I mbuluar në flori, si u ‘fundos’ shoferi i Ardi Veliut bashkë

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Në Shënjestër ka sjellë sot detaje mbi hetimin e autoriteteve franceze për kryerjen e kontrabandës së parave të thata dhe bizhuterive të vjedhura nga Franca për në Shqipëri, nga grupi ku ishte i përfshirë edhe shoferi i Ardi Veliut dhe familjarët e tij.

Ata ishin një grup i strukturuar kriminal, me bazë në rajonin e Reventin Vaugris, në juglindje të Francës.
Në dukje punëtorë të bindur, të heshtur, por jo për policinë franceze, e cila kishte kohë që i mbante në vëzhgim.
Baza e tyre ishte një hotel në qytetin Villeurbane, ku grumbullonin të gjitha bizhutë e shtrenjta që grabisnin gjatë muajit. Zbulimi i madh në fakt erdhi pas kontrollit të rastësishëm që policia franceze i bëri në shtatorit të vitit 2020, fillimisht një minibusi, që kryente rrugëtimin Lion-Durrës.
herën e parë aty u gjetën 70 mijë euro dhe 800 gramë bizhu me përmbajtje floriri.

Por nëse hera e parë dukej rastësi, nuk dukej e tillë hera e dytë, kur në të njëjtin minibus, gjatë kontrollit të ushtruar më 1 mars 2021, u gjetën 10 mijë euro dhe 500 gram bizhu në ar. Një koincidencë që nuk kishte si ti shpëtonte vëmendjes së policisë franceze, që nisi një hetim të gjerë.

“Hetimi lindi pas ndalimit dy herë, në dy pika të ndryshme të dy shtetasve shqiptarë, të cilët udhëtonin në bordin e të njëjtit minibus. Gjatë kontrollit të ushtruar herën e parë më shtator të vitit 2020, të minibusit që ishte drejtuar për në Durrës/ Shqipëri u gjetën 70 000 euro dhe 800 gramë bizhuteri në ar. Ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar herën e dytë në të njëjtin minibus, më 1 mars 2021, u gjetën 10 000 euro dhe 500 gramë bizhuteri në ar”, thuhet në dosjen hetimore.

Zbulimi ishte surprizues edhe për vetë policinë franceze. Gjatë punës së tyre për evidentimin e burimit të parave dhe sendeve me vlerë, hetimet i drejtuan ata drejt Hotelit në Villeurbane.
Një komunë kjo e vogël me 150 mijë banorë, pranë qytetit të Lionit në Francë, ku zbuluan se sendet e çmuara ishin vjedhur dhe më pas amballazhuar në hotel.

“Çdo herë, dukej se minibusi ishte nisur nga hotel d’Alsace i ndodhur në Villeurbanne. Një pjesë e bizhuterive ishin identifikuar dhe tregonin se ishin vjedhur në pika të ndryshme të territorit francez.
Hetimi konstatoi se gjatë gjithë javës, objektet e vjedhura dhe shumat e mëdha të parave grumbulloheshin dhe depozitoheshin në hotelin e lartpërmendur”, sqarohet në dosjen hetimore.

Por edhe pse autoritetet franceze kryen dëbimin nga territori i tyre të dy shqiptarëve të përfshirë në transportin e parave dhe bizhuve të siguruara në rrugë kriminale, hetimet duket se nuk u ndalën këtu. Ato vazhduan për të siguruar rrjetin e plotë të personave të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Shpejt u zbulua se drejtuesi i kësaj sipërmarrje, ishte një shtetas që kishte fituar nënshtetësinë franceze, nëpërmjet dokumenteve të rreme, që i përkisnin Republikës së Kosovës.
Ky shtetas sipas policisë së Lion, që mori përsipër hetimet, në dokumentet franceze, njihej si Sokol Briant.

