Një emigrant shqiptar hedh në gjyq qeverinë britanike

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Një i ri me origjinë shqiptare rreth të 20-ave ka hapur një çështje gjyqësore kundër qeverisë britanike.

Sipas mediave britanike, ai thotë se atij iu mohua e drejta për të qëndruar në Britani për më shumë se një vit si rezultat i “politikës së fshehtë dhe të paligjshme”.

I riu shqiptar pretendon se mohimi i së drejtës për të qëndruar në Britaninë e Madhe, shkeli të drejtat e tij njerëzore dhe ai kërkon dëmshpërblim.

Një avokat që drejton ekipin ligjor të Home Office i tha gjyqtarit se çështja ishte “vonesa” dhe jo politika “sekrete”.

“Ky rast ka të bëjë me vonesë. Nuk bëhet fjalë për politika sekrete apo të pa publikuara”, tha ai.

Avokatët që përfaqësojnë azilkërkuesin shqiptar, i cili po mbështetet nga organizta “Asylum Aid”, i kanë thënë gjyqtarit se ka një “keqpërdorim serioz të pushtetit” në Britani.

“Ky pretendim ekspozon një keqpërdorim serioz të pushtetit”, i thanë avokatët Chris Buttler KC dhe Zoe McCallum gjykatësit.

Ata thanë se ekzistonte një politikë që u jepte viktimave të skllavërisë moderne leje për të qëndruar në Britani, në përputhje me një Konventë Evropiane Kundër Trafikimit.

Dy avokatët thanë se në tetor të vitit 2021, vendimi i një gjyqtari të Gjykatës së Lartë kërkonte që Zyra e Brendshme t’u jepte viktimave të skllavërisë moderne leje për të qëndruar aty ku kishin një kërkesë në pritje për azil.

Ata pretendojnë se ka pasur një “politikë të brendshme sekrete” që u thoshte zyrtarëve të mos jepnin të drejtën e lejes, gjatë kohës kur Priti Patel dhe Suella Braverman ishin në detyrë.

Nga ana tjetër, avokatët e qeverisë kundërshtojnë pretendimet.

Qindra viktima trafikimi që përpiqen të fillojnë jetë të reja në Britani kanë vuajtur si rezultat i një “politike të brendshme sekrete” të drejtuar nga dy sekretare të Brendshme, ka pretenduar organizata gjatë një seance dëgjimore në Gjykatën e Lartë.

Jashtë gjykatës, një zëdhënëse e “Asylum Aid” tha se provat ishin mbledhur nga dokumentet e zbuluara gjatë procesit gjyqësor.

Cathryn McGahey KC, e cila drejton ekipin ligjor të Home Office, tha: Ky rast ka të bëjë me vonesë. Nuk bëhet fjalë për politika sekrete apo të papublikuara.

McGahey shtoi se shqiptari nuk kishte pësuar “ndonjë dëm të rëndësishëm si pasojë e pauzës në vendimmarrje”.

Ajo tha se ai kishte vazhduar të merrte “mbështetje shtetërore në formën e strehimit, arsimit, kujdesit mjekësor dhe përfitimeve shtetërore”, ndërsa i kërkoi gjykatësit që kërkesa e tij të hidhej poshtë.

“Asylum Aid” tha se nga fillimi i vitit 2022 deri në prill të 2023-shit, Home Office operoi një “politikë sekrete” për të penguar të drejtën për të qëndruar të paktën 1,600 viktimave të trafikimit dhe skllavërisë moderne.

Scroll to Top