JiL.al - Jeto i Lumtur

Masakrat që tronditën Shqipërinë

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Kanë motive të ndryshme, por trondisin vendin njësoj. Herë autorë me probleme të karakterit psiko-social, herë me prapavija kriminale apo nacionale dhe herë të tjera autorë të paguar për larje hesapesh e hakmarrje, ndër vite prodhuan dhjetëra viktima.

Masakrat e shumëfishta, shoqëruan Shqipërinë postkomuniste, që në fillimvitet ‘90 dhe deri në ditët e sotme. Ndryshimet në Kodin Penal, për ashpërsim dënimesh, duket se nuk e ndalon një mendje kriminale dhe aq më pak, një mendje të shtyrë nga rrethanat sociale, të kryejë krime makabre dhe të shumëfishta. Në 30 vjet kanë ndodhur shumë krime të rënda, por disa kanë shënjuar historinë kriminale në vendin tonë.

29 maj 1992

Masakra e Libofshës, shuhen 5 anëtarë të një familjeje

Rreth orës 00: 45, të datës 29 maj 1992, dy vëllezër hynë në shtëpinë pronë e familjes Pupa. Ata kanë shfrytëzuar dritaren e njërës prej dhomave ku flinte foshnja tetë muajsh,  Magdalena. Me qetësi kanë goditur me një sëpatë 30-vjeçarin, Agim Pupa, që kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga  Greqia, ku kishte emigruar për afro 1 vit. Po me sëpatë ata kanë qëlluar mbi bashkëshorten e Agimit. Ajo ka ndier nëpër gjumë hapat e hajdutëve dhe është përpjekur të dalë nga dhoma. Aty mes dhomës është qëlluar me sëpatë, duke vdekur me dorën mbi ballë,  për t’u mbrojtur nga goditja. Autorët më pas kanë lidhur nënën e Agimit, Zenepen, dhe pasi janë përleshur  me burrin e saj, Petritin, e kanë qëlluar atë për vdekje. Vrasësit kanë torturuar gruan e moshuar, duke dashur që ajo të tregonte lekët, kursime e të  birit, dhe e kanë lënë duke dhënë shpirt  në korridor. Foshnja e vogël ka qarë vazhdimisht dhe autorët e kanë goditur atë me levë pas qafe. Mustafa Pupa, djali tjetër i familjes, është përballur me skenën e llahtarshme në mëngjesin e ditës pasardhëse. Fillimisht ai ka parë nënën e përgjakur të shtrirë në korridor, muret dhe tavanet e gjakosur. Nëna, Zenepja  ka vdekur dy orë më pas, rrugës për në spital.

Grupi hetimor kishte dy versione për këtë ngjarje: Vrasje për hakmarrje dhe vrasje për grabitje, kjo për faktin se familja Pupa dihej që kishte lekë në shuma të konsiderueshme. Për verifikimin e dy versioneve paralelisht u ndanë detyra konkrete për çdo pjesëtar të grupit operativ, u koordinua puna me Degët e Ruajtjes së Rendit Lushnjë, Elbasan dhe Drejtorinë e Rendit Publik, Tiranë, për verifikimin e personave të dyshimtë në këtë vrasje.


Krahas punës intensive në rrugë hetimore e operative, nuk u hoqën vëmendja në asnjë moment nga verifikimet e tjera. Vetëm pas katër ditësh, eksperti kriminalist i Degës së Rendit Publik, Vlorë, Llazar Plaku, dha konkluzionin kategorik se gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes, në xhamin e superluçes, janë lënë nga Ditbardh Çukos, nga fshati Libofshë. Menjëherë u organizua operacioni për kapjen e autorit, verifikimin e thirrjen e menjëhershme të të gjitha lidhjeve shoqërore e miqësore, daktiloskopimi i tyre dhe kontrolli i banesës së Ditbardh Çukos. Nga kryerja e këtyre veprimeve rezultoi se në banesën e tij u gjetën rroba me njolla gjaku dhe se përveç gjurmëve të tij, në xhamin e hequr kishte lënë shenjat e duarve edhe vëllai i Ditbardhit, Josif Çuko, 22 vjeç.

Mbi këtë bazë u ndaluan si autorë dhe për kontradikta në thënie Ditbardh Çuko, 24 vjeç, Josif Çuko 22 vjeç, motra e tyre si dhe shoku i ngushtë i Ditbardhit. Nga puna intensive e hetuesisë së rrethit, që në momentin e ndalimit, autorët Ditbardh dhe Josif Çuko pranuan se kishin kryer vrasje për motivin e grabitjes dhe hakmarrjes, pasi Agim Pupa kishte dashur motrën e tyre dhe e kishte lënë atë. Hetimi u bë i shpejtë dhe i plotë, brenda katër ditëve çështja penale iu dërgua për gjykim Gjykatës së Rrethit, e cila i dënoi dy autorët me vdekje, varje në litar.

