Merr lajme ekskluzive
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë duke klikuar kët
Nga ajo periudhë kalimtare kur gjenia e Tolstoit po hapte verbërisht rrugën e tij, dyshues ndaj vetes dhe në dukje i ligështuar, “pa pasionin e fortë, pa vullnetin që ta orientojë”, ashtu si Nehludovi te Ditari i një shënuesi, lind vepra më e kthjellët që ai ka krijuar ndonjëherë: Lumturia martesore (1859). Kjo është mrekullia e dashurisë. Për shumë vjet, Tolstoi pati marrëdhënie miqësore me familjen Bers. Ai kishte rënë në dashuri herë pas here me nënën dhe të tria vajzat e saj. Përfundimisht, zgjodhi të dytën, por nuk e pati guximin t’ia shprehte dashurinë.
Sofia Andrejevna Bers ishte ende fëmijë, shtatëmbëdhjetë vjeçe; Tolstoi ishte mbi tridhjetë dhe e quante veten një plak që nuk kishte të drejtë ta lidhte jetën e tij prej mëkatari me një vajzë të re e të dëlirë. Duroi për tre vjet. Më vonë, tek Ana Karenina, ai na tregon se si ia shprehu dashurinë Sofias dhe se si ajo iu përgjigj: të dy shkruan me shkumës germat e para të fjalëve që nuk guxonin t’i thoshin me zë të lartë. Ashtu si Levini tek Ana Karenina, ai u tregua çmendurisht i sinqertë sepse ditarin e tij intim e la në duart e së fejuarës, që ajo të mësonte të gjitha mëkatet e së kaluarës së tij; dhe Sofia, ashtu si Kiti tek Ana Karenina, vuajti pikëllueshëm. Ata u martuan më 23 shtator 1862. Në përfytyrimin e shkrimtarit, kjo martesë ishte konsumuar tre vjet më parë, në kohën kur shkruhej Lumturia martesore.
Gjatë këtyre viteve ai kishte përjetuar dhe shijuar më herët vuajtjen e ëmbël të dashurisë së pashprehur dhe ditët dehëse të dashurisë së pranuar; orën e mezipritur kur pëshpëriten fjalë hyjnore; lotët që rrjedhin “prej lumturisë që ikën përgjithmonë dhe nuk kthehet më kurrë”; realitetin triumfues të ditëve të hershme të martesës; egoizmin e të dashuruarve; “gëzimin e pashkak e të përhershëm dhe harrimin e çdo gjëje në botë”; më pas lodhja që afrohet, pakënaqësia e vagëlluar, mërzia e jetës monotone, dy shpirtra që shkëputen butësisht dhe largohen nga njëri-tjetri; magjepsja e rrezikshme e jetës mondane për nusen e re – flirtet, xhelozitë, keqkuptimet fatale, dashuri të fshehura, të humbura; dhe pas një kohe të gjatë, vjeshta e trishtë, e dhimbshme e zemrës; fytyra e rishfaqur e dashurisë, e zbehtë, e vjetruar, por më prekëse prej lotëve dhe rrudhave të shtuara; kujtimet e trazimeve, pendesa për veprimet e pamenduara si dhe për vitet e humbura; qetësia e mbrëmjes; kalimi augustian i dashurisë në miqësi dhe i pasionit dashuror në amësi…
Të gjitha këto priteshin të ndodhnin, por të gjitha këto Tolstoi i kishte ëndërruar, i kishte shijuar para kohe; dhe që t’i përjetonte edhe më gjallërisht përmes këtyre ditëve, ai ka jetuar tek ajo, tek e dashura e tij. Për herë të parë – e ndoshta të vetmen herë në gjithë krijimtarinë e tij – romanca zhdrivillohet në zemrën e një gruaje dhe rrëfehet prej saj; dhe me çfarë finese! Ç’bukuri shpirtërore e mbështjellë me një vello droje! I vetmi rast ku analiza e shkrimtarit nuk është therëse; ai nuk synon ta shpalosë të vërtetën në gjithë lakuriqësinë e saj. Të fshehtat e botës së brendshme zbulohen, ato nuk thuhen. Arti dhe zemra e Tolstoit janë të mallëngjyera. Drejtpeshim harmonik i mendimit dhe formës. Lumturia martesore ka përsosmërinë e një vepre rasiniane.
Burimi botasot.info/