Ekstradohen në Shqipëri, 2 shtetas shqiptarë të akuzuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
-Ekstradohet nga Italia, një 32-vjeçar i akuzuar si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve. Ky shtetas dyshohet se i ka shitur një sasi lënde narkotike kokainë, 2 shtetasve të tjerë shqiptarë, të cilët më pas e kanë trafikuar dhe shitur lëndën narkotike, në Itali.
-Ekstradohet nga Greqia, një 48-vjeçar i akuzuar si organizator i trafikimit të një sasie lëndë narkotike kanabis, në Greqi.
Si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve, ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve, me qëllim lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, në shtetet ku ata duhet të kryejnë dënimin, është bërë i mundur ekstradimi në Shqipëri, i 2 shtetasve shqiptarë që kanë qenë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, konkretisht:
-si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Romën, është ekstraduar nga Italia, shtetasi Gj. L., 32 vjeç. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi GjKKO i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.
Shtetasi Gj. L., në bashkëpunim me shtetasin A. L., dyshohet se ka transportuar dhe më pas i ka shitur një sasi lënde narkotike kokainë, për 200 000 euro, shtetasve R. Z. dhe Gj. Z., të cilët më pas e kanë trafikuar dhe shitur këtë sasi lënde narkotike, në zonën e Bergamos, Itali, në periudhën mars-nëntor të vitit 2016.
Gjithashtu, në janar të vitit 2017, në Bergamo, është sekuestruar edhe një sasi tjetër kokaine, që dyshohet se shtetasit Gj. L. dhe A. L. ia kishin shitur shtetasve R. Z. dhe Gj. Z..
-Po si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Athinën, është ekstraduar nga Greqia, shtetasi A. C., 48 vjeç. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi, në vitin 2019, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Shtetasi A. C., në bashkëpunim me shtetasin V. H., dyshohet se ka organizuar trafikimin e një sasie lënde narkotike kanabis, në Greqi. Sasia e lëndës narkotike është transportuar në Greqi, kundrejt pagesës në euro nga 4 shtetas, të cilët janë arrestuar nga Policia.
2 shtetasit e ekstraduar në Shqipëri iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime të mëtejshme procedurale.