10 Prill 1994

Masakra e Peshkëpisë, vriten komandanti dhe ushtari në Postën Kufitare

Në orën 02:30 të datës 10 prill 1994 sulmohet Posta Kufitare e Peshkëpisë në Gjirokastër dhe ndodh ajo që mori emrin “Masakra e Peshkëpisë”. Organizata terroriste greke “Mavi” (Fronti për Çlirimin e Vorio-Epirit), kaloi kufirin e gjelbër nga Greqia dhe hyri në territorin shqiptar. Ata vranë komandantin e postës, Fatmir Shehu, ushtarin Arsen Gjini dhe plagosën ushtarët e tjerë: Ardian Velmishi, Janaq Zaka, Frederik Kalemi. Në raportin e plotë të Policisë së Gjirokastrës të përpiluar menjëherë pas ngjarjes, që i është dërguar Ministrisë së Brendshme bëhet një përshkrim i hollësishëm i ngjarjes.  “Në 10.04.1994 ora 2.30 6-7 persona të paidentifikuar, të veshur me uniformë ushtarake greke, të maskuar, kanë hyrë nga toka greke, nëpërmjet grykës së Bogazit në tokën shqiptare, në postën kufitare të Peshkëpisë. Aty në mënyrë të befasishme kanë goditur me armë “shutgan” rojën e jashtme të postës, ushtar Arsen Gjini, 20 vjeç, nga fshati Seman i Fierit, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.  Më pas kanë kapur rojën e derës së hyrjes së postës, i cili së bashku me rojën e jashtme e kryenin shërbimin pa municion, e janë futur në ambientet e postës. Dy prej tyre kanë hyrë në dhomën ku flinin oficerët e postës, Qemal Stroka e Siat Selfo, të cilët i kanë nxjerrë të lidhur. Një person tjetër prej tyre ka hyrë në dhomën e Komandantit të postës Fatmir Shehu, 34 vjeç, lindur në Qesarat të Tepelenës e banues në Gjirokastër duke e nxjerrë në korridor. Aty e kanë goditur me automatik, duke i shkaktuar plagë në gjoks e krahun e majtë e për rrjedhojë ka gjetur vdekjen. Pas këtyre veprimeve kanë hyrë në fjetoren e ushtarëve duke goditur me automatik në muret e tavanit të saj.

Kanë sjellë aty trupin e ushtarit të vrarë me automatik dhe kanë goditur dhe plagosur edhe 3 ushtarë të tjerë, që janë jashtë rrezikut, duke u thënë: “Po të lëvizni do ta pësoni si ai. Këtë e bëjmë për ‘Vorio Epirin’, nuk e kemi harruar”. Kanë kërkuar të dinë se ku është depoja e armatimit por ushtarët nuk e kanë treguar atë. Gjatë kësaj kohe kanë kontrolluar dhe kanë marrë 16 automatikë, 2 pistoleta në kasafortën e fjetinës duke i këputur drynat. Pasi kanë lidhur me pranga oficerin Qemal Stroka, e kanë marrë me vete duke u thënë ushtarëve që ky është i vdekur, prandaj ju mos lëvizni. Pasi e kanë marrë me vete janë larguar në drejtim të kufirit nga gryka e Bugazit. Afër kufirit rreth 200 m larg piramidës 24, e kanë lënë oficerin Qemal Stroka të lidhur me pranga duke i thënë që të kthehet në postë dhe për çdo minoritar do të paguani 10 nga ju dhe kanë ikur në tokën greke.

Veprimet e para hetimore u bënë me grup hetuesish të policisë hetimore. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën gëzhoja e automatikut “shutgan” me të cilat kishin qëlluar. Në rrugën e kthimit për në tokën greke u gjetën disa pajime ushtarake si, çanta shpine, dritë dore të prodhimit amerikan. Nga veprimet e para hetimore u provua se disa persona të paidentifikuar nga ata, flisnin vetëm greqishte të pastër, njëri fliste shqipe të çalë me theks minoritar dhe tjetri shqipe të pastër me dialekt të jugut. Nga policia hetimore u ndaluan për shpërdorim detyre, për mos marrjen e masave për kryerjen e rregullt të shërbimit, e organizimin e punës për ndjekjen e mos kapjen e këtij grupi terrorist, nënoficerët e postës kufitare të Peshkëpisë si më poshtë: Qemal Stroka, 30 vjeç banues në Peshkëpi, nënoficer në këtë postë, instruktor qeni me kombësi e shtetësi shqiptare. Sihat Selfo, 42 vjeç, banues në Peshkëpi, nënoficer, magazinier. Oficer Arjan Guma, 39 vjeç, banues në Gjirokastër, komandant i qendrës së stërvitjes, për arsye se ka urdhëruar të kryhet shërbimi pa municion në postë. Në dëshmitë e dhëna në lidhje me faktin se armët nuk kishin municion, theksohet se: “Ushtarët e rinj nuk kishin përfunduar karantinën dhe nuk duhet të përdornin armën. Duke qenë se nuk kishte ushtarë të vjetër në repart, ishin të detyruar të planifikonin roje ushtarët e rinj me armë pa municion”.  Fakti që rojet nuk kanë pasur municion në armë nuk është zbardhur nga ana e Prokurorisë, pasi mungonte fashikulli i “shpërdorimit të detyrës”.

Për këtë ngjarje, është hetuar tri herë, kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim, Fredi Beleri.  Më e fundit ishte më 31 janar 2019, kur prokurori i Gjirokastrës firmosi rihapjen e dosjes për ngjarjen e 10 prillit të vitit 1994, në Peshkëpi. Por organi i akuzës atje shpalli moskompetencë dhe dosja u tranferua për hetime tek Krimet e Rënda. Në maj të vitit 2019, Fredi Beleri, u pyet për tri orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku iu komunikua akuza: “Kryerje e aktiviteteve dhe veprimtarive terroriste”. Sipas akteve në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dy ushtarakët e vrarë dhe ushtarët e tjerë të plagosur, janë qëlluar nga komandoja që erdhi nga territori grek.  Prokurori i çështjes, kishte lënë porosi pyetjen e 41 personave. Mes këtyre personave ishin edhe ushtarët e plagosur në postën kufitare dhe nën oficeri që u mor peng nga komandoja terroriste “Mavi”, shtetasi Qemal Stroka.  Për hetimin e plotë dhe të gjithanshëm të këtij procedimi penal prokuroria e Krimeve të Rënda i nisi një letërporosi autoriteteve greke. Nëpërmjet kësaj letërporosie prokuroria kërkonte informacion nga autoritetet greke, lidhur me personat e arrestuar më datë 19 Mars 1995 në Greqi, të cilëve ju janë kapur armë e municione. Njëherësh kërkoheshin emrat e plotë të këtyre personave, sasia e armëve dhe municionit, tipi, lloji si dhe numrat serialë të tyre, të sekuestruar në Greqi.

