Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një takim me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë u ka kërkuar që të respektojnë vendimin e Bankës Qendrore për të ndaluar qarkullimin e dinarit serb. Ai u shpreh se valuta e vetme e lejuar për përdorim në Kosovë do të jetë euroja.about:blank
“Kryeministri Kurti në takim theksoi rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore”, thuhet në njoftimin e zyrës së kreut të Qeverisë.
Takimi i Kurtit me 6 ambasadorët vjen pak ditë pasi Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës të rishqyrtojë vendimin e Bankës Qendrore për dinarin serb, ndërsa Bashkimi Evropian i kërkoi sqarime rreth rregullores së saj.
Javën e kaluar, Banka Qendrore e Kosovës publikoi një rregullore, e cila kërkon që nga 1 shkurti të gjitha transaksionet në Kosovë të bëhen me euro. Sipas vendimit të saj, dinarët serbë do të mund të mbahen në llogari bankare ose të këmbehen në euro. Në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë popullsia atje përdor dinarin serb për të kryer pagesa. Edhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë i marrin pagat me dinarë.
Beogradi dhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në veri akuzuan Prishtinën se me këtë vendim duan të dëbojnë serbët nga veriu i Kosovës.