Katër të rinj tentojnë vrasje me tritol në Fier pas rrëmbimit

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Policia parandalon një ngjarje shumë të rëndë kriminale dhe njëkohësisht zbardh një tjetër ngjarje kriminale

Një krim i rëndë ka precipituar në Fier duke përfshirë disa persona, një aferë rrëmbimi, zhdukje qytetarësh dhe bomba me telekomandim në distancë.

E gjitha kjo është bërë objekt pune për policinë e Fierit e cila orët e fundit kreu një megaoperacion të koduar me emrin “Misteri”, raporton noa.al që ju sjell detajet dhe emrat e personave të përfshirë.

Orët e fundit, inteligjenca policore mësoi se disa persona po tentonin të kryenin vrasje me eksploziv ndaj u vunë në ndjekje të të dyshuarve ndërsa ishin duke avancuar me krimin e planifikuar. Ata u kapën ndërsa kishin përgatitur bomba me telekomandë, por nuk konfirmohet se kush ishin personat e synuar për eliminim fizik.

Në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Misteri”, për parandalimin e ngjarjes kriminale, me lëndë plasëse, u arrestua Albi Mecini. Ndërsa u shpallën në kërkim Arafat Manërkolli dhe Ervis Cukali.

Me masë sigurie “Arrest në burg”, nga Gjykata e Sarandës, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, i arrestuari Albi Mecini dhe u shpall në kërkim Sebastian Lataj.

Policia konfirmoi se Albi Mecini u kap me 2 çanta me lëndë plasëse artizanale (rreth 21.3 kilogramë), të montuara për shpërthim në distancë, si dhe me bidona me lëndë djegëse (benzinë), në 2 automjete.

Mecini, 29 vjeç, i cili u kap në flagrancë, ishte i dënuar më parë për dhënie ndihmë 4 shtetasve, për largim nga një burg.

Sakaq janë identifikuar dhe shpallur në kërkim 2 bashkëpunëtorët e 29-vjeçarit, me të cilët ky person (Mecini) do të kryente ngjarjen kriminale, me lëndë plasëse.

Albi Mecini,  29-vjeçari i arrestuar me çanta me lëndë plasëse, si dhe një 25-vjeçar i shpallur në kërkim nga Policia, janë të dyshuar edhe për rrëmbimin e dy personave, Fatmir Sulollari dhe Leonard Theodhorin, kryer në Sarandë, më datë 9 prill 2023.

Si u krye megaoperacioni 

Në aksin rrugor “Mbrostar-Fier”, shërbimet e Forcës se Posaçme Operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Fier, kapën në flagrancë shtetasin Albi Mecini, 29 vjeç, banues në Kamzë.

Ai u gjet me 2 çanta brenda të cilave ishin 2 pako me rreth 21.3 kilogramë lëndë plasëse artizanale, të montuara me celularë, për shpërthim në distancë. Te dyja çantat u gjetën në afërsi të automjetit të këtij të riu.

Gjithashtu, nga kontrolli i zonës ku ukap Albi Mecini, u gjet një tjetër automjet në brendësi të të cilit ishin 3 bidona me lëndë djegëse benzinë.

Nga veprimet hetimore rezulton se 29-vjeçari Mecini, në bashkëpunim me shtetasit Arafat Manërkolli, 27 vjeç, banues në Dibër dhe Ervis Cukali, 25 vjeç, banues në Tiranë (të cilët u shpallën në kërkim), i kishin siguruar këto kushte dhe mjete, me qëllim kryerjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale.

Policia sekuestroi 2 automjete, 2 çanta me rreth 21.3 kg lëndë plasëse artizanale, e montuar me celularë, për shpërthim në distancë, 3 bidonë me benzinë dhe 4 celularë.

Zhdukja e dy qytetarëve

Në prill 2023 u hap procedimi penal i iniciuar nga policia në Vlorë, për zhdukjen e Fatmir Sulollari dhe Leonard Theodhori, zhdukje e raportuar në Policinë e Sarandës, më datë 09.04.2023.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Policia e Fierit, në bashkëpunim me Policinë e Vlorës, rezultoi se Albi Mecini, shtetasi i arrestuar në flagrancë, me çantat me lëndë plasëse, është autor i dyshuar për këtë rast, së bashku me Sebastian Lataj, 25 vjeç, i cili u shpall në kërkim.

Për Albi Mecini dhe Sebastian Lataj, ditën e sotme 30 gusht 2023, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” .

Kush janë dy burrat e zhdukur në Sarandë

Më 9 prill 2023 u zhdukën mistershëm dy burra. Leonard Theodhori, 46 vjeç, njihej edhe si “Koçolja”. Ai ishte dënuar më parë për vepra penale. Për më tepër ka qenë i dyshuar për pjesëmarrje në Masakrën e Qafë-Gjashtës më 1997 kur u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti.

Më 2003, kur u vra biznesmeni Jaho Bajo, Theodhori ishte në makinën që drejtohej nga Andrea Gjini, i cili i mori jetën biznesmenit.

I dyti i zhdukur është Fatmir Sulovari ose Fatmir Krasniqi, edhe ai 46 vjeç. Ashtu si Theodhori edhe ai ka qenë i dënuar më parë për vepra penale. Ka qenë i dënuar për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosje e lehtë me dashje”. Në prill 2022 ishte arrestuar në Lushnjë pasi në mjetin e tij luksoz u gjetën disa doza marijuane.

Hetimet po vazhdojnë

Strukturat hetimore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe strukturat hetimore të dvp-ve Fier dhe Vlorë, në drejtimin e prokurorive përkatëse, po vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të të dyja rasteve, kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këto 2 raste. /noa.al

Scroll to Top