Kërkohej po ashtu edhe verifikimi i këtyre personave mbi aktivitetin e tyre në Greqi dhe se ku ndodhen aktualisht me qëllim pyetjen e tyre lidhur me ngjarjen e Pëshkëpisë.

E me gjithë këto porosi e veprime hetimore, më 24 dhjetor të vitit 2021, Prokuroria e Posaçme pushoi hetimin, me konkluzionin se nuk janë gjetur prova të mjaftueshme.  Tashmë dosja është e arkivuar, ashtu si edhe në rastet e mëparshme, me siglën “Pa autor”. Fredi Beleri dhe dy të dyshuarit e tjerë të kësaj ngjarjeje, prej asaj date u liruan nga akuzat e ngritura ndaj tyre.

23 maj 1997

Masakra e Cërrikut, vriten 6 gardistë, plagosen 15 policë

Ende pa u larguar era e barutit të trazirave të marsit, më 23 maj 1997, një tjetër ngjarje të rëndë ndodhi në qytetin e Cërrikut. Gjashtë punonjës të Gardës së Republikës, Besnik Sula, Halit Haxhia, Bashkim Mella, Qemal Mehmeti, Sali Martini dhe Petrit Ndoj mbetën të vrarë dhe 15 policë të tjerë u plagosën pas një përleshjeje me armë. Ngjarja që më vonë mori emrin “Masakra e Cërrikut”, ndodhi nga ora 08:30 deri në orën 09:15. Një ngjarje që në mediat e asaj kohe u dha shumë e cunguar. Pa version zyrtar, pa dëshmi e mbi të gjitha pa një motiv përse ndodhi. Ngjarja e Cërrikut, është një nga më të errëtat ndër historitë me shumë gjak të vitit 1997. Masakra e Cërrikut u zbardh vetëm dhjetë vjet më pas, kur në vitin 2007, gjatë aksionit të koduar me emrin “Autoblinda”, policia vendosi në pranga Roland Xhepexhiun, i cili akuzohet se në bashkëpunim me të pandehurit Llazar Bicja, Meti Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi, kanë kryer masakrën e datës 23 maj. Në hyrje të qytetit, të akuzuarit qëlluan me antitank mbi karvanin e policisë që mbërriti në Cërrik për ringritjen e postës së policisë, e cila ishte shkatërruar një ditë më parë. Qyteti në atë kohë ishte nën kontrollin e rebelëve të armatosur. Pas një procesi maratonë që zgjati më shumë se 4 vjet, gjykata vendosi dënimin me burgim të përjetshëm për 3 prej anëtarëve të bandës së Cërrikut. Konkretisht për Meti Bozin, Arjan Toskën dhe Roland Sotën (Xhepexhiun). Për Bujar Buzanin, i cili kishte statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, gjykata vendosi dënimin me 8 vite burgim. Llazar Bicja, Alban Toska dhe Entel Gashi u dënuan me nga 22 vite burgim. Skënder Cani u dënua me 21 vjet burg dhe Tomorr Buzani me 23 vjet burg.

17 Qershor 1997

Masakra e Urës Vajgurore, vriten 4 policë , plagosen 6 të tjerë

Data 17 qershor 1997 mbahet mend si një ditë e errët për banorët e Urës Vajgurore sot me emrin Dimal. Për atë që njihet si Masakra e Urës Vajgurore, prokurorët arritën të ndërtonin një skemë, mbi bazën e dëshmive. Pas shumë mitingjeve, Fatos Nano, kryetari i atëhershëm i Partisë Socialiste, kishte arritur në fund të itinerarit elektoral. Berati ishte projektuar si qyteti që do të mbyllte fushatën në Jug të vendit. Në Urën Vajgurore, PS organizoi një miting në sheshin e qytetit, ku së bashku me eskortën të ardhur nga Berati, të pranishmit arrinin në rreth 1000 vetë. Atëherë, qytetin e kontrollonin bandat. Thuhet se mitingu i socialistëve në Berat nuk ishte ai që pritej. Krerët e saj u larguan nga ky qytet për të vijuar rrugën drejt Fierit. Ata u përcollën deri në Komunën e Poshnjes, në qendër të së cilës qëndronin një grumbull njerëzish  që sa kishin dalë nga një takim elektoral me të ndjerin Azem Hajdari dhe Genc Pollon. Eskorta që shoqëroi drejtuesit e PS-së mbërriti në Urën Vajgurore, kur një i ri qëlloi drejt rojeve të viles së Protoduareve. Këta të fundit, të vendosur mbi tarracën e vilës u kundërpërgjigjën duke vrarë 16-vjeçarin. Pjesa e eskortës, që mundi të kalojë vilën, shkoi në Berat dhe mori përforcime, armë e municion. Pjesa tjetër që mbeti pas, u mblodh në sheshin para karburantit. Disa persona rrëmbyen një autoblindë policie, duke kërcënuar uniformat blu. Rojet e vilës qëlluan mbi tankun me predhë antitank kur brenda kishte punonjës policie. Katër prej tyre gjetën vdekjen. Miltjadh Koço, Asllan Selmani, Arjan Shemuni dhe Ilia Banaj. Nga ana tjetër, rojet e vilës mundën të tërhiqen, por jo të gjithë. Njëri prej tyre u kap rob nga kundërshtarët dhe u ekzekutua. Trupi i tij u lidh prapa një autoveture, me të cilën e zvarritën deri në Berat, ku e dogjën. Dëshmitarët kanë treguar se protagonistët e kësaj masakre, por edhe ngjarjeve të tjera të rënda, ishin simpatizantë të dy partive kryesore në vend, PS-së dhe PD-së.

