SPANJË- Tre shqiptarë janë dënuar nga gjykata spanjolle pasi kanë grabitur 2 shtëpi në zonën e Agro do Muíño. Sipas mediave spanjolle, 3 shqiptarët kanë pranuar autorësinë e krimit para togave të zeza.
“Kërkoj falje, jam fajtor. Kërkoj falje për të gjitha veprimet e mia dhe për të gjitha të këqijat që kam bërë”, janë shprehur ata.
Në shenjë vlerësimi për pranimin e krimit dhe shfaqjes së pendesës, prokuroria spanjolle ka kërkuar uljen e dënimit ndaj tyre nga 9 në 5 vite burg, por duke qenë se ata kanë qëndruar në paraburgim prej më shumë se një viti në qytetin Teixeiro, 3 shqiptarët do të vuajnë dënimin me burg edhe 8 muaj, më pas do të kthehen në Shqipëri.
Mes të akuzuarve si pjesëmarrëse në grabitje ishte dhe një shtetase kolumbiane, e cila banonte në Barcelonë. Ajo akuzohej se kishte marrë me qira makinën të cilët shqiptarët kishin përdorur gjatë aktit kriminal, si dhe një banesë.
Këta të fundit janë shprehur se kolumbiania nuk kishte lidhje me ngjarjen kriminale, dhe se ajo ishte thjeshtë një e njohur. Sipas rrëfimit të të akuzuarve, ajo njihte vetëm njërin prej tyre, me të cilin ishte njohur në vitin 2018, kur punonin në Ibiza.
Një pjesë e madhe e sendeve të vjedhura u janë rikthyer banorëve, pasi hajdutët u treguan autoriteteve vendin specifik ku i kishin fshehur, në mal.