Prokuroria e Tiranës nuk do ta pranojë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila shpalli të pafajshëm Fatjon Muratin, i akuzuar për armëmbajtje pa leje pas zbulimit të një arsenali armësh në dy banesa në kryeqytet. Burime nga organi i akuzës kanë konfirmuar për Report Tv, se janë në pritje të vendimit të zbardhur të gjykatës për t’iu drejtuar Gjykatës së Apelit.
Edhe pse Prokuroria kishte kërkuar 3 vite burg për Muratin, togat e zeza nuk i konsideruan provat për ta dënuar dhe e liruan nga akuza Muratin, ndonëse ndaj tij tashmë ka edhe një tjetër akuzë ajo e largimit nga vendi i qëndrimit. Murataj u arratis edhe pse ishte në ‘arrest shtëpie’.
Ndërsa për të pandehurin tjetër për armët, Kristian Gjini, Gjykata e dënoi me 7 vite e 6 muaj burg. Për këtë të fundit organi i akuzës kishte kërkuar 12 në qeli. Policia ushtroi kontrolle në dy banesa të marra me qira nga Gjini ku u gjetën 7 armë zjarri, 4 silenciatorë dhe municione të tjera luftarake.
Në një nga kutitë ku mbaheshin armët u zbuluan edhe shenjat e gishtave të Muratit. Në momentin që Murati u arrestua i akuzuar për armëmbajtje ma leje, ai ishte nën shoqërinë e Endrit Dokles dhe kunatit të tij. Më pas Murati u lirua nga gjykata dhe u la “arrest shtëpie”.