KA UNË…, KA DHE TI…

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Ahlam Musteganmi- KA UNË…, KA DHE TI…

Ka stinë vaji pa lot…
Ka stinë fjalësh pa zë…
Ka stinë trishtimi pa arsye…
Ka stinë kujtimesh boshe…
Ka stinë ditësh të bardha të ngjashme…
Ka javë pritje dhe netë pa gjumë…
Ka orë të gjata padurimi…
Ka stinë marrëzish… dhe të tjera pendimi…
Ka stinë ashku… dhe të tjera dhimbje…
Ka stinë… që s’kanë kurfarë lidhje me stinët…
Ka stinë letrash që nuk do të shkruhen kurrë…
Telefonash, zilja e të cilëve nuk do të bjerë asnjëherë…
Rrëfimesh që nuk do të thuhen kurrë…
Ka fillime viti të ngjashëm me fundet…
Ka fundjava më të gjata se vetë java…
Ka mëngjese të hirtë ditësh, që s’kanë lidhje me vjeshtën…
Ka stuhi ashku të cilat na largojnë nga njerëzit…
Dhe një kujtesë të mobiluar, por që s’jepet me qera…
Ka brenda nesh, qoshka ku shiu s’rresht kurrë…
Ka shira që nuk lagin veçse bllokun e shënimeve…
Ka shkrime më të bukura se shkruesi i tyre…
Ka tregime dashurie më të bukura se personazhet e tyre…
Ka ashikë që gabuan në rrugën e dashurisë…
Ka dashuri që gaboi në përzgjedhjen e ashikëve…
Ka kohë që nuk është krijuar për dashuri…
Ka të dashur që nuk janë krijuar për këtë kohë…
Ka dashuri të krijuar për të vazhduar…
Ka dashuri që asgjëson gjithçka…
Ka dashuri të egër si urrejtja…
Ka urrejtje që s’krahasohet me dashuri…
Ka harresa më të afërta sesa kujtimet…
Ka gënjeshtra më të pranueshme sesa e vërteta…
Ka takime iluzionare më të bukura sesa çdo takim real…
Ka projekte dashurie më të bukura sesa historitë e dashurisë…
Ka ndarje më të këndshme sesa një mijë takime…
Ka sherre më të bukura sesa pajtimet…
Ka çaste sa një jetë…
Ka jetë që jep shpirt në një çast…
Ka unë.. ka dhe ti…
Ka gjithmonë një të pamundur, që lind me çdo dashuri.

Jeto I Lumtur

Scroll to Top