Gjykata e Sarandës ka marrë sot vendimin për grupin e maskave ku si pasojë kanë goditur me armë një 42-vjeçar. Me një vendim të disa ditëve më parë, Gjykata ka dënuar Enrik Prodën me 5 vjet e 4 muaj burg, Armando Hakon me 4 vjet burg, Klajdi Muçajn me 4 muaj burg me kusht dhe Sinan Prodën me 6 muaj burg me kusht. Prokuroria e Sarandës ka zhvilluar një hetim të plotë të rastit, duke zbuluar përmes kqyrjes së aplikacioneve në celular edhe biseda kompromentuese.
Ngjarja zë fill në 12 shtator 2022, kur në spitalin e Sarandës është paraqitur për ndihmë mjekësore Elidjan Kushova, 42 vjeç. Atë ditë, ai bashkë me bashkëshorten e tij, dy fëmijët, tezen dhe dajën e tij, kanë qenë të ulur në një tavolinë te lokal “S…” i cili ndodhet në lagjen nr.4 Sarandë, kur ka parë që drejt tij kanë shkuar 4 ose 5 persona të cilët ishin të veshur me të zeza, me kapuç dhe me kapele dhe në duar mbanin sende si leva, dorezë hekuri dhe njëri prej tyre ka patur edhe një armë. Ai deklaroi për policinë se ka dalë para fëmijëve dhe njëri prej personave e ka goditur në kokë me dorezë metalike ose me tytën e pistoletës.
Policia këqyri pamjet filmike të lokalit ku konstatoi se “në ambientet e parkingut afrohet një makinë me targa të huaja BI0009AB me ngjyrë të errët nga e cila zbresin katër persona të veshur me të zeza, kapuç dhe kapele të cilët mbajnë në duar sende të forta dhe njëri prej ty mban një send si armë te tipit pistoletë. Këta shtetas afrohen te tavolina tek e cila ndodhet i ulur Kushova së bashku me familjarë dhe dy fëmijët e mitur dhe e godasin me sende të forta e largohen”.
Pas disa ditë hetimesh dhe këqyrjesh pamjesh filmike në zona të ndryshme të Sarandës, policia arrestoi Enrik Prodën, 30 vjeç, Armando Hakon, 41 vjeç, i dënuar më parë për “vjedhje me armë” dhe Sinan Prodën, 58 vjeç, i dënuar më parë për “vrasje”. Kontrollet personale dhe të banesave të tyre zbuluan shumë sende të paligjshme si 210 gram marijuanë, 9 fishekë, 1 përforcues grushti, 1 shkop metalik, 1 jelek multifunksional, 2 maska, 3 palë doreza, 3 targa makinash dhe 1 targë motori, 2 thika, 1 aparat bllokimi valësh, 7 celularë, 10 karta SIM shqiptare dhe greke, 1 peshore elektronike, 2463 euro dhe 20.410 lekë të reja.
Siç u zbulua nga hetimet, ditën e ngjarjes, pak minuta para të ndodhi ngjarja në pamje filmike shfaqet automjeti tip Ford Fiesta me targa me nr AB927FV, ngjyrë gri, i cili vazhdon drejtimin për në parkimin mbrapa “Vila A….” apartaments, vend në të cilin ndodhet i parkuar edhe mjeti tip “Nissan” me targa të huaja BI0009AB, ngjyrë gri. Nga ky automjet del një person i identifikuar nga ana e policisë, i cili afrohet te automjeti tip “Nisan” dhe hap automjetin me pult, ku futet brenda këtij automjeti dhe nga automjeti tip “Ford Fiesta” me targë AB927FV, zbresin dhe tre persona të tjerë të cilët futen në automjetin tip Nisan me targë BI0009AB. Nga këqyrja e pamjeve filmike të disa bizneseve private është filmuar automjeti me targ BI0009AB deri në momentin kur shkon tek lokal “S..”.
Ky automjet afrohet nga parkingu për në daljen e Beach Bar “S…”. Në orën 21:33:19, shfaqen 3 persona të paidentifikuar të cilët zbresin nga automjeti tip “Nissan” me targa të huaja BI0009AB dhe janë të veshur me rroba me ngjyrë të zeza, me kapuç dhe me kapele dhe mbajnë në duar sende të forta ku njëri prej tyre mban në duar një send në dukej armë zjarri e llojit pistoletë. Pas pak shfaqet dhe personi i katërt i paidentifikuar i cili zbret nga automjeti tip “Nissan” me targa të huaja BI0009AB, i veshur me rroba me ngjyrë të zezë me kapuç dhe kapele dhe mban në dorë një send të fortë. Në orën 21:33:28 në kamerën 02 shfaqet njëri nga personat i cili është i veshur i gjithi me rroba të zeza kapuç dhe kapele me një stem të bardhë dhe në dorë mban një send në dukje një armë zjarri pistoletë.
