Një grup kriminal që trafikonte kufoma njerëzish është goditur në Spanjë, teksa 4 persona kanë rënë në pranga.
Sipas mediave vendase, grupi vepronte në Valencia, ku shiste kufoma njerëzish, të nxjerra ilegalisht nga spitalet dhe shtëpitë e të moshuarve,tek universitetet për qëllime studimi.
Secila prej kufomave shitej kundrejt një shumë prej 1200 eurosh, teksa raportohet se hetimi nisi në fillim të vitit 2023, pas një ankese në polici se trupi i një pacienti të vdekur ishte hequr nga morgu i një spitali në mënyrë të parregullt nga agjencia e paditur më pas, e cila kishte falsifikuar regjistrin e vdekjeve dhe dokumentacionin që kishte dërguar në Gjendjen Civile.
Pas një sërë kontrollesh, hetuesit vërtetuan se dy punëtorë të agjencisë funerale e kishin nxjerrë trupin nga morgu për ta transferuar në një universitet, të cilit i ishte shitur për 1200 euro, në vend që ta varrosnin në vendbanimin e të ndjerit me shpenzimet komunale. Po ashtu, grupi kriminal i faturoi mbi 5000 euro një universiteti për të djegur 11 kufoma, pasi ishin studiuar. Kufomat ishin të pa regjistruara në asnjë nga faturat e lëshuara nga agjencitë funerale që operojnë në qytet.
Hetimi zbuloi gjithashtu parregullsi në djegien e kufomave të cilat, pasi u përdorën për autopsi për qëllime studimi, universitetet ia kthyen agjencisë funerale. Sipas hetuesve, punëtorët futën eshtrat në arkivolet e të vdekurve të tjerë, duke kryer djegien e kufomave të shumta në një djegie të vetme, për të kursyer kostot, të cilat në vend të kësaj u ngarkoheshin dhe faturoheshin universiteteve.
Në përfundim të operacionit u arrestuan katër persona, njëri prej të cilëve me precedentë penalë, të cilët u denoncuan për bashkim kriminal me qëllim trafikimin e kufomave.