Për këtë ngjarje është dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm Musa Protoduari, ndërsa bashkëshortja e tij Fatbardha, ish-pronare e vilës së njohur në qendër të Urës Vajgurore është dënuar me 17 vjet burg. Musa Protoduari për herë të parë pas ngjarjes së ’97-ës, në gusht të vitit 2022. Ai ndodhet në arrati, pasi akuzohet nga shtetit shqiptar si organizator i masakrës. Policia shqiptare, e cila e ka shpallur në kërkim së bashku me të birin Shkëlqim Protoduri, ka në arkivat e saj një foto të tij me flokë të gjatë dhe kaçurrela, por në imazhin e publikuar vitin e kaluar nga media kanadeze “National Post”, ai tashmë në moshën 76-vjeçare duket një burrë krejtësisht i transformuar. Në janar të vitit 2020, Musa Protoduari, kërkoi nga arratia rishikimin e vendimit të gjykatës për dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Në kërkesën e tij, Musa Protoduari bazohej te fakti që është dënuar në mungesë dhe pa praninë e një avokati. Media kanadeze shkruante se ishin sulmet ato që e shtynë Protoduarin dhe anëtarët e familjes së tij të kërkonin mbrojtje refugjatësh në Kanada, duke ndezur një betejë ligjore që zgjati për më shumë se 12 vjet.

9 Shkurt 2006

Masakra e Kozarës, vriten 3 anëtarë të një familjeje

Më 9 shkurt të vitit 2006 fshati  Kozarë i Kuçovës, përjetoi një tragjedi të rëndë. Në shtëpinë e tyre u vranë tre pjesëtarët e një familjeje të re, prindërit dhe djali i tyre 2 vjeç. Vrasja u konsiderua e katërfishtë, pasi gruaja ishte shtatzënë. Të vrarë nga të shtënat e një arme zjarri mbetën Shpëtim Mara, 35 vjeç, bashkëshortja e tij Florie Mara, shtatzënë në muajin e katërt dhe djali i tyre 2-vjeçar, Artiol Mara. Si autor i kësaj ngjarje u arrestua vëllai i Shpëtimit, Luan Mara.

Sipas versionit të Prokurorisë, më 9 shkurt 2006, rreth orës 19:00, Shpëtim Mara shkoi për një vizitë te vëllai i tij, Iliri, me gruan dhe djalin 2 vjeç. Rreth orës 21:00 ata janë rikthyer në banesën e tyre. Në këtë kohë, në banesën e Shpëtim Marës ka shkuar vëllai i tij, Luani, i cili sipas Prokurorisë donte të sqaronte një debat mes tij dhe Shpëtimit. Mendohet se dy vëllezërit kanë debatuar në prani të gruas së Shpëtim Marës dhe djalit 2-vjeçar. Shkak i debatit ka qenë dyshimi se Luan Mara ka pasur marrëdhënie intime me gruan e të vëllait, në kohën kur Shpëtimi ndodhej emigrant në Greqi. Pasi janë përleshur, Luan Mara është larguar, por më vonë është kthyer në banesën e të vëllait i armatosur. Shpëtim Mara, gruaja e tij dhe djali 2-vjeçar kanë qenë pranë sobës kur janë qëlluar me breshëri arme. Viktimat u gjetën pa jetë të nesërmen në mëngjes.

Në mars të vitit 2018, Luan Mara u dënua për të tretën herë radhazi me burgim të përjetshëm. Dy vendimet e para ishin rikthyer për gjykim nga Gjykata Kushtetuese, por dhe kësaj radhe Gjykata e Beratit e dënoi me burgim të përjetshëm. Ishte kjo gjykatë që në krye të herës e shpalli fajtor dhe dënoi me burgim të përjetshëm  Luan Marën, i cili  arrestua dhe u dënua me akuzën për vrasjen.

7 Gusht 2009

Dritan Dajti ekzekuton 4 oficerë Policie në Durrës

Më 7 gusht të vitit 2009, Policia kishte marrë informacioneve për lëvizjet e personit shumë të kërkuar, Dritan Dajti, i cili strehohej në një banesë në afërsi të pistës “Iliria” ne plazhin e Durrësit. Sapo mori këtë informacion Sektori i Operacioneve Speciale organizoi shërbime në këtë territor për të bërët të mundur identifikimin dhe kapjen e tij. Rreth orës 13:45 nga shërbimet e vendosura është konstatuar se personi shumë i kërkuar është afruar me një makinë Ëolksëagen Tuareg, me ngjyrë të errët. Makina është parkuar në rrugën dytësore “Pista Iliria 2”, Durrës.  Drejtuesi i mjetit ishte Ergest Xhoxhi, i cili ka ndaluar përballë një furgoni të bardhë. Mjeti është lënë ndezur dhe nga aty kanë zbritur Ergest Xhoxhi dhe Ledion Mara, të cilët kanë qëndruar në këmbë pas makinës, ndërsa brenda, në sediljen e pasme qëndronte Dritan Dajti.

