presion të dashurës, Rodríguez që të bënte një abort. Ai dëshmoi gjithashtu se ditën që Verdejo vrau Rodríguez, ish-boksieri e goditi me grusht dhe i injektoi një substancë toksike përpara se t’i lidhnin gjymtyrët e saj në një bllok çimentoje dhe ta hidhnin nga një urë në lagunë në mes të ditës. Cádiz më vonë thirri 911 në mënyrë anonime dhe dha vendndodhjen e trupit të Rodríguez.
Autopsia zbuloi se në trupin e viktimës ishte injektuar fentanil dhe xylazine, një qetësues që përdoret për kafshët, përfshirë kuajt. Kujtojmë që boksieri Verdejo ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Londrës 2012 dhe u bë boksier profesionist atë vit. Ai fitoi 23 ndeshjet e tij të para radhazi dhe u fut në skeda nga disa botime, duke përfshirë Guardian, si një pasardhës i mundshëm i Miguel Cotto dhe Felix Trinidad në radhën e gjatë të superyjeve të boksit porto-rikanë. Ai e përfundoi karrierën e tij në kategorinë e peshave të lehta me një rekord 27-2, me 17 nokaut.