Pothuajse të gjitha fshatrat e njësive administrative të zonave malore të juglindjes së vendit janë të izoluara, për shkak të motit të keq dhe me dëborë.
Kalimi me vështirësi me zinxhirë bëhet vetëm në pjesën më të madhe të qendrave administrative. Më tej edhe për shkak të trashësisë se dëborës që ka shkuar deri në 50 cm është thuajse e pamundur lëvizja.
E rëndë situata paraqitet në të gjitha fshatrat e njësive administrative Dardhas, Trebinjë e Velçan në bashkinë e Pogradecit ashtu siç paraqitet e tillë edhe në fshatrat e Voskopojës, Lekasit, Vithkuqit në bashkinë e Korçës.
Situatë e rëndë për shkak të trashësisë se madhe te dëborës paraqitet në gjithë fshatrat e Devollit të Sipërm si dhe në fshatrat e njësive administrative Gorë e Moglicë të bashkisë së Maliqit.
Trashësia e dëborës ka bërë të vështirë qarkullimin e banorëve edhe në fshatrat e bashkisë së Kolonjes, aty ku ditën e djeshme në kthesën e Barmashit disa automjete janë bllokuar e është dashur ndërhyrja e mjeteve të shërbimit zjarrfikës për të bërë të mundur tërheqjen e drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve që kanë qenë në këto mjete.
Më shumë se 20 mjete borëpastruese prej më shumë se 20 orësh vazhdojnë të punojnë për të mbajtur nën kontroll kalimin e mjeteve në akset kryesore nacionale të juglindjes, përfshi këtu Kapshticë – Qafë Thanë
Rrugët e fshatrave turistik të Dardhës, Voskopojës e Vithkuqit janë të kalueshme por policia e qarkullimit rrugor u kërkojnë drejtuesve të kenë mjetet e tyre të pajisura me goma dimërore dhe zinxhirë ashtu siç u kërkohet qarkullimi me goma dimërore edhe në akse të tjera nacionale.