Në këtë moment komandanti i forcës së posaçme, Fatos Xhani që ishte në terren, rreth 20 metra larg nga automjeti përballe tij, pasi ka parë skenën ka urdhëruar grupet e forcës së posaçme që tashmë ishin afruar mjetit, që të ndërhynin për neutralizimin e Dajtit, i cili kishte mbetur i vetëm në makinë. Kur janë afruar tek mjeti “Touareg”, punonjësi i policisë Fatos Xhani ka hapur derën e parë të krahut të shoferit dhe me thirrjen “Ndal policia” i është drejtuar personit që ndodhej në sedilen e pasme. Në këtë moment, Dritan Dajti ka qëlluar drejt Fatos Xhanit duke e lënë të vdekur. Pasi ka parë praninë e policisë Dajti ka tentuar të dalë nga dera e pasme e krahut të pasagjerit, por dhe aty ka konstatuar forca policie. Në atë moment tek dera e pasme e krahut të pasagjerit është afruar për të hapur derën punonjësi i policisë, Saimir Duçkollari. Në këtë moment Dritan Dajti, nga brenda makinës ka hapur zjarr nga krahu i djathë me dy armë zjarri, ku për pasojë ka mbetur i vrarë punonjësi i policisë Sajmir Duçkollari, i cili sapo kishte prekur dorezën e derës.

Kjo skenë është parë e gjitha nga një dëshmitar, punonjës Policie që ka qënë vëtëm 2 metra larg Duçkollarit. Në këtë moment dëshmitari tregon se është tërhequr dhe ka mbushur automatikun që kishte me vete por kur ka dashur të qëllojë arma e tij është bllokuar. Një tjetër efektiv ka qenë në pjesën e pasme të makinës, në krahun e majtë dhe ka parë skenën e vrasjes së Fatos Xhanit. Nga ana tjetër, Kastriot Feskaj dhe dy efektivë të tjerë janë përpjekur të neutralizojnë tre persona që qëndronin në këmbë pas mjetit tip “Touareg” në momentin kur forcat policore hynë në veprim. Njëri ka neutralizuar një të ri, rreth 25 vjeç dhe thetri ka prangosur Erges Xhoxhin, të cilin ka tentuar ta largojë nga vendi ku po zhvillohej ngjarja pasi kishte shumë të shtëna me armë zjarri. Ndersa Kastriot Feskaj është përpjekur të ndihmoj kolegun e tij të lëvizte nga vendi shtetasin Ergest Xhoxhi për ta nxjerrë jashtë nga rezja e zjarrit që vazhdonte të qëllohej nga Dritan Dajti.

Personi, i cili është neutralizuar në fillim nga polici ka mundur t’i largohej atij dhe në ndjekje i është vënë Kastriot Feskaj duke u futur në një rrugicë paralel me makinën ku ndodhej i kërkuari. Nga ana tjetër, Dritan Dajti, i identifikuar si personi që qëlloi nga brenda “Touareg-ut” dhe vrau dy punonjësit e policisë Fatos Xhani dhe Sajmir Duçkollari, ka dale nga dera e pasme e mjetit, krahu pas shoferit dhe menjëherë ka hapur zjarr në drejtim të punonjësit të policisë Altin Dizdari në distancë jo të largët. Nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i vrarë polici Altin Dizdari, i cili nuk ka arritur te hynte ne operacion pasi sapo kishte ardhur ne vendngjarje me motor  i maskuar me rroba plazhi. Njëkohësisht nga përdorimi i armës prej Dritan Dajtit, në momentin kur është qëlluar drejt Altin Dizdarit ka mbetur i vrare dhe shtetasi Ledion Mara, i cili ishte i shoqëruar me Ergest Xhoxhin dhe po qëndronte me të pas makine në momentin kur mbërriti Policia. Pasi ka kryer këto veprime personi që doli nga makina i identifikuar tashme si Dritan Ddajti ka vazhduar rrugën në drejtim të rrugicës së plazhit me një çantë që kishte krahë qafë me qëllim që të hynte në plazh dhe të përzihej me plazhistët. Pikërisht në atë rrugicë, me pistoletën që mbante në dorë, Dajti ka qëlluar dy herë në drejtim të efektivit tjetër të Policisë, i cili kishte mbetur i rrëzuar në mesin e rrugës për në plazh në momentin që po përleshej me personin që arriti t’i largohej. Nga ana tjetër personi që ka mundur t’i largohej policit është ndjekur me vrap nga Kastriot Feskaj dhe në hyrje të rrugicës së dytë Kastrioti ka arritur ta neutralizoj këtë person. Pasi ka parë këtë skenë, Dritan Dajti  i është afruar Kastriot Feskajt duke e qëlluar disa herë nga pas, dy herë edhe në kokë. Në këtë moment Feskaj e ka lëshuar personin që kishte neutralizuar, i cili ka arritur të largohet pa u identifikuar ndërsa Dajti ka vazhduar rrugën drejt plazhit dhe ka qëlluar dhe në drejtim të një kalimtari të rastit që po kthehej nga plazhi.

Në ndihmë të këtyre punonjësve të policisë kanë ardhur dhe efektiva të tjerë policie të cilët kanë bërë të mundur neutralizimin e Dritan Dajtit me pistoletë në dorë, i cili pasi ka mbetur i plagosur me një plumb në këmbë dhe një në bark është rrëzuar në mesin e rrugës. Në këtë moment, pranë tij është afruar efektivi i Polici, i cili ka arritur ta prangosë atë duke i hequr dhe armën që kishte me vete, që ishte krejtësisht e zbrazur, pa municion në të. Ky ka qenë dhe momenti që personi i sapo prangosur është vetë identifikuar si Dritan Dajti.

