Juli ishte mëngjesin e sotëm i ftuar në studion e “Wake Up” për të folur më shumë për eksperiencën e tij në Big Brother dhe jo vetëm.
Ke pasur mjaft komente pozitive dhe njerëz që të kanë mbështetur. Çfarë mund të thuash për këtë?
“Popullariteti si sasi nuk më bëri shumë përshtypje sepse atë e kam pasur, por këndvështrimi ndryshe po. Ajo që më gëzon është që në 20 vjet më kanë njohur 2 orë gjatë ‘prime time’ në spektakle humori, kurse tani më kanë parë në 4 muaj. U bëra shumë i njohur në këtë prizmin tjetër.”
A do të doje të riktheheshe në ekranin e Top Channel?
“Top Channel është shtëpia ime e parë mediatike, dashuria ime e parë. Një logo e madhe, një televizon ku energjia prevalon mbi çdo gjë. Dikur nuk mendonin sa do merrnim, donim vetëm të dilnim në ekran të bënim atë që donim. Ajo ka qenë kohë vizionare. Edhe humori në vetvete është kthyer në ‘fast food’, janë bërë shumë. Të gjitha emisionet e humurit që lindën më pas, dolën nga “Portokallia”. Dua të merrem me televizionin dhe dua të jem pjesë e ekranit.”
Brenda shtëpisë the se nëse do të fitoje do të bëje një fëmijë të tretë. Po tani?
“Thashë nëse do të fitoja, jo nëse jam fitues i publikut (qesh). Nuk është me plan kjo punë. Fëmija nuk është një njeri i ri që vjen në familje, ka vendin e vet. Si të jetë e shkruar, ne po punojmë (qesh).”