JiL.al - Jeto i Lumtur

Vrasja pa autor e 17-vjeçarit në ‘97, nëna: Pas një viti e gjetëm

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Në moshën 21-vjeçare Ana ishte divorcuar dhe rriste e vetme dy fëmijët e saj. Në një moment të papritur, rigjen dashurinë me Mehmetin, djalin që shëtiste me autobus në kohën e tij të lirë. Ai vendosi që pavarësisht vështirësive, kundërshtimit të familjes e gjithçkaje tjetër, të martohej me Anën.

Pas 7 vitesh martesë, Ana sjell në jetë një djalë dhe nisin problemet e saj shëndetësore. Ajo rendit një mori operacionesh të vështira, por tragjedia e vërtetë ndodhi në vitin e trazirave, 1997. Me lot në sy, Ana rrëfen për “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan vrasjen pa autor të djalit të saj 17-vjeçar dhe kërkimet e pareshtura për trupin e tij.

Ana: Hoqa mitrën se kisha mish të huaj dhe para se të hiqja mitrën i thotë doktori burrit që “do heqim mitrën ne, por gruaja nuk do bëjë më fëmijë”. Ai tha “s’ka problem, unë kam tre, nuk kam nevojë për fëmijë”. Kaluan vitet, unë më shumë kam ndenjur nëpër spitale dhe ai e di ç’ka hequr me mua, i ka numëruar pllakat e spitalit në daç në Tiranë, në daç në Fier, kudo sepse pas heqjes së mitrës bëra operacion legenin që vura protezë, pas asaj hoqa tëmthin, pas asaj kam bërë operacion plastik këtu në Tiranë. Këto vuajtjet e spitalit i harruam. Në moshën 17-vjeçare djali im vritet. Në ’97-ën djali im është vrarë.

Ardit Gjebrea: Ishte ai viti i tmerrshëm.

Ana: Ishte gjendje e jashtëzakonshme. S’kishte as ligj, as shtet, as polici, asgjë, s’kishte asgjë atëherë. Se kush e vrau nuk e dimë, thoshin “shoqëria”, po se kush e vrau e pse ishte ngatërruar, edhe sot e kësaj dite nuk e dimë se ashtu ishte atëherë, vriteshe kot për një fjalë goje. Një vit nuk e dinim se ku ishte. Na gënjenin, na thoshin “e pamë po ikte në Itali, e pamë këtu, e pamë atje” dhe këto fjalë i nxirrnin ata që kishin bërë vrasjen që ne të çorientoheshim, mos të kërkonim dhe mos të thoshim që “kush e vrau?” Megjithatë besim s’kishim që ishte gjallë por burri bridhte nëpër morgë ku dilnin që thoshin “është një person i paidentifikuar”, aty edhe në Sarandë ka vajtur i shkreti, ka parë njerëz të vdekur që mos ishte djali.

Më në fund, shkon te varrezat e Fierit dhe u thotë atyre… “më falni, ka mundësi të më ndihmoni”, u thotë ai, “jo në radhë të parë do ju pyes keni ndonjë person të paidentifikuar këtu në varreza?” I thonë ata “po, kemi një djalë. Do më ndihmoni që ta hapim e ta shikoj sepse mua më ka vdekur një djalë, por unë nuk po e gjej, nuk di a është i gjallë, a është i vdekur, nuk di ku është”. Një vit ne ishim kështu në ankth, është gjallë, është vdekur, të paktën thoshim “ta gjej të vdekur që ku të vete ta qaj”. Pas një viti, pasi shkon e hap varrin dhe e shikon, ai kishte një shenjë se atë i thashë edhe unë kur erdhi, mos nuk ka qenë djali, “jo” tha, “pse nuk e njoh djalin unë?” Ai këtu mbrapa te floku kishte një pjesë të flokut të bardhë fare, si thinja dhe aty e kishte njohur. “E pashë”, më tha, “sa e hapa e pashë që ishte Florenci. Mbaje veten” tha, “nuk dua të qash do lajmërojmë njerëzit dhe t’i bëjmë ceremoninë se kur u vra nuk ia bëmë dot”./tvklan.al

Scroll to Top