Në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pranoi gjykimin e shkurtuar, duke dënuar në total me 25 vite burg Dritan Dajtin për vrasjen e 4 policëve. Procesi ndaj Dajtit zgjati rreth 10 vite, ndërsa në Shkallë të Parë u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2014. Gjykimi i shkurtuar i ka dhënë të drejtën Dajtit të përfitojë nga ulja e dënimit me 1/3-ën. Çështja është gjykuar nga gjyqtarë, të cilët vinin nga Apelet e Rretheve, ndërsa vendimi u dha pas disa seancash shtyrje për mos formim të trupit gjykues.

4 Nëntor 2014

Masakër në tavernën në Tiranë, Kostandin Xhuvani vret 4 persona

Një masakër me katër të vrarë ndodhi në orë 04:20 të datës 4 nëntor 2014, në një tavernë me muzikë në Tiranë. Kostandin Xhuvani, djali i aktores Luiza Xhuvani, në atë kohë deputete e Kuvendit të Shqipërisë, vrau me armë zjarri 4 vetë, pas një bedati në ambientet e brendshme të lokalit. Ngjarja ndodhi në një ambient tek rruga e Elbasanit, përballë Fakultetit Filologjik. Policia njoftonte zyrtarisht se në vendin e ngjarjes, në bar “Ante Grand”, pas hyrjes së forcave të policisë janë konstatuar pranë portës hyrëse të lokalit, trupat e pajetë të shtetasve, Edison Jaho, 36 vjeç dhe Enea Xhaji, 38 vjeç. Ndërsa përballë këtij lokali, në automjetin tip “Mercedez”, është gjetur i vdekur shtetasi Arbër Demiraj, 19 vjeç. Sipas të njëjtave burime, pak kohë më pas, në Spitalin Ushtarak gjeti vdekjen edhe shtetasi Giaampaolo Azzola, 60 vjeç, me shtetësi dhe kombësi Italiane, i cili kishte shkuar aty i plagosur rëndë. Më i riu ndër katër personat që mbetën të vrarë ishte 19-vjeçari Arbër Demiraj. Ai ishte djali i vetëm i ish-prokurorit Skënder Demiraj. Në momentin kur shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje, nuk kanë konstatuar shenja jetë në trupin e tij. Ai është gjetur në makinën “Mercedez ML”, të cilën më parë e kishte pasur vetë në përdorim, por në atë moment ishte transportuar aty nga Kostandin Xhuvani dhe Erald Sida. Sipas Policisë Demiraj ka pasur një plagë tejshpuese në trup, gjë që dyshohet të ketë sjellë vdekjen e tij të menjëhershme në ambientet e brendshme të lokalit.

3 Shkurt 2016

Sulmohet me armë lokali, vriten tre anëtarë të familjes Çapja

Mbrëmjen e 3 shkurtit, në lokalin që në Elbasan njihet me emrin “Rrapi i Gonit”, pjesëtarë të familjes Çapja, të afërm e miq të tyre ishin mbledhur për një gëzim familjar. Arnoldi, djali i Agron Çapjas, pronarit të lokalit ishte kthyer 3 ditë më parë në Shqipëri. Për të festuar kthimin e tij ishin mbledhur 10 vetë. Të paktën kështu thotë Policia. Megjithatë mund të kenë qenë edhe më shumë, por emrat e tyre nuk u përmendën askund.  Policia shpërndau vetëm emrat e 3 të vrarëve dhe 8 të plagosurve. Nuk kishte kaluar as një orë nga nisja e dollive në lokal, kur në drejtim të tij janë derdhur 65 plumba. Breshëri kallashnikovi, madje dyshohet edhe mitralozi kanë sharruar të gjithë ata që ishin brenda. Bilanci, 3 të vdekur, 8 të plagosur. Viktimat ishin: Agron Çapja, nipin e tij, Ardit Sinakolin dhe miku i familjes, Eno Bedallin. U fol se atë mbrëmje u paraqitën për të marrë mjekim në spital edhe Florenc Çapja e Bledar Muça, por sipas mjekut kishin dëmtime të lehta dhe u larguan. Ndërsa Policia nuk i përmendi si palë të dëmtuar. Vrasja e 3 personave e plagosja e 8 të tjerëve, ndonëse dukej si një krim i paralajmëruar, për askënd në qytet nuk ishte menduar se mund të merrte përmasa të tilla. Pamjet e disa kamerave sigurie, por edhe dëshmitarët, treguan se autorë të masakrës kanë qenë të paktën 4 persona të veshur me uniforma kamuflazhi si ato të forcave speciale të Ushtrisë. Në kokë kishin kapuçë të zinj që mbulonin tërësish fytyrën, përveç syve.  Dy prej tyre kanë zbritur nga makinat dhe kanë qëlluar nga afër lokalit, ndërsa dy të tjerët kanë qëlluar në distancë nga brenda makinave.

27 Maj 2015

Përplasje me armë te Fakulteti i Shkencave, vriten 3 persona

Më 27 maj të vitit 2015, tre persona mbetën të vrarë gjatë një përplasje me armë zjarri që ndodhi shumë afër qendrës së Tiranës. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:20, në Bulevardin “Zogu i Parë”, në hapësirën mes maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Viktimat ishin shtetasit, Mentor Lufi, 39 vjeç, shoku i tij, Gerti Goxhaj, 33 vjeç dhe Besnik Sulku, 34 vjeç, i cili ishte njëri prej atentatorëve. Burimet thanë në atë kohë se objekti i këtij atentati ishte shtetasi Mentor Lufi. Policia ndaloi 3 persona, dy nipat e Lufit, Markelian dhe Klevis Doçi, që dyshohet se janë kundërpërgjigjur me armë pasi është qëlluar xhaxhai i tyre dhe shtetasi italian Salvatore Letticia, i cili shoqërohej me atentatorin Besnik Sulku, i cili po ashtu mbeti i vrarë.

