NATO-ja njoftoi se 200 ushtarë britanikë kanë mbërritur në Kosovë të premten, për ta përforcuar misionin e saj paqeruajtës Kosovë, KFOR, pas sulmit vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit muajin e kaluar dhe rritjes së tensioneve në rajon.
“Zhvendosja e trupave është një hap i matur për t’u siguruar se KFOR-i i ka forcat që i nevojiten për ta përmbushur mandatin e saj të OKB-së për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe për ta siguruar lëvijen e lirë për të gjithë njerëzit në Kosovë”, tha NATO-ja në një njoftim për media.
Britania e Madhe vendosi të dërgojë trupa shtesë në kontingjentin e saj në Kosovë, i cili ka tashmë 400 ushtarë britanikë, me kërkesë të komandantit suprem të Aleancës për Evropën, SACEUR, gjeneralit amerikan Chris Cavoli.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Vendimi i NATO-s për shtimin e trupave paqeruajtëse në Kosovë vjen rreth dy javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Në luftimet që pasuan pastaj në manastirin e fshatit u vranë tre sulmues serbë. Policia e Kosovës e gjeti dhe e konfiskoi një arsenal të jashtëzakonshëm armësh në Banjskë dhe përreth në ditët pas sulmit. Pak ditë pas sulmit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ngritën shqetësime se Serbia po zhvendoste trupa ushtarak përgjatë kufirit me Kosovën. Kjo u mohua nga Serbia.
Më 3 tetor, Shtëpia e Bardhë tha se Serbia ka filluar t’i tërheqë trupat nga kufiri me Kosovën. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby. Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.
Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e mori Millan Radoiçiç, ish-kryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit. Më 3 tetor, Radoiçiçi u arrestua, u mor në pyetje dhe u urdhërua të mbahej në paraburgim policor deri në 48 orë, para se të lirohej një ditë më vonë, por pa pasaportë dhe me ndalesë për të shkuar në Kosovë. KFOR-i ka aktualisht rreth 4.500 trupa në Kosovë nga 27 shtete të NATO-s dhe shtetet partnere. /REL