Një 75-vjeçar, banues në Rozzano, u arrestua nga karabinierët e Brescias me akuzën e pajisjes me logjistikë të një bande shqiptarësh të dedikuar për vjedhje makinash dhe grabitje vilash.
Ata kryen të paktën 16 sulme në provincat e Brescias, Bergamos, Milanos, Monzas, Brianzas, Pavias, Piacenzas dhe Reggio Emilias dhe të paktën 4 vjedhje makinash. Së bashku me 75-vjeçarin, në hetim përfunduan edhe 10 kriminelë të tjerë, të gjithë me kombësi shqiptare.
Gjashtë janë arrestuar, ndërsa 4 janë aktualisht të pagjetur. Ata akuzohen, për arsye të ndryshme dhe në bashkëpunim, për vjedhje banesash dhe makinash dhe një sërë veprash të tjera penale.
Aktualisht 75-vjeçari, D.F, ndodhet në arrest shtëpiak, duke pasur parasysh edhe moshën e tij. Ai nuk akuzohet se ka marrë pjesë në vjedhje dhe grabitje, por se ishte kujdesur për gjetjen e garazheve në të cilat do të fshiheshin makinat e vjedhura. Këto mjete përdoreshin nga hajdutët për t’u arratisur gjatë grabitjeve.
Grabitje me dhunë
Anëtarët e bandës u identifikuan pas grabitjes me dhunë të kryer në Iseo, ndaj biznesmenit 59-vjeçar Roberto Botti nga Brescia. Më 11 janar 2023, 3 persona me fytyrë të mbuluar e kanë pritur te dera e shtëpisë dhe duke e kërcënuar me armë e kanë detyruar të zbresë nga makina. Ata e goditën me tytën e armës në kokë dhe i dhunuan gruan, duke e detyruar të hapte fillimisht derën dhe më pas kasafortën për të marrë paratë dhe xhevahiret që kishte. Më pas ata u larguan me dy makina të vjedhura.
Hetimet
Hetimet e para nga policia bënë të mundur të lokalizonin një nga makinat e përdorura për arratisjen, një BMË seri 3 e pajisur me GPS. Ajo ndodhej në një garazh në Rozzano në dispozicion të 75-vjeçarit. Që nga ai moment, me përgjime mjedisore dhe telefonike dhe me analizat e kamerave të shumta, karabinierët arritën t’i atribuojnë bandës edhe 16 sulme të tjera të ndodhura midis shtatorit 2022 dhe prillit 2023. Kontrollet e garazheve dhe dhomave në dispozicion të anëtarëve të bandës kanë bërë të mundur gjetjen e levave, çekiçëve, dhe materialeve të tjera të përdorura gjatë vjedhjeve. Gjithashtu, janë sekuestruar 4 makina të mëdha dhe 4 pistoleta të vjedhura si dhe një pjesë të mallit të vjedhur.