JiL.al - Jeto i Lumtur

Droni zbulon një BMW të zezë në lumë, dyshohet se është makina

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Është gjetur në lumin Lepenc rreth 200 metra larg vendit ku ka ndodhur fatkeqësia, vetura e familjes Pacolli nga Kosova, informon KlanM.

Zhytësi i cili tentoi ta lidhë automjetin që ndodhet nën ujë në lumin Lepenc, ka arritur që ta lidhë atë në mënyrë që të fillojë tërheqja dhe nxjerrja jashtë.

Sipas pamjeve të marra me dron nga Policia e Kosovës, është konstatuar se vetura nën ujë është me ngjyrë të zezë, ndërsa pritet në çdo moment të mësohet nëse është BMW me targa të Kosovës.

Në veturën e tipit BMW e cila u aksidentua të shtunën rreth orës 15:20 në rrugën Shkup –VK Bllacë, ndodheshin katër persona, ku fatmirësisht njëri nga ta ka arritur të shpëtojë dhe aktualisht është duke u trajtuar në Spitalin “8 shtatori” në Shkup.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, njoftuan se në aksident ishin përfshirë vetura ‘Volkswagen Touran’ me targa të Shkupit i drejtuar nga B.B (64) nga Shkupi dhe një veturë të udhëtarëve ‘BMW’ me targa të Kosovës e drejtuar nga NP (60) nga Kosova, e cila pas aksidentit ka rënë në lumin Lepenc.

Kërkimet për gjetjen e tre pasagjerëve të veturës BMW, kanë nisur pasditen e së shtunës, ku përveç ekipeve të shpëtimit të Maqedonisë së Veriut, kërkimet janë duke i ndihmuar edhe pjesëtarët e FSK-së dhe disa vullnetarë.

Ndërkohë që ende po vazhdon aksioni për gjetjen e tre anëtarëve të familjes Pacolli nga Kosova, të cilët bashkë me automjetin e tyre ranë në ujërat e lumit Lepenc në rrugën Shkup–Bllacë, jozyrtarisht po qarkullojnë informacione se si mund të ketë ndodhur rasti.

Nga policia njofuan se me urdhër të prokurorisë është arrestuar shoferi 64 vjeçar nga Shkupi, i cili dyshohet se ka përplasur me veturën e tij automjetin me të cilën udhëtonin familja nga Kosova. Ndërsa nga prokuroria kanë dhënë versionin fillestar se si mund të ketë ndodhur aksidenti.

“Sipas informacioneve fillestare, aksidenti ka ndodhur kur vetura Volkswagen Touran me targa maqedonase ka tejkaluar një kolonë veturash. Në momentin kur ka arritur paralel me një veturë BMW me targa kosovare që lëvizte në të njëjtën kolonë, dy automjetet janë afruar dhe janë përplasur anash, pas së cilës vetura kosovare me katër pasagjerë ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në lumin Lepenc”, thonë Prokuroria.

Scroll to Top