Vlora u trondit mbrëmë nga një atentat me armë zjarri, ku një 41-vjeçar mbeti i vrarë. Viktimë mbeti Laert Keka, i cili rezulton me gjeneralitet të ndryshuar (Leartiad Lekaj).
Ngjarja e rëndë kriminale ndodhi pranë kishës Ortodokse. Në aksin ‘Kotë –Sevaster’, është gjetur 1 mjet tip ‘Audi’ duke u djegur, bashkë me një kallashnikov brenda, ndërsa dyshohet se vrasja mund të jetë kryer për motive hakmarrjeje.
Shënjestra ka qenë duke udhëtuar me motor, kur është qëlluar me armë zjarri nga një person i maskuar.
Nga hetimet, rezulton se autori i maskuar ka zbritur nga një makinë ‘Audi A6’ me ngjyrë të errët me targa italiane dhe ka qëlluar në drejtim të 41-vjeçarit. Sakaq, mbi 28 gëzhoja u gjendën në vendngjarje.
Viktima nuk ishte i panjohur për drejtësinë, pasi më herët në dhjetor të vitit 2005, ai ishte marrë si i pandehur për kryerjen e veprës penale të vjedhjes me pasojë vdekjen, të kryer në bashkëpunim me shtetasin Fjodor Mezyraj.