Nis gjykimi në mungesë për Jemin Sherën, i akuzuar si organizator i vrasjes së Behar Sofisë, ngjarje e ndodhur në 25 shkurt të vitit 2021, në afërsi të “Piramidës” në Tiranë. Gjykata relatoi se Shera nuk është gjetur, pavarësisht kërkimeve që janë bërë nga policia.
Në banesën e Jemin Sherës në Zallherr nuk ka pasur asnjë person. Vellai i të pandehurit ka theksuar para hetuesve se nuk kishte dijeni për vendodhjen e tij.
Prokuroria kërkoi që të niste procesi në mungesë, gjë e cila u pranua nga gjykata. Emri i Jemin Sherës është regjistruar për herë të parë nga SPAK në datën 29 mars 2022, si një nga të dyshuarit e vrasjes së Behar Sofisë. SPAK relatoi në gjykatë se Shera e ka marrë porosinë nga persona ende të paidentifikuar dhe më pas ka krijuar grupin kriminal.
Ata e kanë e kanë vëzhguar Behar Sofinë për 6 muaj deri në momentin e ekzekutimit. Prokuroria tha se ka 168 prova shkresore, kërkon 16 dëshmitarë dhe po ashtu 5 bashkëpandehurit, Bujar Leza, Xhuliano Visha, Skënder Vathi, Leonard Xhixha dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Ernejt Shyti. SPAK dorëzoi në gjykatë 3 akt ekspertime telefonike të reja, që nuk ishin sjellë më herët në gjykatë.
Trupa gjykuese pranoi provat e SPAK, ndërsa avokati i Jemin Sherës tha që do të bëjnë prapësime mbi provat e prokurorisë. Seanca e radhës u la në 26 Janar ora 12:00, ku do të dëgjohen nga gjykata 5 dëshmitarët e parë.
Për katër të bashkëpandehurit e tjerë, SPAK ka kërkuar nga 30 vite burg, ndërsa për bashkëpuntorin e drejtësisë, Ernejt Shyti ka kërkuar 7 vite heqje lirie. Vendimi ende nuk është dhënë sepse nuk ka përfunduar mbrojtja.