
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, rreth orës 04:20, në derën e jashtme të oborrit të banesës së shtetases M. D. është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse, e dyshuar se është artizanale.
Megjithatë, hetimet paraprake ngrenë dyshime se shënjestra mund të ketë qenë këngëtari Jozefin Marku, i njohur me emrin Jozi.
Pas sinjalizimit, në vendngjarje u paraqitën forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët verifikuan situatën. Nga vëzhgimi fillestar u vu re se porta kishte pësuar dëmtime të lehta si rezultat i shpërthimit.
Gjatë kontrollit të zonës përreth, hetuesit gjetën disa gëzhoja të vjetra, të cilat u sekuestruan për t’u analizuar si prova materiale.
Njoftimi i policisë:
Kurbin/Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Gurëz, Fushë Kuqe.
Me marrjen e njoftimit se rreth orës 04:20, në portën e jashtme të murit rrethues të shtetases M. D, alias M. B.,në fshatin Gurëz, Fushë Kuqe, ishte hedhur një sasi e vogël lënde plasëse e dyshuar artizanale, shërbimet e Policisë shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, së bashku me grupin hetimor.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe territorit përreth, rezultoi se porta e murit rrethues të banesës ishte dëmtuar lehtë nga shpërthimi i lëndës plasëse, e dyshuar artizanale.
Në vijim të veprimeve, grupi hetimor gjeti në rrugë, në afërsi të banesës, disa gëzhoja në dukje të vjetra, të cilat u sekuestruan dhe administruan në cilësinë e provës materiale.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet e thelluara hetimore për sqarimin e rrethanave, identifikimin e autorit/ve dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.