“Nga hetimet rezultoi se drejtimi i aktivitetit kriminal sigurohet nga një shtetas shqiptar, i cili disponon identitet francez të marrë me dokumente të rreme kosovare: Sokol me mbiemrin e lindjes ‘Balili’ i transformuar në Sokol Ibrahimi (dokument identifikimi i rremë), i natyralizuar në shtetas francez si Sokol ‘Briant’”, thuhet në dosjen hetimore.

Po për të ndjekur veprimtarinë e Sokol Briant, policisë franceze, iu desh të ndiqte njëkohësisht linjën e minibusëve të cilët pasi niseshin nga Lioni në Francë, përfundonin në disa qytete të Shqipërisë.

“Nga hetimet e mëtejshme rezulton se të ashtëquajturat ‘sipërmarrje’ kriminale, shfrytëzojnë minibusët.
Ato vetë përdorin një fasadë ‘të ligjshme’, pa fitim që shërben vetëm për fshehjen e aktiviteteve të paligjshme veçanërisht fitimprurëse”, sqarohet ne dosje.

Do të ishte gjurmimi i rrugëtimit të shpeshtë të minibusëeve nga Franca në drejtim të Shqipërisë, që çoi policinë në vendin transalpin në mendimin se mënyra e strukturuar dhe e përsosur ishte një punë e mirëorganizuar nga shtetas shqiptarë, kryesisht me origjinë nga qyteti verior i Shkodrës.

Sipas policisë franceze, rajoni ku grupi shqiptar merrej me fshehjen e vjedhjeve dhe pastrimin e parave ishte Auvergne-Rhone-Alpes.

Për këtë arsye u vendos mbajtja në vëzhgim të pandërprerë e hotel Alsace në qytetin e Villeurbane, aty ku ishte edhe pikënisja e minibusëve drejt Shqipërisë.

“Për interesa të hetimit, u vëzhguan ambientet pranë hotel D’Alsace (D’Alsas) në Villeurbane. Nga ku u bë i mundur konstatimi i udhëtimeve javore të mjeteve minibus me targa shqiptare. Të cilët në mbulesën e veprimit për llogari të agjencive të udhëtimit në Shqipëri, kishin për detyrë të grumbullonin dhe transportonin objekte dhe para me origjinë të paligjshme”, sqarohet në dosjen hetimore.

Ajo që i nxorri zbuluar këto minibusë në aktivitetin e tyre të paligjshëm, ishte fakti se ata kishin shumë pak udhëtarë.
Gjë që nuk mund ti shpëtonte vëmendjes së autoriteteve franceze, të cilët konstatuan se si këto shoqëri udhëtimi kishin rentabilitet të ulët, kundrejt kostove të transportit.

“Gjatë vëzhgimit, ka rezultuar se automjetet parkohen në rrugën ‘Magenta’ në Villeurbanne dhe qëndrojnë aty rreth 48 orë, kohë gjatë së cilës ata ngarkohen me mallra të reja që vijnë nga i gjithë rajoni Rhone-Alpes (Rone Alpes). Mallra që janë të destinuara të çohen më pas në Shqipëri ose të shpërndahen gjatë rrugës së kthimit”, thuhet në dosjen hetimore.

Një fakt interesant ishte se shoferët e minibusëve, flinin gjithmonë të njëjtin hotel ky dyshohej se mblidheshin edhe paratë dhe sendet me vlerë të siguruara në rrugë kriminale.

“Gjatë hetimit në vijim u dokumentua se shoferët marrin ndër të tjera zarfe me para të cilat tërhiqen në Hotel d’Alsace, ku janë lënë më parë nën ruajtjen dhe magazinimin e Sokol Briant. Gjatë periudhës së vëzhgimit, grupet e punës u njohën me tre agjenci që merren me transportin e pasagjerëve dhe mallrave konkretisht; ‘Erdisa Tours’ me pronar shtetasin Agustin Mesuli, i cili shërben edhe si shofer i kësaj agjencie, ‘Tani Tours’ me pronar Dritan Ulqinaku, i cili po kështu shërben edhe si shofer i kësaj agjencie, dhe ‘Altini Travel’ me pronar Altin Doda që kryen edhe rolin e shoferit në këtë agjenci”, thuhet në dosje.

