JiL.al - Jeto i Lumtur

Ilnisa-Meriton: Të shesësh intimitetin, për çfarë?

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Nuk dua të merrem me fenomenin “Vëllai i Madh” por me fenomenin “e pse duhet të shesësh intimitetin në televizion”?

M’u duk e këndshme dhe prezencë e mirë në kast Ilnisa, madje nuk e kisha njohur më parë deri sa pashë një reportere aq origjinale të jetës ne fshat në klipin prezantues. Më pëlqeu edhe guximi i saj si “Mama Single” duke përdor një platformë super të ndjekur për të afirmuar veten si grua dhe si gazetare. Nga ana tjetër Meritoni, tërheqës , i ndjekur me programin e tij, i ndjekur edhe online.

Nuk dua të gjykoj ndjenjat që lindin në një kontekst kaq të pazakontë si televizioni, as ndjesitë e një gruaje ndaj dikujt që pëlqen dhe anasjelltas, por s’do kisha zgjedhur të jepesha kaq shpejt në një terren kaq të pasigurtë dhe sidomos pa marrë garancinë që partneri nuk po bën thjeshtë lojë…

close

volume_off

Nuk e gjykojmë dot sa e vërtetë është ndjenja, e sa i përfshirë është Meritoni, (edhe pse Ilnisa na duket e brishtë dhe romantike).

Por nëse një lidhje dashurie përdoret thjesht për të tërhequr vëmendjen e audiencës pastaj, kjo do t’i bënte shumë të kritikueshëm protagonistët. Urojmë një skenar me fund dhe vazhdim të lumtur përtej programit.

Mbase kjo është një zgjedhje që duhet mirëkuptuar, sepse në jetë zgjedhje të lehta ka plot, por nëse do mendohej pak më shumë sesa një sezon lumturie, mund edhe të jepet një shembull tjetër.

Mund të ndodhë 1 në kaq milionë raste, një dashuri e vërtetë e madhe, një histori e bukur që vazhdon edhe pas programit, që finalizohet me jetë të përbashkët apo familje e fëmijë…

Ose thjesht një romancë e bukur pa projeksione si këto më lart meqë të dy janë single, e të dy kanë fëmijë.

Jo çdokush do të hynte në Big Brother apo Love Dating Shows, për ta gjetur aty dashurinë…

Unë jo njëherë. Dashuria është diçka tjetër për mua.

Dashuritë që kërkohen dhe lindin në “laboratore që konservojnë njerëz dhe emocione njerëzore”, janë dashuri të një lloji tjetër.

Ka përjashtime dhe shëmbuj jete që kanë dëshmuar që po, me probabilitete të ulëta por mund të ndodhë….

Unë personalisht s’do hyja kurrë për të bërë show me emocionet, me çdo dramë e traumë të pashëruar të jetës, nuk do hyja për të instrumentalizuar zemrën, intimitetin dhe privatësinë time për famë. Por kjo është çështje zgjedhjeje.

Do hyja vetëm nëse do dëshmoja një model të mirë, nëse do dija të tregoja që loja në Big është si Surf-i mbi dallgë. Duhet gjithmonë të qëndrosh lart, të mbash ekuilibrin, sepse dallga të thyen brinjët nëse nuk di të gjesh anën e duhur të kreshtës!

Mund t’i vëmë emrin aventurë, mund ta përcaktojmë si nevojë për të mbushur një boshllëk, për t’u hakmarrë ndaj dikujt që na ka zhgënjyer jashtë, për të jetuar pak emocion, lumturi, adrenalinë.

Mund të bëhet për të vrarë monotoninë brenda shtëpise pa telefona e pa televizor, ku një linjë romance të bën të spikatesh, për famë e klikime, ndonjëherë edhe për dashuri.

Që të jem e sinqertë, nuk ishte e këndshme sot, kur dëgjoja në cdo rrjet social frymëmarrjen e emocionuar dhe frazat nën batanije të ciftit, që ndez imagjinatën kolektive, në ekran, në një skenë që të drejton tek skenaret Hot.

U ndjeva sikur dola vetë para të gjithëve pa asnjë shqetësim për atë që të përket ty, që është private, e shenjtë.

Meqë jam vajzë; në vënd të saj, do ia lejoja vetes të ndjeja, por do ta vija në provë raportin e do ta lija njohjen jashtë programit.

Do e gjykoja më pak veten ashtu edhe nëse do gaboja! Për një pjesë të publikut kjo skena të bën të gjykueshme dhe unë bëj pjesë në këtë kategori.

Mbase ata që hyjnë aty brenda se kanë problem këtë qasje, por një pjesë e shoqërisë tonë Po.

Është e sikletshme për audiencën të shohim mundësisht edhe aktin final të intimitetit, sado që përgjimi i jetës së tjetrit njihet si perversion i natyrës njerëzore dhe është në bazë të suksesit të një formati si ky.

Pasi gjykojmë televizionet Kombëtare për llojin e “content-it” që ofrojnë, duhet t’i vendosim një peshë përgjegjësie edhe protagonistëve aty brenda për mënyrën si luajnë dhe deri ku ekspozohen? Kjo është përgjegjësi e individëve, jo vetëm e zgjedhjeve të programacionit apo përmbajtjes qe ofron një Televizion Kombëtar ( nuk ka rëndësi logo e Televizionit).

Në këtë shkrim, ka më shumë rëndësi fenomeni, sesa termi “liria dhe të drejtat e gruas dhe burrit në kohën që jetojmë sot”.

Kur je figure televizive dhe je model në një program që e ndjekin miliona njerëz të çdo moshe, mos duhet, edhe nëse quhesh Meriton edhe nëse quhesh Ilnisa, të mendohesh dy herë deri ku është kufiri, ku instiktet komandohen nga llogjika, të mendohesh dy herë për çdo gjë që ndodh nën batanije?!

Kur je nënë dhe baba edhe pse “single” të duhet të mendosh edhe për fëmijët që të shohin! Për fëmijët e tu dhe fëmijët e të tjerëve.

Kosova censuroi BBV Kosova duke e kthyer në kanal me pin dhe për disa pretendime kishte të drejtë, ne të Shqipërisë duhet të kishim nxjerrë ndonjë mësim.

Tema e këtij opinioni është:

Pse duhet shitur intimiteti në Televizion?

Protagonistët janë shëmbulli i kësaj here, por ka dhe raste të tjera në ekran që shqetësojnë!

Ne do vazhdojmë të shkruajmë…

Të gjithë e dimë që në këto formate, vetëm një plan nuk shfaqet; shkarkimi i ujit në WC!

Lum kush di të luajë lojën duke sjellë modelin e mirë për të cilin secili në shoqëri e ka përgjegjësi serioze publike!

Televizioni konsumator “i përdor njerëzit”. Individi s’duhet të lejojë të jetë i përdorur dhe për më tepër “të vetëpërdoret”. Argëtojmë por dhe Edukojmë!

Scroll to Top