Ish-kryeministri Sali Berisha duket se është me një këmbë brenda burgut. Paralajmërimin e kanë bërë ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe ish-ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Fillimisht ka qenë deputeti Xhafaj, i cili teksa ishte i ftuar në një studio televizive shprehu bindjen se rikthimi i Berishës si fillim për të marrë Kryesinë e PD-së dhe më pas futjen në zgjedhjet e 14 majit, sipas tij, ishte si një kthim në skenën e krimit. Mes të tjerash zoti Xhafaj komentoi gjuhën fyese të Berishës dhe damkën “non-grata” nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe. Sipas Xhafajt, nëse britanikët apo amerikanët do të nxirrnin çfarë kanë thënë bashkëpunëtorët e drejtësisë për ata që janë shpallur “non-grata”, do të lemeriseshin gjithë shqiptarët. “Berisha u kthye në vendin e krimit. Kur e shoh më kujton një personazh, Rrapush Xhaferin, por ai ishte burrë më i mirë se Berisha. Të paktën Rrapushi me çmendurinë e vet, jepte ca lekë e shpresë te njerëzit, kurse ky kudo që shkon mbjell të keqen. Gjuha e tij shumë fyese për inteligjencën, brezin e ri. Jemi në vitin 2023 dhe ky ka të njëjtin artikulim fyes që para 30 vjetësh. Është e paimagjinueshme të shash një njeri që deri dje e ke quajtur hero, e ardhmja e këtij vendi. Sot çfarë nuk i thotë bashkëpunëtorëve të vet. Berisha minimumi duhet të heshte, sepse deri dje ata bashkëpunëtorë i ka ngritur në piedestal. Një ditë të bukur i zhyt në baltë. Të rikthehesh pas kaq vitesh dhe të thuash unë jam e ardhmja, jam shpresa, kjo nuk shkon. Gjuha e tij është e turpshme. Merru më Edi Ramën, Erion Veliajn, Fatmir Xhafajn, Taulant Ballën, me kundërshtarët e tu politikë, por ç’punë ke ti të ngatërrohesh me familjet e tyre. Është e rëndë kur e dëgjon, fyese. Të gjithë këta që janë shpallur non-grata bëjnë një budallallëk. Nëse do i nxirrnin britanikët dhe amerikanët, çfarë kanë thënë bashkëpunëtorët e drejtësisë, në këtë vend do lemeriseshin të gjithë. Më mirë e lënë me kaq. Atyre u është vrarë shpresa. Por do humbiste çdo shpresë që ne po përpiqemi nga pak ta krijojmë”, deklaroi ai.
Xhafaj mesazh të fortë: Drejtësinë e re e kanë frikë të gjithë
Më tej deputeti Fatmir Xhafaj ka paralajmëruar se drejtësia e re i ka futur në ankth të gjithë. Ish-ministri i Brendshëm u shpreh se sot të gjithë e kanë frikë drejtësinë e re, ndaj edhe e sulmojnë. Sipas tij drejtësia ka ecur në Shqipëri, në raport me pushtet e tjera që kanë mbetur. Ai e lidhi këtë me faktin se sot shumica e krerëve të grupeve kriminale nuk janë më në Shqipëri, ata ndodhen jashtë vendit, veprojnë jashtë vendit, kjo është e gjitha pjesë e presionit se SPAK-u ka dosje për ta.“Ne në SPAK nuk mund të çojmë çdo njeri që na thotë mendja për ta çuar në burg. Në SPAK çojmë atë që e dinë të gjithë që duhet hetuar, por nuk ka prova. Atëherë këto prova duhen mbledhur. Nuk duhet të lemë pa përmendur këtë mentalitet, këtë kulturë dhe këtë presion që është mbi SPAK-un. E gjithë kjo bie mbi këta njerëz. Të gjitha forcat politike flasin për SPAK-un, të gjitha mediat flasin për SPAK-un, disi edhe shoqëria civile, por këta njerëz kush i ndihmon?”, u shpreh ai. Po ashtu, sipas Xhafajt, drejtësia vetë ka ecur, në raport me pushtet e tjera që kanë mbetur. Ai tha se prova finale është ndëshkimi. Por sipas tij, fakt është se të gjithë janë trembur. “Sot shumicën e krerëve të grupeve kriminale nuk i keni më në Shqipëri, ata ndodhen jashtë vendit. Ata veprojnë jashtë vendit, kjo është e gjitha pjesë e presionit se SPAK-u ka dosje për ta. Natyrisht, qëllimi final është t’i ndëshkosh, por edhe ky presion nuk është i pakët. Të mos harrojmë që drejtësia penale nuk është vetëm SPAK-u, por edhe pjesa tjetër e prokurorisë. Ata janë shumë herë më shumë se SPAK-u. Janë një sërë agjencish si: Policia e Shtetit, Agjencia e pastrimit të parave, SHISH-i etj. Të gjithë e kanë frikë drejtësinë e re. Prandaj të gjithë sulmojnë, e përkëdhelin në një mënyrë apo tjetër”, nënvizoi Xhafaj.
Reagon Gjonaj
Ndërkohë ish-ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj paralajmëroi hetimin dhe arrestimin e ish-kryeministrit, Sali Berisha, të cilin e akuzoi si të përfshirë në korrupsion dhe vrasjet e 21 janarit. Në një intervistë për mediat, Gjonaj theksoi se arsyeja e reformës në drejtësi ishte shkëputja e saj nga duart e politikës. “Arsyeja pse ne ndërmorëm reformën në drejtësi, me qëllim që një sistem i mëparshëm i cili me thënë të drejtën ishte pothuaj i kapur nga politika. Kur them i kapur nga politika ishte për shkak se sistemi ishte i ngritur i tillë, ku politika vendoset kush do të ishte prokurori i përgjithshëm, kush do të ishte në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Politika vendoste me përfaqësuesit e tij në KLD se kush gjyqtar do promovohej nga një vend në një vend tjetër. Ndëshkueshmeri ka të bëjë me krimet, jo vetëm siç ishte 21 janari, por edhe krime që lidhen me pjesën e korrupsionit të ndëshkoheshin. Dhe SPAK si një institucion i posaçëm kishte dhe ka këtë detyrë. Pritshmëria është që drejtësia të thotë fjalën e saj dhe të marrë nën hetim të gjithë personat, edhe ata që janë shpallur non grata, për krimet që kanë kryer në këtë vend, që nga vrasjet, tek korrupsioni shpërdorimi i detyrës apo lidhjet e tjera që kanë pasur. Shumë akuza janë për Berishën, shumë çështje kanë shkuar në prokurori e besoj se do u vijë radha shumë shpejt”, deklaroi Gjonaj.
- Më të lexuarat
- Butrint Imeri nuk i ndahet Kiara Titos? Këngëtari publikon fotot që “çmendën” ndjekësit
- Parashikimi i motit/ Vera që nuk po vjen, si do të jetë koha…
- Kiara Tito publikon foton e veçantë me Luiz Ejllin
- Luiz Ejlli është takuar me Dorin? Olta Gixhari tregon haptazi raportin me çiftin…