Por kësaj here due te hyj ne rradhën e njerëzve korrekte dhe t’u uroj shokve te mi Motmotin e Ri 1937. Së pari, t’uroj, shok i dashtun gjumin e ambël, qe te mos ndëgjosh si gjëmojnë njerëzit nën barrën e kryqave të vet tue mundunve, as britmën e ngadhnjysve në këtë jetë. Te mos dëgjosh bubullimën e Spanjës. Gjumin e ambël! Të mos dëgjosh si afër teje gërset dhëmballa për dhëmballë, nga teë ftohtit. Pse atëherë duhet të pyesësh: moj dhëmballë, pse ndeshe për dhëmballë dhe gërset aq?
Në rast se s’ke zjarrm e ke të ftohtë, po, ti qeshu. Në rasë se ndonj ditë, ashtu kot, të mungon dhe buka, ti merre për lojë, për shaka, dhe qeshu, qeshu. Del në rruge bile, në kryqzimin e udhve, dhe qeshu,qeshu,qeshu, e bota do ta ketë zili dhe do të thotë: ah, sa i lumtun asht! E kur të të vije në shtëpi ta shofi shkakun e gëzimit tand, do t’i kujtohet botës vetvetja dhe do të filloje të qeshi kikikikakaka. Smundja e të qeshunit do të përhapet ndër të gjithë dhe njerzit si majmunat do të hidhen përpjetë nga gëzimi… Dhe kështu uroj që vjetin 1937 ta kalojmë në gëzim, edhe se të smunde patalogjisht.