Por siç del nga hetimi personi kyç në këtë sipërmarrje është shtetasi shqiptar Sokol Balili por që mban mbiemrin francez ‘Briant’. Është ai i cili koordinon të gjitha veprimet, duke magazinuar, ruajtur dhe paketuar objektet dhe vlerat monetare që duhet të çohen në Shqipëri.

Sipas policisë franceze, në hotel D’Alsace, ku kryen rolin e recepsionistit, ai ka një dhomë fill pas recepsionit. Aty ku ai është në kontakt të vazhdueshëm me një shqiptar të identifikuar si Flori Baku, i cili dyshohet se për llogari të Sokol Briant, menaxhon dyqanet e këtij të fundit në Shqipëri.

“Më datë 7 Janar 2022, Flori i kërkon gruas së tij që të mos flasë në telefon. Ai del se menaxhon edhe ‘punët’ në Shqipëri për familjen Briant.
Për këtë arsye ai është paguar me më shumë se 3 000 euro paradhënie për pushimet e familjes këtë verë”, thuhet ë dosjen hetimore.

Por edhe pse në dukje ishte një recepsionist, hetimi pasuror i Sokol Briant, nuk i justifikonte paratë që ai shpenzonte. Po kështu as pasuritë që ai kishte vendosur, ccka e çoi policinë franceze të mendonte se pasuritë e tij ishin vendosur në mënyrë të pandershme, në kuadër të një grupi kriminal.

“Sokol Briant, rezulton se ka shpenzuar shumë para. Ai i ka ofruar së bijës në 20 vjetorin e saj një Mercedes Class, ndërkohë që aktualisht po rinovon tërësisht apartamentin e tij në të cilin banon prej 20 vitesh me qëllim që më pas ta blejë dhe më pas për ta rishitur”, thuhet në dosje.

Por në vijim të ndjekjes së Sokol Briant, policia franceze konstatoi se në muajin prill të vitit 2022, ai kishte udhëtuar në Shqipëri, ku ishte takuar me bashkëpunëtorin e tij, Flori Baku, të cilit rezulton se e i ka dhënë 10 mijë euro në cash.

Ky është edhe momenti ku nga hetimet del se Sokol Briant pasi është ndarë nga Dritan Ulqinaku, me të cilin duket se ka një mosmarrëvjeshje, lidhet me shtetasin Sokol Myftari, të cilit i siguron se është i gatshëm t’i fshehë në hotelin D’Alsace, ku punon si recepsionist, të gjitha sendet e vjedhura që ai ka ose që Myftari do të donte t’ia shiste drejtëpërdrejt.

Gjatë marrjes në pyetje nga Xhandarmëria Kombëtare Franceze, Sokol Briant pranoi se ai kishte njohje me shtetasin në hetim, Altin Doda, i cili del se fillimisht ka punuar si shofer për shqiptarin tjetër, Agustin Mesuli, edhe ky nën hetim.
Por që tani Altin Doda që kishte agjencinë e udhëtimit ‘Altin’, kishte dalë të punonte më vete, duke u shkëputur nga Agustini.

“Grupi i parë, përbëhet nga personat nën hetim të identifikuar tashmë nga autoritetet shqiptare si Agustin Mesuli, Altin Doda, Florian Baku, si dhe personat nën hetim të identifikuar si Sokol Briant (alias Sokol Brahimi, apo Sokol Balili), Dritan Ulqinaku, dhe shoferët e tyre.
Sokol Briant, pas grumbullimit të sendeve, kryesisht të vjedhura, dhe shumave të parave të ardhura që rridhnin nga veprimtaria kriminale në Hotel d’Alsace, jua jepte subjekteve që punonin si shofera të itinerarit Shqipëri-Francë-Shqipëri për t’i sjellë produktet e veprës kriminale në Shqipëri”, thuhet në dosjen hetimore.

