
Gjykata e Apelit ka vendosur këtë të enjte t’i japë pafajësinë këngëtarit të njohur, Luzi Ejlli.
Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm pranoi ankimin e bërë nga avokatët Arbër Hoxha e Dritan Metani, duke prishur vendimin e Gjykatës së Fierit për dënimin me 1 vit burg të këngëtarit për “falsifikim dokumentesh”, duke e deklaruar atë të pafajshëm.
Pafajësinë e ka fituar edhe i bashkëpandehuri i tij, Fatmir Avdurramani.
“Trupi gjykues i kthyer nga dhoma e këshillimit, në mungesë të prokurorit në shpalljen e vendimit, shpall vendimin me dispozitivin e mëposhtëm: Ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Luiz Ejlli dhe Fatmir Avdurramani. Lënien në fuqi të vendimit për pjesën e materialeve të sekuestruara. U shpall sot në Tiranë, më 08.05.2025, ora 12:24:32”, thuhet në vendimin e Apelit.
Gjykata e Fierit e kishte dënuar me 1 vit burg Luiz Ejllin, pasi u gjet fajtor për akuzën e falsifikimit të dokumenteve të kryer në bashkëpunim.
Referuar dosjes hetimore, Luiz Ejlli, në vitin 2015 kur ende posedonte vulat e noterit edhe pse Ministria e Drejtësisë ja kishte hequr të drejtën e ushtrimit të profesionit, në bashkëpunim me një shtetas tjetër ka falsifikuar një deklaratë noteriale që është përdorur më pas në vitin 2022 në Prokurorinë e Lushnjës për te justifikuar pasuri të vëna në mënyrë të paligjshme.