Ministria e Brendshme e Ukrainës e shtuar kreun e Kishës Ortodokse Ruse, Patriarkun Kirill, në listën e personave në kërkim, pasi shërbimet e sigurisë e kanë akuzuar atë për nxitje të konfliktit. Patriarku Kirill është përkrahës i zëshëm i luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022. Masa është krejtësisht simbolike, pasi Patriarku Kirill është në Rusi, dhe nuk rrezikohet nga arrestimi.about:blank
Por, ky është vetëm një prej hapave të marrë nga Ukraina, e cila mëton të çrrënjosë ndikimin e klerikëve fetarë, të cilët mbajnë lidhje të ngushta me Rusinë, dhe përçajnë shoqërinë ukrainase. Besimi i krishterë ortodoks është feja dominuese në Ukrainë, dhe autoritetet ukrainase kanë hapur së fundi disa raste penale kundër klerikëve të lidhur me një degë të Kishës Ortodokse, e cila më parë ka pasur komunikim direkt me Kishën e Rusisë dhe Kirillin. Parlamenti në Kiev është duke e shqyrtuar një projektligj që ndalon veprimtarinë e asaj dege, me arsyetimin se ajo i ka humbur shumicën e famullitarëve prej nisjes së luftës.
Kisha, në anën tjetër, insiston se i ka ndërprerë të gjitha lidhjet me Moskën, në maj të vitit 2022. Patriarku Kirill i ka dënuar këto veprime dhe u ka bërë thirrje klerikëve në botë, që të veprojnë për t’i ndalur hapat e Ukrainës kundër kishës. Një zyrtar i lartë i Kishës ruse ka thënë për agjencinë ruse të lajmeve RIA, se futja e emrit të Kirillit në listën e personave të kërkuar është “hap sa qesharak, aq edhe i parashikuar”.
Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.