Ditën e sotme, Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Korçë, kanë arrestuar shtetasin me inicialet F.Sh. 24 vjeç, i cili ka humbur drejtimin e kontrollit të automjetit, pasi dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur.
Fatmirësisht, nga aksidenti nuk raportohen të dëmtuar, por vetëm dëme materiale.
Ndërkohë, DVP Korçë bën me dije se po procedohen në gjendje të lirë, 3 persona të tjerë, për vepra penale të ndryshme.
Njoftimi i DVP Korçë:
DVP Korçë/Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
-Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin F. Sh., 24 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, pasi në rrugën “Bilisht-Miras”, dyshohet se duke qenë në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, i cili ka dalë nga rruga. Nga aksidenti ka vetëm dëme materiale.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen E. L., 39 vjeçe, banuese në fshatin Këmbëthekër, pasi më datë 25.01.2024, në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, dyshohet se ka fyer dhe ka kanosur shtetasen N. Sh.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit L. Xh., 37 vjeç, banues në Maliq dhe A. X., 52 vjeç, banues në Tiranë (me detyra punonjës dhe përgjegjës të një firme për nxjerrjen, përpunimin dhe tregtimin e qymyrit bituminoz), pasi në fshatin Qinam, Ersekë, shtetasi L. Xh., dyshohet se ka shpërdoruar tokën, duke gërmuar me një automjet fadromë, pa targa, për të nxjerrë inerte për llogari të firmës ku punonin, pa dokumentacionin përkatës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti fadromë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.