TIRANË- Shtyhet sërish seanca për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin.
Shkak për shtyrjen e seancës, është bërë mungesa e dëshmitarit Avdyl Rama, i cili është vëllai i dëshmitarit bashkëpunëtor Arsen Rama. Në seancë pati një moment tensioni mes prokurores Dorina Bejko dhe mbrojtjes.
Beleri tha se prokuroria nuk paraqiti asnjë provë qe dëshmitari bashkëpunëtor Arsen Rama të jetë i besueshëm.
Fredi Beleri në Gjykatë: Keni shkelur Kushtetutën me dëshmitarin Arsen Rama. Keni ndikuar ju si kryesues. Pse u bë seanca me dyer të mbyllura. Ajo që i ka ndodhur me automjetin nuk do të thotë se i rrezikohet jeta. Dëmtimi i automjetit është bërë nga persona të tjerë që nuk kanë lidhje me mua. Në seancën e kaluar prokuroria nuk u shqetësua që dëshmitari gënjeu. Ai (Arsen Rama) nuk ka mundësuar që ne të pyesim e të marrim përgjigje të sakta. Ju si kryesues nuk keni mbajtur qëndrim të drejtë gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Arsen Rama.
Erion Çela, kryesues i trupës gjykuese: Avdyl Rama, vëllai i Arsen Ramës ndodhet jashtë shtetit. Sipas sistemit TIMS dhe sipas familjarëve të tij ndodhet jashtë shtetit
Prokurorja Dorina Bejko: Në TIMS Avdyl Rama rezulton se ka dalë jashtë shtetit më datë 27/11/2023. Konstatohet se prezent në sallë janë dëshmitarët e kërkuar nga mbrojtja.
Avokati Edmond Dema: Heqim dorë nga dëshmia e dëshmitarëve Marin Suli e Vangjel Dule sepse nuk kanë lidhje me çështjen (Pranohet nga togat e zeza).
Të dyja palët i kërkojnë gjykatës të vijojnë kërkimet për Avdyl Ramën. Ky i fundit është vëllai i Arsen Ramës, bashkëpunëtorit të drejtësisë. Avdyli u thirr në proces për shkak se u përmend në gjykatë për shkak të polemikave që janë krijuar rreth deklarimeve të përfolura mediatike të tij. Avokati i Belerit solli dhe indicie në gjykatë ku deklaroi se Avdyl Rama ka deklaruar një adresë banimi në “lagjen e re” në Vlorë, dhe publikon foto në rrjetet sociale nga ky qytet.