Gjykata e Apelit jep vendimin për policët e kufirit në Kukës

Editor
3 Min Read

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe krimin e organizuar la në fuqi në pjesën më të madhe vendimarrjen e Shkallës së Parë për dhjetëra punonjës policie të kufirit të Kukësit që u arrestuan në muajin prill të vitit 2022 me akuzat e korrupsionit, kontrabandës dhe kalimit të paligjshëm të kufirit.


Një hetim i SPAK dhe i Prokurorisë Speciale të Kosovës u përmbyll një vit e gjysmë më pare me arrestimin e mbi 50 oficerëve të policisë në dy krahët e kufirit. SPAK njoftoi atëherë se ishin marrë masa arresti për 32 oficerë të policisë kufitare në Drejtorinë e Policisë në Kukës të cilët akuzohen për “312 episode të veprimeve korruptive”. Një aksion i ngjashëm u zhvillua edhe në krahun tjetër të kufirit, ku Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës njoftuan arrestimin e 20 oficerëve të policisë së pikës kufitare të Vermicës.

Sipas prokurorisë gjatë hetimeve janë verifikuar raste të shumta korruptive të kryera në vijimësi gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e këtyre punonjësve, duke detyruar shtetas shqiptarë dhe të huaj që të paguanin shuma të ndryshme parash për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas. Po ashtu, të dënuarit u akuzuan se kishin favorizuar futjen e mallrave kontrabandë, trafikun e automjeteve, si dhe kalimin e kufirit nga persona të ndryshëm me probleme ligjore.

Nga 30 të pandehurit e dërguar për gjykim, në shkallën e parë u deklaruan të pafajshëm 7 prej tyre. Nga të akuzuarit e deklaruar fajtorë u dënuan 19 vetë me nga 1 vit e 4 muaj burgim, por këto dënime u pezulluan. Me nga 1 vit e 8 muaj u dënuan dy të tjerë që u lanë në burg për të shlyer pjesën e mbetur nga paraburgimi, ndërsa tre të tjerë u dënuan me nga 8 muaj heqje lirie dhe u shua masa e sigurimit personal, pasi e kishin kryer vuajtjen e dënimit të dhënë.


Apeli vendosi të mërkurën më 22 nëntor të ulë dënimin e një të pandehuri nga 1 vit e 4 muaj burgim në 10 muaj heqje lirie; dy të pandehur të deklaruar të pafajshëm në shkallën e parë u gjetën fajtorë për “Korrupsion pasiv…” dhe u dënuan me nga 1 vit e 4 muaj burgim, por që u pezulluan; ndërsa 19 u vendosën në provë nga Apeli për një periudhë kohe të barabartë me dyfishin e pjesës së mbetur pa vuajtur të dënimit të dhënë nga gjykata. Po ashtu, u lanë në fuqi dënimet plotësuese për ndalimin e ish-oficerëve të policisë për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare, që i’u shtua edhe dy të pandehurve të deklaruar të pafajshëm në Shkallën e Parë, por që u gjetën fajtorë në Apel.

Share This Article
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: J.i.L.al
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *