Zbardhet dosja e SPAK, i cili urdhëroi dje Policinë e Shtetit që të ushtronte kontrolle në kampin e muxhahedinëve në Manzë.
Kontrollet në fjalë sollën reagimin e ashpër të banorëve të këtij kampi, të cilët u përplasën me forcat e rendit, ndërsa 15 efektivë u plagosën, po ashtu edhe nga radhët e muxhahedinëve.
Sipas dosjes argumentohet dhe ndërhyrja e policisë, për të ushtruar kontrolle dhe për të bllokuar disa pajisje elektronike, mes tyre laptopë. Në dosjen në fjalë thuhet se ka dyshime që nga organizata MEK, të kryheshin sulme kibernetike në drejtim të Republikës Islamike të Iranit.
“Është referuar fakti se dyshohet se nga organizata “MEK” (Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit) nga territori i Republikës së Shqipërisë ka kryer sulme kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit në disa periudha të ndryshme kohore si dhe drejt disa institucioneve në shtetin iranian. Duke qenë se statusi i qëndrimit të organizatës MEK në Shqipëri është humanitar, Republika Islamike e Iranit në vazhdimësi ka pretenduar duke ngritur këto dyshime si dhe në mënyrë të vazhdueshme kërcënon se do të ndërmarrë sulme ndaj Shqipërisë dhe organizatës MEK”, thuhet në vendimin e gjykatës.