Rektorja e universitetit të Shkodrës Suzana Golemi nuk është më në kërkim policor. Me një urdhër të prokurorisë së Shkodrës rektorja Golemi ka dalë nga kërkimi dhe është një person në gjendje të lirë. Pas këtij vendimi rektorja Golemi ka festuar me miqtë e saj dhe një grup pedagogësh të universitetit të Shkodrës.
Rektorja duket e qeshur dhe përpara ka edhe një birrë që e konsumon në këtë takim festiv me miqtë dhe pedagogët e tjerë. Suzana Golemi pak ditë më parë u shfaq në një video duke marrë nga një student një zarf ku pretendohet se brenda ishin 150 euro për t’i dhënë notë kaluese në një prej provimeve.
Në videon e transmetuar nga një emision investigativ rektorja Golemi shihet duke thënë “i ndihmojmë të gjithë. Nota ndryshohet në sistem” dhe më pas merr zarfin e bardhë. Pas kësaj video ministrja e arsimit Evis Kushi e pezulloi nga detyra rektoren Golemi ndërsa u shpall edhe person në kërkim nga policia e Shkodrës por kërkimi policor u hoq pas urdhrit të prokurorisë së Shkodrës e cila e la një person në gjendje të lirë.
Tashmë rektorja Golemi do të hetohet për veprën penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës në gjendje të lirë. Gjatë ditëve kur ishte në kërkim rektorja Golemi vendosi të fshihej duke mos u dorëzuar ndërsa policia vendore e Shkodrës nuk arriti ta ndalojë pasi nuk e gjeti në shtëpinë e saj si dhe nuk arriti që të kontaktonte.
Tashmë rektorja nuk ka më nevojë të fshihet dhe ka nisur festën duke qenë se është e lirë edhe pse hetimi ndaj saj lidhur me videon e publikuar do të vijojë ndërsa është e paqartë se cili do të jetë fati i rektores Golemi e cila vijon që të jetë e pezulluar nga ministrja e arsimit dhe derisa kjo çështje të përfundojë nuk mund të dalë në zyrën e saj.
Rektorja Golemi dhe gjithë drejtuesit e tjerë të universitetit të Shkodrës kanë edhe një vit kohë pasi më pas do të zhvillohen zgjedhjet që do jenë në gjitha universitetet në mbarë vendin.