Sipas veprimeve të para që grupi hetimor ka kryer në vendin e ngjarjes, rezultoi se dy grupe personash, me precedentë të mëparshëm  penal kanë pasur shkëmbim zjarri mes njëri-tjetrit. Mentor Lufi së bashku Gerti Goxhaj kanë qenë të ulur në një kafe pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Jashtë lokalit kanë qenë duke pritur dy nipat e Mentor Lufit, Markelian dhe Klevis Doçi, brenda një makine tip “Tuareg” që qëndronte e parkuar. Pasi kanë dalë nga kafja, Mentor Lufi ka hipur në mjetin tip “BMË” si pasagjer dhe drejtues mjeti ka qenë Gerti Goxhaj. Ndërkohë pas tyre vinte mjeti tip “Touareg”, me të cilin udhëtonin dy nipat e Lufit. Në momentin kur mjeti tip “BMË” ka filluar lëvizjen, në këmbë kanë qenë dy shtetas, të cilët kanë hapur zjarr duke  qëlluar me pistoleta në drejtim të dy shtetasve që udhëtonin në këtë makinë. Burimet zyrtare të Policisë thanë se në këtë kohë janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dy nipat e Mentor Lufit, duke goditur me mjet një nga autorët e dyshuar, shtetasin italian Salvatore Letticia e më pas edhe Besnik Sulkun, i cili hapi zjarr i pari ndaj xhaxhait dhe mikut të tij.

Gerti Goxhaj, një prej 3 viktimave rezultoi se ishte vrarë gabimisht. Krimet e Rënda kanë nxjerrë këtë përfundim, pas ekspertizës së kryer mbi trupat e viktimave. Rezulton se Besnik Sulku dhe italiani Salvatore Leticia kishin si shënjestër Mentor Lufin, i cili dyshohej se urdhëroi vrasjen në Holandë të Durim Sulkut. Ekspertiza zbuloi se plumbat që u qëlluan mbi Lufin përfunduan mbi trupin e Gerti Goxhajt, nga Tirana.

10 Gusht 2018

Masakra e Selenicës, shuhet një familje, vriten 8 vetë

Një familje u shua pasditen e 10 gushtit të vitit 2018 në Selenicë të Vlorës. Ndërsa një varrezë e re u hap fare pranë banesave të fisit Zykaj, 8 anëtarë të së cilës nuk jetojnë më. Amaneti i Demir Zykajt, vëllait të gjyshit të autorit u çua në vend. Sa ishte gjallë ai u kishte kërkuar të bijve që ta varrosnin në tokat e tij, jo në varrezat e fshatit. Por Demiri nuk e kishte parashikuar një fund tragjik të tillë për djemtë, gratë e tyre, madje edhe nipin e mbesën. E kush mund ta kishte menduar. Aq më tepërt që vdekje do u vinte nga nipi i vëllait të tij. Nga një 24-vjeçar që e kishte rritur vetë në shtëpinë pranë e që pasditen e 10 gushtit, pa iu dridhur dora vrau të gjithë familjen. Madje nuk i kurseu plumbat as për kushëririn e vet 8-vjeçar që e gjeti në tavolinën e bukës. As për kushërirën 15-vjeçe, që kishte mbaruar klasën e nëntë me rezultate të shkëlqyera e që u varros bashkë më të vëllain, nënën e babanë. Masakra e Selenicës ndodhi rreth orës 18:00 në fshatin Resulaj të Selenicës, në Vlorë pas sherrit për pulat mes dy familjeve të të njëjtit fis dhe kushërinj me njëri-tjetrin. Një nga gratë e familjes, teksa ndodheshin në një drekë familjare e ka akuzuar se i kishte vjedhur pulat dhe kaq ka mjaftuar që i riu të ngrihet, të marrë armën. Ai qëlloi mbi tetë persona duke lënë të vrarë: Demir Zykaj 76 vjeç (kryefamiljar), bashkëshorten e tij Perri Zykaj, 76 vjeçe, dy djemtë Besim e Azem Zykaj, 45 e  49 vjeç, Vasilika Zykaj 40 vjeç, bashkëshortja e Besimit, Afërdita Zykaj, 47 vjeçe, bashkëshortja e Azemit, si dhe dy fëmijët e Besimit, Sara, 15 vjeçe e Ledioni 8 vjeç.

Arratia e autorit të masakrës mori fund në të gdhirë të datës 11 gusht. Ai është arrestuar nga forcat speciale RENEA, i fshehur në disa kallamishte, disa qindra metra larg shtëpisë së tij.  Mbi 500 punonjës policie, FNSH, DELTA, RENEA dhe efektivë të Policisë së Vlorës, morën pjesë në operacionin për arrestimin e tij.

27 qershor 2021

Masakër në plazhin e Velipojës, 4 të vrarë nga përplasja me armë

Më 27 qershor të vitit 2021, një masakër me 4 të vrarë ndodhi në një prej lokaleve në zonën e plazhit të Velipojës. Një nga katër viktimat e asaj masakre ishte një 20-vjeçar që nuk kishte asnjë lidhje me konfliktin e lindur mes pronarëve të dy bizneseve, që u përplasën me armë. Ishte dita e tij e parë e punës si kamarier në biznesin e vëllezërve Gocaj, që po ashtu mbetën të vrarë. Musaen Zeneli, nga lagjja “Bahçallëk” e Shkodrës, ishte më i vogli i familjes së tij. Në dhjetor mbushte 20 vjeç e ndonëse ishte me probleme shëndetësore, kishte vendosur të punonte, për t’i ardhur në ndihmë familjes së tij prej tre anëtarësh.

