
Në vite të ndryshme, “Kënga Magjike”, krahas bashkëprezantueseve shqiptare që janë ngjitur në skenë me Gjebrean, ka mirëpritur edhe të huaja. Emra të mëdhenj vinin në Shqipëri në një kohë kur gjërat funksiononin ndryshe, ishin më sfiduese e të vështira.
Në hapësirën dedikuar festivalit në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Gjebrea nuk e mohon se frymëzimi ka qenë shpeshherë Sanremo. E tërhiqte sharmi dhe atmosfera ndryshe që sillnin bashkëprezantueset e huaja, madje në insert, një prej tyre e krahason me “Pippo Baudo 40 vjet më parë.”
Ardit Gjebrea: Ai ka qenë gjithmonë një pikë referimi dhe një peng artistik do të thoja është që nuk munda të shoh dot një Sanremo në sallë drejtuar nga Pippo Baudo sepse unë kam parë tre festivale të ndryshme të Sanremos si spektator, por do ta doja një me Pippo Baudon. U realizua një ëndërr akoma më e madhe, në fakt nuk është se e kisha ëndërr, nuk e mendoja. U bë më vonë se nuk pretendoja aq shumë saqë Pippo Baudo të shihte një festival “Kënga Magjike”.
Në vitin 2014, Pippo Baudo ishte i ftuar në natën finale të “Këngës Magjike”. Për Gjebrean, ishte jo vetëm një ëndërr e realizuar, por edhe zbulimi i një ’loje’ të kohës me numrat e ditëlindjeve të tyre.
Ardit Gjebrea: Patëm një moment në skenë me Pippo-n sepse ai u bë në njëfarë mënyre protagonist i natës finale sepse e gjithë vëmendja atë vit ishte te Pippo Baudo dhe do të këndonte diçka në skenë, do t’i binte pianos sepse ai është një muzikant i jashtëzakonshëm përveeçse prezantues. Kur jemi takuar për herë të parë, ajo që zbuluam me njëri-tjetrin, ishte që ai e ka ditëlindjen më 7 qershor, si edhe unë. Ai ka lindur në vitin 1936, unë 1963.
Marsela Çibukaj: Asgjë nuk është e rastësishme!
Ardit Gjebrea: Të dy pamë njëri-tjetrin dhe më tha “atëherë je djali im?”.