Po ndërsa ky ishte grupi i parë që ra në rrjetën e policisë franceze dhe asaj shqiptare, surprizë për hetimin do të ishin edhe emrat që do të pasonin pas identifikimit të pjesës tjetër të grupit.
Zbulim surprizues që do të mbërrinte deri te një nga shoferët e një titullari të rëndësishëm në kupolën e Policisë së Shtetit dhe të familjes.
Ky emër do të ishte Sokol Idrizaj, i cili kishte shërbyer si shofer i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Shkuarja drejt emrit të tij u realizua pas ndjekjes që iu bë familjes së tij, e cila del se ishte e lidhur me Agustin Mesulin dhe Altin Dodën, dy pronarët e agjencive të udhëtimit të lidhur me shqiptarin Sokol Briant.

“Nga hetimet e kryera rezulton se personat nën hetim, drejtues të mjeteve të transportit si më sipër, transportonin dhe shuma të mëdha monetare të padeklaruara, të cilat u jepeshin nga shtetas të ndryshëm si në Francë, ashtu dhe në Shqipëri.
Ndër personat që kanë realizuar një transport të tillë janë edhe ata nën hetim Egi Idrizaj dhe Elda Idrizaj, të cilat kanë përdorur në funksion të aktivitetit kriminal mjetet e personave nën hetim Agustin Mesuli dhe Altin Doda, dhe me dijeninë e tyre.
Shuma monetare të cilat i dorëzoheshin personit nën hetim nga autoritetet franceze Sokol Briant”, thuhet në dosjen hetimore.

Sipas autoriteteve franceze e gjithë skema, ku ishte e përfshirë familja Idrizaj, në këtë rast e ish-shoferit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, lidhej me sendet me vlerë, të cilat pasi vidheshin në Francë, transportoheshin kontrabandë në Shqipëri dhe më pas pasi shiteshin në Shqipëri. Një pjesë e parave i shkonin Sokol Briant, në hotel D’Alsace në qytetin Villeurbane në Francë.

“Grupi i dytë, përbëhet nga personat nën hetim pjesëtarë të familjes Idrizaj, të cilët kanë ushtruar veprimtarinë e tyre kriminale duke transportuar shuma monetare në sasi të mëdha të padeklaruara, nga Shqipëria në Francë.

Këto shumat monetare të dërguara në mënyrë të fshehtë në territorin francez priteshin aty nga personi nën hetim Egi Idrizaj, që ndodhej në qytetin e Lyonit në Francë”, thuhet në dosjen hetimore.

Nga hetimet rezultoi se Egi Idrizaj, ishte vajza e vogël e Sokol Idrizaj, shoferit të z. Veliu.
Dhe se sendet e luksit që më pas ishin shitur dhe kthyer në para në Shqipëri, ishin transporuar nga vetë pjesëtarët e familjes Idrizaj.

“Personat nën hetim Elda, Egi dhe Bora Idrizaj, kanë transportuar në Shqipëri sendet e luksit të blera në Francë, të cilat janë transportuar nga lidhjet e tyre.
Këto sende janë futur kontrabandë në territorin shqiptar, duke u marrë në dorëzim nga të hetuarit e familjes Idrizaj, të cilët më pas i kanë shitur në territorin shqiptar tek persona të ndryshëm në disa raste edhe nëpërmjet reklamimit në rrjete sociale, duke fshehur të ardhurat e fituara nga ky aktivitet i paligjshëm”, thuhet në dosje.

Po për të kryer transportin sa më të sigurtë të sendeve të çmuara të vjedhura në Francë, por edhe për të dërguar atje paratë e siguruara nga shitja, grupit të personave të përfshirë, u duhej edhe ndihma e disa policëve të korruptuar në doganën e portit të Durrësit.

Ata duhet të mbyllnin sytë, në momentin që në port mbërrinte minibusi me shumën e madhe të parave të padeklaruara, apo me sende të çmuara të pashoqëruara me fatura përkatëse.

