
Dy tifozë kanë vdekur dhe një oficer policie është në koma pas festimeve masive mbarëkombëtare për fitoren historike të Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve, çmimi më i madh i futbollit evropian, kanë njoftuar autoritetet franceze të dielën, raporton BBC.
Vdekjet dëmtuanngjarjen e madhe pasi PSG-ja fitoi titullin e parë dhe të shumëpritur të Ligës së Kampionëve, në një fitore 5-0 ndaj Interit të Milanit.
Kulla Eifel shkëlqeu në ngjyrat e ekipit dhe tifozët festuan gjatë gjithë natës në festime që ishin kryesisht paqësore, por që u shndërruan në dhunë në disa zona.
Në qytetin jugperëndimor të Dax, një djalë 17-vjeçar vdiq pasi u godit me thikë në gjoks vonë të shtunën në mbrëmje, raportuan mediat lokale.
Një burrë 23-vjeçar që po ngiste një skuter në qendër të Parisit u vra gjithashtu pasi u godit nga një automjet, tha zyra e prokurorit.
Rrethanat e të dy vdekjeve janë duke u hetuar.
Shefi i policisë së Parisit, Laurent Nunez, ka thënë në një konferencë për media të dielën se gjatë festimeve të së shtunës për fitoren e PSG-së në Ligën e Kampionëve, janë plaçkitur katër dyqane, përfshirë një dyqan këpucësh në Champs Elysees.
Ai gjithashtu ka konfirmuar se 491 persona janë arrestuar në rajonin e Parisit dhe nëntë policë janë plagosur.
Nunez ka thënë se 192 demonstrues janë plagosur, duke përfshirë katër me lëndime të rënda.
Në Paris, një i ri ka vdekur gjatë një përplasjeje me një automjet dhe do të bëhet një hetim për të konfirmuar nëse ka lidhje apo jo me festimet.
“Shifra është më e ulët se ajo që kemi parë në të kaluarën, por nuk do të mësohemi kurrë me këtë lloj abuzimi, me njerëz që erdhën vetëm për të kryer akte vandalizmi dhe që as nuk e ndoqën ndeshjen dhe do të kemi gjithmonë një përgjigje shumë të prerë”, ka thënë Nunez.