Dy shqiptarë akuzohen se plagosën me armë 3 të rinj në Athinë të Greqisë mëngjesin e ditës së djeshme.
Ngjarja ndodhi pranë një lokali, ku të rinjtë nga Kreta kishin shkuar për të festuar.
Këtë të dielë janë publikuar pamjet e kamerave të sigurisë të një biznesi pranë vendit të ngjarjes.
Autorët shfaqen me një “Range Roger” të zi. Dy shqiptarët shihen duke dalë nga fuoristrada dhe afrohen drejt viktimave me të cilët debatojnë për pak çaste.
Njëri nga të rinjtë godet me grushte drejtuesin e fuoristradës, ndërsa shqiptari tjetër i kthehet me shkelma dhe grushte shoqëruesit të grekut.
Tjetri nxjerr armën dhe fillon të qëllojë. Fillimisht shënjon të riun që po përleshej me bashkëpunëtorin e tij, më pas qëllon në kokë personin e dytë që po tentonte të largohej dhe më pas kthehet dhe gjuan nga i treti.
Dy autorët dyshohet të jenë anëtarë të bandës “LIONS”, që akuzohet se vrau hidraulikun 37-vjeçar Pëllumb Islami nga Delvina në shkurt të këtij viti.
Mendohet se shqiptarët janë arratisur ose do të tentojnë të arratisen në Shqipëri.