Edhe pse Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç shfaqen si armiq të egër deri në vdekje, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në prapaskenë që luajnë “fijet”. Presidenti serb, apo lideri kosovar nuk bëjnë dot asnjë gjë jashtë urdhrave të amerikanëve. Këtë “marrëveshje të pashkruar” e tregoi së fundmi dhe situata në Veri. Ashtu si Kurti dhe Vuçiç mbajnë qëndrim pro-amerikan, ndërsa nga ana tjetër Bashkimi Evropian vazhdon të luajë “prostitutën”. Mes SHBA dhe BE ka një ndarje të thellë si me thikë në lidhje me gjetjen e fajtorit për tensionet e krijuara mes Beogradit dhe Prishtinës. SHBA çdo herë, por edhe tani ka qenë me tezën që për të arritur paqen mes dy vendeve, duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare ku në fund Serbia të njohë Kosovën si shtet i pavarur, ndryshe nga vendet e BE-së, të cilat kanë një diplomaci shumë më ndryshe se SHBA-ja, ku kjo e fundit është një motor që nuk zmbrapset lehtë, detajet çdo herë punojnë në të mirë të saj, dhe përmban më shumë trimëri brenda diplomacisë së saj.
Plas “lufta” SHBA-BE për Kosovën
SHBA është e qartë me qëndrimet e saj për situatën mes Kosovës dhe Serbisë. Amerikanët e shohin Prishtinën duke nisur nga pozicioni i rëndësishëm gjeostrategjik i tyre. SHBA ka bazën e tyre ushtarake në Kosovë. Në një rajon si Ballkani, SHBA jep siguri se do jetë gjithnjë aty për të mbrojtur Kosovën. Baza amerikane në Bondsteel vazhdon të qëndrojë në rajon prej shumë vitesh për të mbajtur një sy nga Serbia dhe aktivitetet e dyshimta të Rusisë. Në lidhje me situatën në Veri, amerikanët kanë bërë thirrje për të dyja vendet që të ulin tensionet dhe të shkojnë drejt një marrëveshjeje pa dalë me qëndrime të njëanshme. Por ndryshe po vepron Evropa. Bashkimi Evropian këtë herë ka dalë nga linja e SHBA duke i shpallur “luftë” amerikanëve. BE tashmë i ka aplikuar sanksionet ndaj Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në veri dhe vendimin e autoriteteve për të mos u koordinuar me partnerët europianë për uljen e tensioneve. Masat ndëshkuese ndaj Kosovës përfshijnë pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Gjithashtu, pezullohet programi i fondeve për Kosovën nga IPA 2024. Mes të tjerash, bëhet me dije se masat janë të përkohshme dhe të kthyeshme në varësi të zhvillimeve në terren. Disa nga porositë e BE për uljen e tensioneve janë pezullimi i operacioneve policore pranë komunave, zhvendosja e 4 kryetarëve për të ushtruar detyrën në ndërtesa alternative dhe shpallja e zgjedhjeve të reja në veri, ku të garantohet dhe pjesëmarrja e serbëve në to.
Qëndrimi i BE për Kosovën dhe Serbinë
Edhe situata brenda BE është kaotike pasi në Parlamentin Europian po shtohen deputetët që kritikojnë qasjen e Miroslav Lajçak ndaj Kosovës. Përfaqësuesi i Bashkimit Europian për dialogun akuzohet se po favorizon Serbinë në krizën e fundit, ndërsa po bën përgjegjëse vetëm Kosovën. Fakti që ai vjen nga një shteti si Sllovakia, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, po ngrihet gjithashtu si shqetësim. Po ashtu situata për Prishtinën pritet të bëhet më e vështirë. Presidencën e BE pritet ta marrë Spanja, armikja më e fortë e Kosovës, e cila me qëndrimet e saj të prera dhe të qarta ka konfirmuar se nuk do ta njohë kurrë si shtet të pavarur. BE, ndryshe nga SHBA në këtë situatë shikon interesat personale dhe në këtë situatë Serbia, fajtorja që po shkakton krizën në Veri ka marrë mbështetje nga Evropa për shkak të përfitimeve ekonomike. Albin Kurti u fut në zgjedhje me “bekimin” e SHBA-BE dhe në fund zbatoi vetëm kushtetutën. Por çfarë ka bërë Serbia? Ishin serbët që dhunuan trupat e KFOR-it duke kaluar vijën e kuqe. Ishin trupat speciale të Beogradit që rrëmbyen tre policë kosovarë duke kaluar vijën e kuqe për herë të dytë brenda një jave. Ishte Vuçiç që dërgoi ushtrinë në kufi. Është Serbia e cila ka destabilizuar veriun e Kosovës duke ndikuar mbi minoritetin. Është Serbia ka nxitur minoritetin për të bojkotuar institucionet dhe zgjedhjet. Është Serbia që nuk heq dorë nga lobimi për çnjohjen e Kosovës. Është Serbia që bllokon anëtarësimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare. Është Serbia që mban lidhje të ngushta me Moskën nuk dënon agresionin rus në Ukrainë dhe luan me dy karrige.