Plot 23 emigrantë janë plaçkitur me dhunë, izoluar dhe mbajtur peng nga disa shqiptarë në Korçë. Ata janë zbuluar dhe arrestuar nga policia, kurse refugjatët janë shpëtuar.
Dinamika e ngjarjes së rëndë u lokalizua në Korçë, ku në kuadër të operacionit “Midnight 21”, u arrestuan Kristiano Ajasllari, Adri Levendi dhe Esli Levendi.
Ata akuzohen se transportuan kundrejt fitimit, 23 emigrantë të paligjshëm të cilët i vodhën me dhunë dhe më pas i mbajtën në një banesë të braktisur duke iu hequr lirinë në këmbim të 10 000 eurove.
Gjatë ndjekjes, një prej të arrestuarve nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, ndërsa tjetri posedonte shkop metalik në automjet.
Policia tha se në këtë aksion u sekuestruan 3 automjete, 3 aparate celulare, shkopi metalik, sasi në euro dhe lekë.
Detajet e operacionit
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë në bashkëpunim me DVKM Korçë dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, nën drejtimin e Prokurorisë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 21”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-Kristiano Ajasllari, 38 vjeç, banues në fshatin Bregas, Maliq;
-Adri Levendi, 24 vjeç, banues në Vlorë;
-Esli Levendi, 23 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, mësuan se në fshatin Bregas, Maliq, disa shtetas po mbanin në një banesë të braktisur emigrantë të paligjshëm pa vullnetin e tyre.
Forcat policore organizuan veprimet dhe bënë të mundur lokalizimin e banesës në këtë fshat.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient u gjetën 23 emigrantë të paligjshëm.
Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe provat e siguruara, rezultoi se tre të rinjtë Kristiano Ajasllari, Adri Levendi dhe Esli Levendi, në bashkëpunim mes tyre kishin transportuar shtetasit e huaj me një automjet tip furgon dhe më pas i kishin fshehur ata tek banesa e braktisur, ku nëpërmjet kërcënimit iu kishin vjedhur celularët e tyre.
Në këmbim të lirisë së tyre autorët ju kishin kërkuar emigrantëve 10.000 euro.
Pas ndërhyrjes së shpejtë të Policisë u bë e mundur kapja e Kristiano Ajasllari dhe Adri Levendi, të cilët u konstatuan në fshatin Bregas, me automjetin tip furgon me të cilin kishin transportuar 23 emigrantët me qëllim kalimin e paligjshëm të tyre drejt vendeve të BE-së.
Adri Levendi sapo ka konstatuar se ishte në ndjekje nga Policia, ka tentuar të largohet me shpejtësi duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar, por është kapur dhe neutralizuar.
Gjithashtu shërbimet e Policisë kapën edhe të riun tjetër, Esli Levendi i cili po lëvizte me një makinë tip “Audi”, gjatë kontrollit të të cilës u gjet një shkop metalik i ngjashëm me atë të policisë.
Në kuadër të këtij operacioni në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjete, 3 aparate celulare, 1 shkop metalik dhe sasi në lekë dhe euro.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.