“Nga hetimet rezulton se disa nga kompanitë e transportit që kryenin rrugëtimin Shqipëri- Francë-Shqipëri, kishin mbështetjen dhe përkrahjen e punonjësve të policisë dhe doganës që ishin me shërbim pranë PKK Port Durrës. Më konkretisht nga personat nën hetim Gentian Aga dhe Alid Shehi, persona të cilët ka rezultuar si të implikuar në kuadër të aktiviteteve të ndryshme kriminale duke shpërdoruar detyrën”, thuhet në dosje.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’, për të kryer transportin e parave drejt Francës, Egi Idrizaj, përdor automjetet e Altin Dodës të kompanisë ‘Altini Travel’.
Veprimtari të cilën ajo e kryen vetë ose përmes të tjerëve, ashtu si edhe blerjen e sendeve të luksit për t’i rishitur në Shqipëri në rrjetet sociale.
Ndërkohë që në dosje dalin edhe dhjetra biseda midis vajzës tjetër të Sokol Idrizaj, Borës dhe nenës së saj Eldës, ku del në pah përfshirja në këtë aktivitet edhe e disa personave të tjerë dhe lidhje e tyre shoqërore, me qëllim hapjen e llogarive bankare të cilat do përdoreshin në vijim nga personat nën hetim Egi Idrizaj dhe Elda Idrizaj për blerjen e sendeve dhe veshjeve të luksit në Francë.

“Egi Idrizaj, me qëllim justifikimin e aktivitetit të saj, është e regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit si person fizik më datë 28 Shkurt 2022 në fushën e veprimtarisë ‘Bar kafe’ në Tiranë, aktivit i cili nuk rezulton që të ketë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar fluksin e shumave monetare të shpenzuara për blerjen e mallrave të ndryshme të luksit kryesisht në territorin francez.
Në kuadrin e aktivitetit kriminal ajo del se ka bashkëpunuar edhe edhe familjarët e saj, babain, nënën e motrën”, thuhet në dosje.

Ky aktivitet i paligjshëm u vërtetua nga hetimet edhe për faktin se për asnjë nga mallrat e futur në Shqipëri nga familja Idrizaj, nuk është paguar dogana dhe se ky aktivitet zhvillohej nga kjo familje prej 3 vitesh.

Interesant gjatë hetimeve, janë edhe përgjimet midis familjes Idrizaj dhe Altin Dodës, që është pronari dhe shoferi i angjecisë ‘Altini Travel’

Bisedë e kapur në përgjime më datë 30 maj 2022, midis tij dhe Elda Idrizaj, bashkëshortes së Sokol Idrizaj. Në këtë moment ish-shoferit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu.
Sot kreu i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore.

Nga ku del se Egi Idrizaj në këtë moment të përgjimit del se ndodhet në shtetin francez, ku del në pah organizimi i veprimtarisë kriminale, dhe kujdesi që tregojnë bashkëbiseduesit për të mos dërguar numra nëpërmjet telefonit, pasi kontakti është vetë personi nën hetim Altin Doda.
Nga biseda del se ky i fundit e orienton Elda Idrizaj, që Egi ti dërgojë adresën ku ndodhet dhe më pas do të shkojë ta takojë kontakti i tij në Francë.

“Biseda mes Altin Dodës dhe Elda Idrizaj
Altin Doda: A është nisur Egi. A niset nesër?
Elda Idrizaj: E kam lënë për të rregulluar andej ato gjërat.
Elda Idrizaj: Po, se më tha Egi.
Altin Doda: Po. Nesër, mbaron punë burri huaj, shkon e takon Egin ku të dojë ajo.
Elda Idrizaj: Mirë çoji numrin. E di vet ti tani. Lidhu vetë me Egin.
Altin Doda: S’ka punë numri, jam unë numri. Vetëm më ço adresën e Egit. Shkoj e takon unë.
Elda Idrizaj: Mirë
Altin Doda: Nuk mbajnë kontakte me asnjë.
Elda Idrizaj:Nuk e pyta tamam Egin për orarin fiks kur niset.
Altin Doda: Ska problem, mos e vrit mendjen. Ajo vetëm të më thotë jam filan vend dhe ia çoj unë robin”, thuhet në dosje.

