JiL.al - Jeto i Lumtur

Franca dorëzon në SPAK bisedat në “Sky” të atentatorëve të Arjan Ndojit, çfarë u zbulua nga komunikimi mes anëtarëve të grupit kriminal! Prova të reja për nipin e ish-deputetit

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

SPAK dorëzon prova të reja në procesin ndaj Redjan Rrajës, i cili dyshohet se ka pasur rolin e ekzekutorit në atentatin ndaj automjetit të ish-prokurorit të Durrësit, ku mbeti i plagosur vetë Arjan Ndoj, miku i tij Aleksandër Laho i njohur si Rrumi, ndërsa humbi jetën shoferi Andi Maloku.

Prokurorët e Posaçëm, në një seancë me dyer të mbyllura, dorëzuan komunikimet që anëtarët e grupit kriminal kishin në aplikacionin “Sky”, ku komunikojnë për planin për të kryer atentatin ndaj Ndojit dhe Rrumit, komunikime të siguruara nga autoritetet franceze.

Në dosjen e ardhur nga Franca hidhet dritë mbi takimet që të dyshuarit Julian Meçaj, Amar Shkëmbi dhe Endrit Sinani, i njohur me pseudonimin “Diqo”, kanë pasur me Redjan Rrajën, i cili kishte marrë përsipër të kryente ekzekutimin. Nga komunikimet në ‘Sky’ rezulton se takimet mes të dyshuarit Amar Shkëmbi dhe Rrajës, që njihej me pseudonimin “Doku”, zhvilloheshin në Nikël të Fushë-Krujës.

Redjan Rraja, nipi i deputetit socialist, Rrahman Rraja, u arrestua fill pas atentatit, pasi gjurmët e tij u gjetën në makinën e krimit, që autorët nuk mundën ta digjnin dot, por e braktisën pranë varrezave të Shkafanës, në Durrës. Në vendin ku u braktis automjeti u gjetën edhe një palë syze, që mbanin pikërisht gjurmët e ADN-së së Rrajës por edhe maskat dhe armët që përdorën në krim.

Me interes për prokurorët ishin dhe bisedat mes anëtarëve të grupit pas arrestimit të Rrajës, kur ata bisedojnë për të shkatërruar provat e ADN-së dhe liruar atë nga burgu. Këto prova të reja u kundërshtuan nga avokatët, të cilët pretendojnë se janë komunikime të zhvilluara mes personave të paidentifikuar.

Tre muaj më parë SPAK organizoi aksionin “Komploti”, ku arrestoi disa prej të dyshuarve si anëtarë të grupit kriminal që kreu atentatin me 1 të vrarë dhe dy të plagosur, ndërsa shpalli në kërkim disa të tjerë, përfshirë dhe Plarent Dervishajn, të cilin e konsideroi si kreun e grupit. Së fundmi u arrestua Ramazan Rraja, nipi tjetër i deputetit Rrahman Rraja, pasi ishte shpallur në kërkim për të njëjtën ngjarje.

Personi i fundit që u vu në pranga për atë ngjarje të rëndë ishte pikërisht Ramazan Rraja, nipi tjetër i deputetit socialist. Ai u kap në lëvizje bashkë me një person tjetër të shumëkërkuar, ndërsa Rraja tentoi edhe ta shmangte arrestimin, siç dyshohet se ka mundur ta bëjë prej shumë kohësh.

Rraja në momentin e arrestimit u tha se mbante me vete edhe një armë tip pistoletë, e cila e ka rënduar akuzën ndaj tij. Ai si edhe pjesa tjetër e grupit që janë nën akuzë kanë mohuar përfshirjen në atë atentat që i mori jetën një të riu dhe rrezikoi jetën e prokurorit, ndërkohë që të gjitha provat dhe gjurmët, sipas Prokurorisë së Posaçme çojnë në emrat e përfshirë në dosjen hetimore.

Ndonëse ende prokuroria nuk ka bërë me dije se cili ka qenë motivi i këtij konflikti që kërkonte eliminimin fizik të një prokurori, ende ata që konsiderohen kokat e atij sulmi me armë nuk janë arrestuar. Ata gjendën në Dubai, të paktën sipas informacioneve të policisë, ndaj dhe është e pamundur sjellja para drejtësisë sonë për faktin që nuk ekziston një marrëveshje ekstradimi me vendin e preferuar të të arratisurve shqiptarë.

Pak kohë më parë u vu në pranga një tjetër personazh i asaj ngjarjeje, i cili rezultonte i denoncuar edhe për një tentativë vrasjeje të një të mituri në Tiranë, por që policia dhe prokuroria nuk e sollën asnjëherë në pranga. Bëhet fjalë për Amar Shkëmbin, i cili u denoncua disa herë nga familja e djalit të dhunuar barbarisht, por që policia asnjëherë nuk e ndaloi e madje as nuk u hetua farë për atë rast./BW

Scroll to Top