JiL.al - Jeto i Lumtur

Hordhitë serbe drejtojnë armët mbi Veriun e Kosovës, Edi Rama avokati më i zjarrtë në mbrojtje të Vuçiçit në luftën kundër shqiptarëve

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Mjaftojnë vetëm mbështetja e provokimeve të fundit për luftë të Beogradit në Veri të Kosovës për të zbardhur të gjithë të zezat antikombëtare të kryeministrit Edi Rama me lidershipin në Prishtinë. Nuk po flasim për zullumet që i ka bërë Shqipërisë, por për “thikën” e  tij që ka prekur të gjitha trojet shqiptare. Në një kohë që në të gjithë botën po lobohet fort që Kosova të njihet si shtet i pavarur, ku Perëndimi është investuar më fuqishëm se kurrë që edhe vendet e tjera përveç Serbisë të pranojnë Prishtinën si shtet me simbolet dhe me hartën e saj, kreu i qeverisë shqiptare vazhdon të mbështesë fuqishëm vëllain e tij Vuçiç duke shkaktuar një skandal të madh. Këtë gjë bëri dhe ditën e djeshme në një moment kur lufta ishte gati të shpërthente nëse nuk do të ndërhynte KFORI për të parandaluar situatën dhe e gjitha për faj të provokimeve të Vuçiçit.

Rama në krah të Vuçiçit

“Lëndimi i ushtarëve të KFOR-it ngarkon me përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhunuesit e tyre të verbër dhe fatkeqësisht lëndon Kosovën në sytë e  aleatëve e miqve të saj të pazëvendësueshëm! Sa më shumë zgjatet ky konflikt i rrezikshëm dhe i panevojshëm, aq më shumë lëndohet Kosova! Nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm!”, shkruan Rama. Me këtë reagim ai kritikoi sërish qeverinë e Albin Kurtit si fajtore për tensionet në komunat veriore të Kosovës pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të gjithë shqiptarë u kundërshtuan nga serbët lokalë. Por teksa Kurti të vetmen gjë që bëri ishte zbatimi i Kushtetutës dhe çdo veprim u bë në përputhje të ligjit, pasi edhe ndërkombëtarët i njohën zgjedhjet, strukturat ilegale serbe të kthyera në banda kriminale, të udhëhequra në prapaskenë nga Vuçiç, sulmuan policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët. Rama i hyri kësaj valleje që në momentin që kritikoi Kosovën dhe në vend që të kërkojë falje, vazhdon të mbrojë komandantin e ushtrisë Vuçiç për luftën anti-shqiptare që po provokon. Këtë herë ai e shtoi dozën duke quajtur Kurtin si fajtor pasi po shmang dialogun me presidentin serb. Ndërkombëtarët e kanë treguar qartë se është Vuçiç që po shkel marrëveshjen e Ohrit ku u miratua plani franko-gjerman. Kosova i ka respektuar një për një detyrat. Edhe pse Rama të gjithë inatin e ka me lidershpin kosovar, zgjodhi momentin më të gabuar për të mbështetur presidentin serb.

Kosova në rrezik nga Serbia

Reagimi i vetëm i Ramës ishte njësoj me fjalët e “vëllait” të tij Vuçiç. Ky i fundit tha se po vjen situata më e vështirë në Kosovë dhe kjo falë veprimeve provokuese dhe sjelljes tmerrësisht të papërgjegjshme të Albin Kurtit. “Kurti ëndërron të jetë Volodymyr Zelenskiy dhe serbët nuk mund ta tolerojnë më këtë”, është shprehur presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. Gjithashtu në një formë qartë presioni, Beogradi njoftoi dje përfundimin e dislokimit të njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë, në përputhje me urdhrin e presidentit Aleksandër Vuçiç për rritjen e gatishmërisë luftarake. “Njësitë e ushtrisë serbe do të jenë të përgatitura për të zbatuar çdo urdhër, me shpresën se ndërkohë do të gjendet një zgjidhje politike”, deklaroi Vuçiç. Ai e theksoi se gatishmëria luftarake e Forcave të Armatosura të Serbisë është rritur për të treguar se “ka vija të kuqe”. Pra Vuçiç po i hedh më shumë benzinë zjarrit të konfliktit në Veri dhe Rama me qëndrimin e tij anti-shqiptar mbështet presidentin serb. Çfarë mesazhesh kërkon që të japë kryeministri shqiptar në momente të tilla, ku çështja Kosovë-Serbi është shumë e ndjeshme pas shpërthimit të luftës në Ukrainë dhe presidenti i Rusisë Vladimir Putin vazhdon ta përmendë shpesh Prishtinën.

Scroll to Top