JiL.al - Jeto i Lumtur

“Përplasi kokën në mur”/ Tre vjeçari gjakoset në kopsht,

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

KAMËZ-Edukatorja është shprehur se fëmija e ka çarë kokën në mur duke luajtur, prindërit nuk e besojnë këtë version. Kërkojnë kamerat e institucionit, por pikërisht atë ditë nuk kanë regjistruar.

Emisioni “Fiks Fare” solli rastin e një fëmije 3 vjeç, i cili është çarë në kokë në një kopsht shtetëror “Bota e Luleve” në Kamëz. Për ngjarjen, përveç prindërve, asnjë institucion tjetër nuk është vënë në dijeni, ndërkohë që ligji shprehet ndryshe.

E ëma e 3-vjeçarit fajëson edukatoren për ngjarjen. “Fëmijën e gjeta të gjakosur në kokë dhe të lagur të gjithin, kur pyeta edukatoren çfarë ndodhi ajo më tha mos më fajëso se do lajmërojë policinë”, thotë Lindita Shira.

Ndërkohë, sapo është njoftuar më telefon nga kopshti, Lindita është paraqitur menjëherë dhe e ka marrë të voglin e ka çuar për mjekim në poliklinikën e Kamzës. Sipas mjekëve, fëmija kishte nevojë edhe për qepje në kokë, por nuk i është bërë për mos t’i shkaktuar traumë.

Lindita thotë se ka shkuar e ka kërkuar të hapen kamerat, por i është thënë që kamerat atë ditë nuk kanë punuar, ndaj nuk kanë fakte. “Unë kërkova kamerat, por më thanë nuk kanë punuar, fëmijën e çova vetë dhe e mjekova nuk më shoqëroi askush nga kopshti dhe as nuk lajmëruan askënd”, tregon Shira.

Ajo thotë se djali nga ai moment trembet natën, është agresiv dhe nuk do të shkojë në kopsht. Në këto kushte, prindërit i kanë ndryshuar grupin.

Ajo i është drejtuar “Fiks Fare”, pasi kërkon të dijë të vërtetën e historisë, se çfarë ka ndodhur me djalin e saj në 17 maj, pasi nuk ka asnjë informacion mbi kallëzimin që ka bërë.

Fiksi solli dëshmitë e drejtoreshës së kopshtit, Adelina Keçit dhe edukatores Brishida Rama, të cilat thonë se fëmija u dëmtua nga tërheqja e një lodre nga duart e shokut, dhe me kokë u godit në mur. Drejtoresha tregon se ka lajmëruar prindërit, por nuk ka lajmëruar institucione të tj era edhe pse e ka detyrim ligjor.

“Nuk kanë funksionuar kamerat, nuk e dija që nuk punojnë, ky është faji im”, thotë drejtoresha.

Ndërkohë edukatorja tregon se fëmija e goditi kokën në mur, ajo ia ka tamponuar plagën me alkool, por aq mund të bënte. “Nuk e ndjej veten fajtore sepse po merresha me një fëmijë tjetër“, thotë Brishida.

Fiksi solli edhe dëshminë e infermierit që mjekoi fëmijën i cili tregon se e mban mend rastin, madje kishte nevojë për qepje. Por as infermieri nuk e lajmëroi policinë edhe pse e ka detyrim ligjor. Për këtë fakt, drejtoresha e poliklinikës Kamëz, Meriban Zela, thotë se është shkelje ligjore nga personeli mjekësor dhe për këtë do merren masa.

Edhe pse kanë kaluar 7 muaj nga kallëzimi, familjarët nuk kanë marrë asnjë përgjigje, e vetmja përgjigje nga Oficeri i Policisë Gjyqësore ishte se çështja është në hetim në prokurori dhe se nga prokurori nuk është kërkuar asnjë veprim tjetër, përveç deklaratave që janë depozituar në fillim.

Fiksi kërkoi një informacion në lidhje me këtë çështje dhe prokurori e ka një përgjigje. Ai pohon se ka vendosur mosfillimin e procedimit penal që në 19 qershor 2023, me pak se 20 ditë nga data e kallëzimit.

Pra, prokuroria vendosi nëse kishte vepër penale apo jo pa parë dokumentet në poliklinikë, pa u bërë akt ekspertimi mjekoligjor dhe pa marrë në pyetje asnjë nga aktorët e përfshirë. Edhe institucionet që dinin ngjarjen heshtën./ Marre Top Channel

Scroll to Top