Pasi ndodh plagosja e Kushovës, policia i ka ndjekur me kamera automjetet edhe pas ku ka arritur të identifikojë dy nga autorët. Madje të nesërmen e ngjarjes, mjetit tip “Nissan” i janë ndryshuar targat në BKE 1694. Ky mjet nuk është arritur të gjendet kurrë nga policia. Nga këqyrja e pamjeve filmike ka rezultuar se mjeti është marrë nga Sinan Proda, babai i Enrik Prodës. Nga këqyrja e të dhënave nga sistemi TIMS për automjetin me targa BKE 1694 (targë e ndryshuar pasi e para ishte B10009AB), ka rezultuar e provuar se ka hyrje për herë të fundit në territorin e Republikës së Shqipërisë në datën 27.08.2022 me drejtues shtetasin grek Dimitrios Karagiannidis dhe nuk ka dalje pas kësaj date.
Gjithashtu rezulton e provuar nga këqyrja e sistemit TIMS se shtetasi Dimitrios Karagiannidis nuk ka qenë në Shqipëri në datën 15.09.2022 kur është pretenduar nga të pandehurit se automjetin erdhi e mori pronari. Në deklarimin e tij, Sinan Proda, ka deklaruar se makinën do e çonte në një servis ku do e merrte pronari, por rrugës i ka dal një person i panjohur dhe i ka thënë që është pronari dhe i pandehuri ja ka dhënë. Sic ka rezultuar e provuar pronari nuk ka qenë në Shqipëri dhe automjetin i pandehuri nuk do ja jepte një personi të panjohur që i ka prerë rrugën.
Si dy nga autorët e plagosjes së Kushovës, policia arrestoi Armando Hakon dhe Enrik Prodën, ndërsa babai këtij të fundit Sinan Proda, u akuzua për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Por prokuroria nuk është mjaftuar me kaq. Këqyrja e një prej telefonave të sekuestruar, ka provuar se një prej të pandehurve ka vendosur disa shtetas, një prej të cilëve Klajdi Muçaj, që të mbanin në vëzhgim viktimën me qëllim kryerjen e sulmit ndaj tij. Nga kqyrja kanë rezultuar biseda në aplikacionin ”SIGNAL”, konkretisht me numrat +447* të regjistruar me emrin “Lala”, me numrin 069* të regjistruar me emrin Erisaldo Kuqo (nga të dhënat e administruara nga kompania Vodafone ky numër rezulton i regjistruar në emër të shtetasit polak Tomasz Fiuk), me numrin +79* regjistruar me emrin “Horse”, bisedën me numrin +4474* regjistruar me emrin “Hroë” ku ky person i sjell një automjet duke i shprehur që ta pastrojë mirë makinën që mos të ngelen gjurmë, biseda me numrin 069**** regjistruar me emrin ”Klajdi i Xikes” rezulton i regjistruar në emrin e të pandehurit Klajdi Muçaj. Nga këto biseda rezulton se këta shtetas që prej muajit gusht kanë biseda për mbajtjen nën vëzhgim, ndjekjen me qëllim kryerjen e veprës penale për sulmin ndaj viktimës Elidjan Kushova.
Në përfundim të procesit, Gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Enrik Proda për veprat penale ”Plagosja e lehtë me dashje”, ”Prodhim dhe shitje narkotikësh”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe dënimin e tij me 8 vjet burgim, si dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimin përfundimtar me 5 vjet e 4 muaj burgim.
Gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Armando Hako për kryerjen e veprës penale të “Plagosja e lehtë me dashje” e kryer në bashkëpunim parashikuar, ”Prodhim dhe shitje narkotikësh”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe dënimin e tij me 6 vjet burgim dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimin përfundimtar me 4 vjet burgim.
Gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Klajdi Muçaj për kryerjen e veprës penale të ”Plagosja e lehtë me dashje” e kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 6 muaj burgim, në aplikim të gjykimit të shkurtuar me 4 muaj burgim, por duke pezulluar ekzekutimin e dënimit me burgim dhe vënien në provë për një periudhë prej 8 muaj me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me shërbimin e provës që mbulon vendbanimin e tij.
Gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Sinan Proda, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe dënimin e tij me 9 muaj burgim dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar dënimin e tij me 6 muaj burgim, por duke pezulluar dënimin me burgim dhë vënien e tij në provë për një periudhë prej 12 muaj, kohë gjatë së cilës duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës që mbulon vendbanimin e tij dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.
Pas një përiudhe qëndrimi në paraburgim, Enrik Proda dhe Armando Hako u lanë në “Arrest shtëpie” nga Gjykata e Sarandës, ndërsa Klajdi Mucaj dhe Sinan Proda janë gjykuar në gjendje të lirë. Aktualisht Enrik Proda ndodhet ne qeli pasi e theu masën “Arrest në shtëpi” dhe u kap në Qeparo në qershor të këtij viti me 9 kg marijuanë, ndërsa Hako ndodhet në “Arrest shtëpie” deri sa të marrë formë të prerë dënimi ose jo i tij nga Gjykata e Apelit.