Fragmente të përzgjedhura
Ekzistojnë pesë a gjashtë sekonda, në të cilët, ti krejt papritur ndjen se ke arritur harmoninë e përjetshme. Nuk ka asgjë tokësore brenda tyre dhe me këtë nuk dua të them se janë sekonda parajse, por në gjendjen tokësore njeriu e ka të vështirë t’i durojë ato sekonda. Ose duhet të shndërrohesh fizikisht, ose duhet të vdesësh. Ndjesia është e kthjellët dhe e pakundërshtueshme. Të duket se krejt papritur e ndjen gjithë natyrën dhe thua: Po, kjo është e vërtetë..!
Zoti, kur krijoi botën, në fund të çdo dite thoshte: Po, kjo është e vërteta. Kjo është e mira.
Kjo nuk është zemërbutësi, ky është gëzim. Ti nuk fal asgjë sepse nuk ka asgjë për t’u falur. Ti nuk dashuron sepse gjithçka është më e lartë se dashuria.
E frikshmja është se gjithçka është kaq e kthjellët dhe ka kaq shumë gëzim. Po të zgjaste më shumë se pesë sekonda, shpirti nuk do ta duronte dhe do të zhdukej.
Në ata pesë sekonda, unë jetoj jetën time dhe do ta jepja gjithë jetën për ata pesë sekonda, sepse ia vlen ta japësh jetën për to.
Po të zgjaste dhjetë sekonda, njeriut do t’i duhej medoemos të shndërrohej fizikisht.
Fyodor Dostoevsky shkëputur nga “Djajtë”