JiL.al - Jeto i Lumtur

Klinika ku humbi jetën tre vjeçari reklamonte përdorimin

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Për vdekjen e trevjeçarit Brian Spahiu, në një debat Tv në Mcn, analisti Andi Bushati ngriti disa pikëpyetje.

I vogli ndërroi jetë pasi më herët u paraqit te dentisti për të mbushur disa dhëmbë dhe u vendos në anestezi të përgjithshme nga mjeku Roland Xhaxho.

Andi Bushati, ngriti pikëpyetje se përse i gjithë debati për këtë çështje bëhet rreth anestezistit, kur në fakt fëmija është dërguar te dentisti.

Klinika ku është zhvilluar ndërhyrja, reklamonte në mënyrë të vazhdueshme në rrjete sociale dhe ambjente të tjera, si aeroporti i Rinasit, përdorimin e anestezisë së përgjithshme, si një zgjedhje rutinë e pacientëve, duke ngritur dyshime se shitja dhe përdorimi i anestezisë ka qenë parësore në këtë klinikë.

Pjesë nga biseda: 

Andi Bushati: Disa familjarë kanë dërguar fëmijën te dentisti, unë nuk po kuptoj, sepse debati u zhvillua mes familjarëve dhe anestezistit. Pra, e çoj fëmijën të rregullojë dhëmbët. E kam dëgjuar edhe në media, zotëri sa para keni paguar? ( i drejtohet gjyshit)

Guri Spahiu (gjyshi i tre vjeçarit të ndjerë): Paguam dy herë për narkozën, një herë 300 dhe një herë 330 euro. Për dhëmbët 700 mijë lekë.

Andi Bushati: E di pse e bëj këtë pyetje? Thjesht sepse më duket sikur këtu peshën më të madhe e ka marrë anestezia dhe debatin e keni bërë për këtë. Nëse nipi juaj i ndjerë kishte problem me dy dhëmballë dhe dy dhëmbë, kur dikush ju thotë për katër dhëmbë, duhet të paguash 1500 euro, stepem dhe pyes çfarë po bëj? Nuk është puna se, njeriu për fëmijën nuk kursen, por ku kam hyrë? Në një vend, ku për katër dhëmballë më kërkojnë 1500 euro unë mendohem.

Guri Spahiu: Ne nuk na e tha që në fillim që ka 14. Para se ta nxirrte, atëherë na tha që i kam bërë 14 dhëmbë dhe dy doza narkozë. I thashë ç’janë këto dy doza? Ne e kishim për një. Ai ka bërë çdo gjë në fshehtësi. Po të më kishte thënë mua janë 14 dhëmbë, nuk isha i çmendur ta lija fëmijën aty unë.

Andi Bushati: Ju mund ti thoshit, kam patur 300 mijë lek në xhep, kaq ramë dakord në fillim. Po e bëj për të kuptuar jo për paratë.

Guri Spahiu: 300 euro ishte si rrugë për anestezinë, pastaj do të fillonte kruajtja e dhëmbëve dhe pastrimi i gojës.

Andi Bushati: Ajo që më shqetëson, ti shkon te dentist dhe i gjithë komunikimi është me anestezistin. Duket sikur në biznesin, dentisllëku ëshë gjëja dytësore dhe shitja e anestezisë është gjëja parësore.

Scroll to Top