Një përplasje me armë mes pronarëve të hotel “Fantazia” dhe pronarëve të hotelit “Gocaj”, në Velipojë, solli vrasjen e 4 persona, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur. Viktimat ishin Kujtim Ferracaku, 59 vjeç, vëllezërit Xhovan e Edmond Gocaj, 25 e 38 vjeç dhe Musaen Zeneli, 20 vjeç.

Në seancën për masën e sigurisë, Hasan Ferracaku konfirmon se konflikti nisi për çështjen e shezlongëve dhe se ky sqarim degjeneroi me përdorimin e armëve të zjarrit. Ai shprehej se vëllezërit Gocaj, të cilët mbetën të vrarë nga ngjarja, pretendonin se shteti duhet të ndante në terren hapësirën në plazhe, ndërsa Agjencia e Bregdetit, në varësi të Ministrisë së Turizmit, i kishte dhënë familjes Ferracaku të drejtën e shfrytëzimit. Ashtu si babai i dy prej të vrarëve, edhe Hasan Ferracaku tregonte se në vitin 2017 hapësira ishte përdorur nga vëllezërit Gocaj dhe se atë vit që ndodhi ngjarja do të https://www.jetoilumtur.al/wp-content/uploads/2010/08/triforce-wallpaper.jpgistrohej prej tyre.

17 Korrik 2022

Vritet në atentat nipi i Ervis Martinajt e dy miqtë e tij

Mesditën e 17 korrikut të vitit 2022, një atentat i frikshëm i ndodhur në mbikalimin e Fushë-Krujës, tronditi vendin. Tre të rinj, u qëlluan brenda një makinë, të cilës më pas iu vu flaka. Asnjëri nuk arriti të mbijetojë. Një prej viktimave ishte Brilant Martinaj, djali i xhaxhait të Ervis Martinajt, por që për të gjithë njihej si nipi i tij.

Grupi hetimor mblodhi në atë kohë prova të shumta në vendngjarje, dy aparate celularë pjesërisht të djegur dhe më shumë se 60 orë filmime të kamerave të sigurisë. Nga rindërtimi i skenës së krimit, u konkludua se autorë mund të kenë qenë katër persona të përgatitur për ngjarje të tilla dhe që e njihnin mirë zonën.

Tre prej tyre kanë hapur zjarr me breshëri sapo mjeti “Passat” me të cilin udhëtonin viktimat u fut në mbikalim. Vendi ishte zgjedhur me kujdes, që Martinaj, Hoxha dhe Vata të mos kishin asnjë mundësi shpëtimi. Edhe pse u pyetën në lidhje me këtë ngjarje, si persona që mund të kishin dijeni, Prokuroria nuk mundi të provonte asgjë dhe të gjithë u lanë të lirë. Atëherë kur pritej një kundërsulm, që do të merrte hak për vrasjen e Brilant Martinajt, pa u bërë një muaj nga ngjarja, Ervis Martinaj denoncohet i zhdukur.

E në këtë kohë, del në skenë emri i Fatjon Muratit, i cili bashkë me familjen ishte objektiv i një atentati më 12 mars të këtij viti, ku mbeti e vrarë banakierja Mimoza Paja në Tiranë.  Prokuroria e Krujës kërkoi në atë kohë marrjen në pyetje të disa personave në lidhje me atentatin me tre të vrarë.

Mes emrave që kërkonte organi i akuzës për t’u pyetur ishin, Fatjon Murati, Gentjan Reçi, nipi i ish-policit të vrarë Xhelal Reçi, të cilët kanë lidhje krushqie me Endrit Doklen, por edhe vetë Dokle. Megjithatë, edhe kjo vrasje, si shumë të tjera, vijon të jetë pa autor.

Sistemi, përgjegjës për të vënë drejtësi, herë pas here bën padrejtësi duke riaktivizuar kriminelë, të cilëve u jep dënime minimale. Duke krijuar lehtësira ligjore e duke pranuar gjykim të shkurtuar si në rastin e Dan Hutrës. Sot ai është 40 vjeç dhe mban autorësinë e 4 vrasjeve dhe tri plagosjeve.  Të paktën për kaq është arrestuar e dënuar.  Më 1 mars të vitit 2023 ai vrau tri gra e plagosi tri të tjera. Të gjitha u shkaktuan në tri zona të ndryshme në Tiranë, por në një hark kohor prej 30 minutash.  Sinjalin ai e dha kur ishte 20 vjeç. Në këtë moshë ai kreu krimin e parë të dokumentuar, kundër dy grave. Ky ishte momenti ku Dan Hutra nisi serialin e tij të dhunës e vrasjeve me target femrat. Dan Hutra realizoi vrasjen e parë më 10 dhjetor të vitit 2007, në zonën e ish-parkut, në Tiranë. Aty u gjet e vrarë, në banesën ku jetonte me qira, 22-vjeçarja Dafina Havalja, bashkëshortja e Hutrës. E që nga ky moment ai konsiderohet përsëritës sa herë që realizon krime të tjera. Për rrjedhojë nuk duhej të kishte lehtësira as nga Prokuroria e as nga Gjykata.

Pas vitit 1992, kur u ekzekutua vendimi i fundit me vdekje, pati rritje të masës së dënimit, për vrasje të quajtura në rrethana cilësuese, me 30 vite burg minimumi deri në burg përjetë. Por edhe ndryshime të tjera, si heqja e të drejtës për gjykim të shkurtuar duke çuar në heqjen e mundësisë për ulje dënimi në vitet e dënimit. Të shpresojnë që ndryshimet e fundit të bëjnë që këta persona, edhe pse me mendje kriminale, të stepen para se të mendojnë kryerjen e një krimi të tillë./ Emisioni “Gjërat Tona”

Scroll to Top