
Elbasan, 2 Korrik 2025 – Kryeministri Edi Rama ka shpallur shqetësimin e tij më të madh në lidhje me funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU). Gjatë fjalës së tij në përfundim të ditës së parë të dialogut për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Rama kërkoi që menjëherë të ndalohet veprimtaria e AKU-së, duke e konsideruar si një agjenci që po sjell më shumë dëm sesa dobi.
Ai theksoi se është koha për të ngritur një komision të posaçëm që do të analizonte burimet njerëzore të AKU-së, për të shqyrtuar mënyrën si janë bashkuar disa inspektorate të ndryshme dhe për të zhvilluar një proces seleksioni për punonjësit që janë të angazhuar në inspektimet e ndryshme.
“AKU-ja duhet të pezullohet menjëherë. Nuk po i bën shërbim bujqësisë, por po dëmton sektorin. Ajo që është e nevojshme është një analizë serioze e burimeve njerëzore dhe një ndarje e qartë mes funksioneve të ndryshme që duhet të kryhen. Komisioni që do të formohet duhet të përfshijë ekspertë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës për një vlerësim më të plotë”, – deklaroi Rama.
Sipas Kryeministrit, AKU-ja ka shpërthyer si një shqetësim për bizneset e bujqësisë, restorantet dhe pikat e tregtimit, të cilat ndihen të mbingarkuara nga kontrolli i tepërt dhe ndëshkimet. Rama kërkoi një transformim të thellë të kësaj agjencie, për të rikthyer besimin e sipërmarrësve dhe për të shmangur efektet e dëmshme që mund të shkaktohen nga ndërhyrjet e paplanifikuara.