Në një tjetër bisedë të zhvilluar vetëm dy muaj më pas më 17 korrik 2022, po midis Altin Dodës dhe Elda Idrizaj del se aktiviteti i transportimit të mallrave të luksit të blera nga Egi në Francë, transportohet për në Shqipëri nëpërmjet agjencive të ndryshme të transportit.
Ndërsa sa i përket pritjes në Shqipëri, atë e bën bashkëshorti i Eldës, Sokol Idrizaj. Nga hetimet e kësaj dosje që solli në Shqipëri hetuesit francez u zbulua edhe fenomeni i fajdeve.

“Personat nën hetim nga familja Idrizaj, mermin shuma të konsiderueshme monetare me përqindje nga disa persona të cilat nuk ishin të licensuar për të kryer një aktivitet të tillë, më konkretisht nga personat nën hetim Agustin Mesuli, Altin Doda, Vangjush Kashara dhe Tomorr Baruti.
Në një nga bisedat e përgjuara del se familja Idrizaj i ka marrë një shumë të madhe parash me përqindje Altin Dodës dhe kërkon tia kthejë.

“Bisedë Altin Doda-Elda Idrizaj
Elda Idrizaj: Ej unë njëzetë e një i kam në shtëpi, të ti sjell edhe sa të mbledh ato të të tjerat?
Altin Doda: Ça të kesh mi sill, sa të mundesh deri në darkë.
Elda Idrizaj: Besoj se do ti bëj deri në darkë…”, thuhet në dosje.

Ky aktivitet i paligjshëm duket se ka vazhduar edhe në muajt në vazhdim, gjë që vërtetohet edhe nga bisedat në muajin tetor në ëhats app midis Elda Idrizaj dhe Altin Dodës.
Ato flasin në aplikacionin ËhatsApp, për të mos u kapur nga ndonjë përgjim i mundshëm telefonik, si dhe diskutojnë që të dakordësohen për numrin e çantave që do transportoheshin në rrugën e rradhës nga Altin Doda për llogari të Elda dhe Egi Idrizaj. Po kështu gjatë hetimeve, u evidentua edhe fakti se familja Idrizaj, u merrte para të personave të ndryshëm, jashtë sistemit banker, kundrejt interesit 10 përqind.

Personat u identifikuan si Altin Doda, Agustin Mesuli, Vangjush Kashara, Tomorr Baruti, por edhe në Francë, Egzon Hajdari me ndërmjetësimin e personit tjetër nën hetim Altin Doda.

Shuma të cilat u vërtetuan edhe nga analizimi i bisedave telefonike mes Egi Idrizaj dhe nënës së saj Eldës, nga ku del se në bazë të përgjimeve të kryera rezulton se Egi Idrizaj, kishte komunikime me një shtetase të quajtur Nini.
Aty del në pah edhe një skemë e marrjes së parave me fajde, në të cilën ishte të përfshirë po kështu edhe shtetasit në hetim Agustin Mesuli dhe Vangjush Kashara, njohur si Vani.

“Bisedë e realizuar më datë 15 Qershor 2022:
Nini: Elda ça bëre zemra!! Kam një hall, të lutem ata ku merni lek me fajde ju, sa mund të shkojë në muaj nëse na gjen ti 5 milion??
Pyet dhe më thuaj të lutem!!
Elda Idrizaj: Po ça të pyes o goce, ajo dihet, nëse merr 5 milion do paguash 500 mijë në muaj dmth 10 % të çdo shume që merr.
Kush ta paska vënë lakun në fyt….nuk kam unë se me gjithë zemër do të ndihmoja”, thuhet në dosje.

