Blendi Fevziu e konsideron të pakuptimtë, bllokimin që mazhoranca po u bën komisioneve hetimore që ka kërkuar opozita.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Fevziu deklaroi se komisionet hetimore që ka kërkuar opozita janë normale dhe një nga të drejtat që ka pakica, ndaj e sheh si të pakuptimtë bllokimin e tyre. Ndërsa aksionin e opozitës për të kundërshtuar këtë shkelje të të drejtave të tyre, e konsideron si të vetmen rrugë që u ka mbetur.
Ylli Rakipi: Pse mendoni se mazhoranca po i pengon komisionet hetimore? Kanë frikë apo çfarë?
Blendi Fevziu: Opozita ka të drejtë absolute për komisionet hetimore. Patjetër që duhet të lejohen.
Ylli Rakipi: Përshembull udhëtimet me avion, Porti i Durrësit… Atëherë kanë frikë këta?
Blendi Fevziu: Po të ishte për frikë, ishte komisioni për inceneratorët. Është taktikë politike, por nuk mund të përdorësh taktika të tilla duke shkelur ligjin. Opozitës i duhen dhënë të gjitha komisionet. Kjo është pa sens, patjetër të marrin komision hetimor. Çfarë problemi ka që opozita heton? Çfarë i mbetet tjetër opozitës nëse nuk ka as komisione hetimore?