Një sulm i armatosur ndodhi gjatë shërbimit të së dielës në kishën italiane “Shën Maria” në lagjen Sarıyer të Stambollit. Lidhur me incidentin, ministri i Punëve të Brendshme Ali Yerlikaya tha se një person humbi jetën pas sulmit.
Ai tha se sulmi ndodhi rreth orës 11.40 me orën lokale, kur dy persona të armatosur dhe me maska sulmuan me armë. Një hetim në shkallë të gjerë për këtë çështje dhe përpjekjet për kapjen e sulmuesve kanë nisur.
“Ne e dënojmë fuqishëm këtë sulm të poshtër”, tha ai. CNN turk tha se autorët që kryen sulmin erdhën në kishë me armë automatike.
Lidhur me sulmin, zëdhënësi i AK Partisë, Ömer Çelik tha: “Ne dënojmë fuqishëm sulmin e armatosur ndaj një qytetari tonë gjatë shërbimit në kishën Santa Maria në Sarıyer, Stamboll. Forcat tona të sigurisë po kryejnë një hetim në shkallë të gjerë për këtë çështje. Ata që kërcënojnë paqen dhe sigurinë e qytetarëve tanë nuk do t’i arrijnë kurrë qëllimet e tyre.”