Tashmë në përgjim të plotë nga autoritetet franceze dhe shqiptare, më 3 korrik 2022, dy policitë respektive nisën të mbajnë në kontroll minibusët që vinin nga Franca.
Aty ku u gjetën shuma parash të pajustifikuara.

Të cilat shoferët e minibusëve për ti shpëtuar kontrollit në doganë ua shpërndanin pasagjerëve.

“Më datë 3 korrik 2022, një automjet shqiptar i ‘Erdisa Tours’ me ardhje nga Lioni, u objekt i një kontrolli në Durrës. Gjatë kontrollit në bordin e automjetit u zbuluan më shumë se 18 000 euro, të shpërndara ndërmjet shoferëve dhe dy pasagjerëve.
Këta të fundit deklaruan se paratë u ishin dhënë nga shoferët me qëllimin për të kaluar doganën.
Gjatë marrjes në pyetje, shoferi kryesor deklaroi se paratë i përkisnin pronarit të tij, Agustin Mesulit”, thuhet në dosje.

Ndërsa rezultoi se shuma e parave të gjetura nuk ishte në raport të drejtë me fitimet e gjeneruara nga transporti i pasagjerëve. Ndërkohë që Agustin Mesuli vazhdonte të investonte në blerjen e automjeteve të reja.
Paralelisht me këto kontrolle, policia shqiptare zbuloi në dyqanet e argjendarisë në Shkodër, bizhuteri të vjedhura në Francë.

“Nga vëzhgimet e kryera në territorin shqiptar në fund të muajit korrik -fillim të muajit gusht 2022, u mundësua zbulimi në argjendarinë Classic Gold në Shkodër të një bizhuterie me gjasë të vjedhur më parë dhe të mbajtur nga Sokol Briant dhe e bija.
Nga vëzhgimet, u dokumentua edhe një takim ‘pune’ në hotelet e luksit, ndërmjet Sokol Briant dhe kontakteve shqiptare me banim në Lion, në atë moment me pushime në Shqipëri, konkretisht Dritan Ulqinakut dhe Besim Berisha. Si edhe ardhja e Sokol Myftarit, fshehës i sendeve të vjedhura, u konstatua në doganën Shqipëri-Mali i Zi më 1 Gusht 2022.
Ndërsa komunikimet flasin për ekzistencën e dyshimeve rreth një ‘marrëveshje’ me policët vendas dhe lënë të nënkuptohet kalimi i një shume të madhe parash.
Bashkëjetuesja e tij ka mundur të hyjë në Shqipëri pa iu vulosur pasaporta”, thuhet në dosje.

Në të njëjtën ditë me hyrjen në Shqipëri nga dogana me Malin e Zi të Sokol Myftarit, autoritetet shqiptare konstatuan futjen në portin e Durrësit edhe të minibusit të ‘Tani Tours’ ku u gjetën shuma të mëdha parash.

“Po atë ditë, minibusët ‘Tani Tours’ u kontrolluan në Durrës, ku gjatë kthimit të tyre u konkludua se aty ndodheshin të fshehura 5 000 dhe 6 500 euro dhe se shoferët kishin shumë frikë, edhe pse zakonisht përfitonin nga dashamirësia e doganierëve, nën mbikëqyrjen e Dritan Ulqinakut.
Kalimi në skaner tregoi praninë e vendeve të fshehta në bordin e minibusëve.
Do të ishin këto hetime të koordinuara që çuan në muajin shtator 2022, hapjen e hetimeve që më pas rezultuan në ndalimin e 13 personave. Midis tyre, në fillimin e muajit qershor 2023 edhe të familjarëve të Sokol Idrizaj, që kishte qenë shofer i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, deri në kohën që ky i fundit ishte larguar nga kjo detyrë në vitin 2021.
Edhe pse procesi tashmë është nën hetim, rasti tregoi edhe njëherë bashkëpunimin e njerëzve pranë pushtetit me krimin.
Ashtu si në shumë raste të ngjashme.

Scroll to Top